Arjan Hoxha drejt gjykatës Balla: Mashtroi në Komision

Shqipëria

Arjan Hoxha drejt gjykatës Balla: Mashtroi në Komision

Më: 10 prill 2014 Në ora: 08:05

Komisioni Hetimor u përfshi dje nga debate të tjera ndërmjet Arjan Hoxhës dhe deputetit të PS-së, Taulant Balla. Mbledhja e djeshme filloi sërish me dëshminë e Hoxhës, i cili deklaroi përsëri se është shkarkuar nga strukturat e policisë për shkak se ka drejtuar operacionin ku është arrestuar babai i Saimir Tahirit. Por nga kjo dëshmi nuk mund të mungonin edhe pyetjet lidhur me diplomën e Hoxhajt ku sipas Taulant Ballës, ai në vitin 1999 ka falsifikuar dokumentet e diplomimit.

Deputeti Noka ishte ai i cili i e pyeti Hoxhën lidhur me këtë çështje nga ku theksoi se: “S’kam pasur asnjëherë masë disiplinore, por veç vlerësime, shpërblime. Nga Ardian Çipa kam marrë vlerësimin shkëlqyer. Shkarkimi im dhe i strukturës sime është hakmarrje personale dhe politike. Sot kam marrë vërtetimin tek akademia, j’ua vë në dispozicion, kërkoj nga deputetët të kërkojnë ndjesë”, duke iu drejtuar Ballës, pasi ishte ky i fundit i cili theksoi se ka falsifikuar diplomën. Por menjëherë pas kësaj ka ardhur erdhe reagimi i Ballës i cili tha se: “Nuk kemi kërkuar këtë listë notash, por të vitit 1999, e cila është falsifikuar. Ne kemi depozituar provën për falsifikim dhe tashmë j’u duhet një avokat.”

Dokumentet
Partia Socialiste nëpërmjet një njoftimi për mediat, vuri në dispozicion dokumentet ku rezultonte falsifikimi i dokumenteve të Arjan Hoxhës. Sipas këtyre dokumenteve, rezulton se Hoxha në vitin 1999 ka falsifikuar firmën e Luan Veliqotit ku paraqitej edhe lista e notave të Arjan Hoxhës. Pas përfundimit të ekspertizës nga ana e Dritan Zotos, është theksuar se “Nënshkrimi në emër të Prof.As.Dr. Luan Veliqotit, plotësuar poshtë rubrikës “DREJTORI” në dokumentin “LISTË-NOTASH” në datën 25.07.1999 në emër të Arjan Xhevit Hoxhës të Akademisë Rendit Publik, objekt ekspertimi, nuk është shkruar nga Luan Veliqoti”. Kësisoj, sipas këtyre deklaratave, Hoxha mund të shkojë edhe për ndjekje penale pasi dëshmitë që jepen në Komisionin Hetimor janë nën cilësinë e një procesi gjyqësor dhe çdo gjë që thuhet aty, merret për bazë në paditë penale.

Mbledhja
Mbledhja e djeshme e Komisionit Hetimor u përfshi dje nga një debat i ashpër në momentin kur për raportin shkoi Erzen Breçani, ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës. Breçani deklaroi se është shkarkuar për shkak të origjinës së tij nga veriu dhe hakmarrjes së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

“Kam 21 vjet karrierë, kam luftuar me bandat e kriminelëve, kam disa certifikata mirënjohjeje dhe dekoratë. Me deputetët e opozitës jam konfliktuar vetëm kur kanë shkelur ligjin, por asnjëherë nuk i kam fyer ata”,- tha Breçani. Por kjo deklaratë e tij u kundërshtua nga deputetët e PS-së, të cilët i paraqitën atij postimin në “FB” ku theksonte se duhet të mblidhen për të rrëzuar Edi Ramën dhe për këtë kanë ndërmarrë masa disiplinore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat