Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka mohuar kategorikisht raportimet se një sulm me dron detar ndaj një korvete ruse është nisur nga territori shqiptar.
Përmes një reagimi zyrtar në X, Ministria ka bërë të ditur se pretendimet e publikuara janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.
“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Diplomacia shqiptare ka hedhur poshtë pretendimet, duke theksuar se ato janë paraqitur pa prova të verifikueshme.
“I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme”, thekson Ministria.
Njëkohësisht, Ministria u ka bërë thirrje atyre që kanë përhapur këto informacione që t'i korrigjojnë ato dhe të tregojnë përgjegjësi gjatë raportimit për çështje të ndjeshme të sigurisë.
Pretendimet se dronët detarë që sulmuan korvetën ruse në portin e Bengazit, në Libi, ishin nisur nga territori shqiptar, u përhapën më 22 nëntor 2026 në platformën X.
Llogaria “Clash Report”, duke iu referuar një burimi anonim, pretendoi se dronët ishin nisur nga Shqipëria dhe jo nga Libia perëndimore. Sipas këtyre pretendimeve, autoritetet në Libinë lindore kishin identifikuar origjinën e sulmit.
Ndërkohë, llogaria “Visioner”, e cila publikon informacione për konfliktet ushtarake, përhapi pretendimin se dronët kishin përshkuar rreth 800 kilometra nga Shqipëria drejt Libisë.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë mbështetur me prova të verifikueshme, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje të vendit në këtë incident.