Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka deklaruar se 107 protestues dhe rreth 39 kalimtarë janë lënduar gjatë protestave të javëve të fundit. Sipas tij, mes të dëmtuarve ka edhe një numër të konsiderueshëm gazetarësh që kanë qenë duke mbuluar tubimet.
Gjatë një deklarate për mediat, Demo i cilësoi këto shifra si një këmbanë alarmi për nivelin e dhunës dhe proporcionalitetin e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit.
Ai bëri të ditur se shtatë punonjës policie janë pezulluar dhe janë nën hetim për veprime që, sipas tij, kanë tejkaluar masën e proporcionalitetit. Ndërkohë, Agjencia për Mbikëqyrjen Policore po shqyrton dhjetëra raste të referuara nga qytetarët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Demo theksoi se Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë rendin dhe sigurinë publike, duke respektuar të drejtën kushtetuese për protestë paqësore. Ai u shpreh se qeveria është e hapur për dialog, ndërsa dënoi edhe kërcënimet ndaj punonjësve të policisë në rrjetet sociale.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga ministri ishte përfshirja e të miturve në protesta. Sipas të dhënave të bëra publike prej tij, 269 persona nën moshën 18 vjeç janë shoqëruar nga policia. Demo tha se ky fenomen kërkon një përgjigje ndërinstitucionale dhe mbështetje për familjet dhe të miturit, për të parandaluar përfshirjen e tyre në situata dhune.
Në përfundim, ai bëri të ditur se qeveria ka miratuar aktin normativ për adresimin e situatës.