Përfundon marshimi kilometrik i qytetarëve, mesazh i prerë Ramës: Nesër do të jemi akoma më shumë!

Shqipëria

Përfundon marshimi kilometrik i qytetarëve, mesazh i prerë Ramës: Nesër do të jemi akoma më shumë!

Më: 7 korrik 2026 Në ora: 07:36 Përditësuar në ora: 23:14 më 07.07.2026
Protesta në Tiranë

Marshimi kilometrik i qytetarëve kthehet sërish te Kryeministria, mesazh i prerë Ramës: Nesër do të jemi akoma më shumë!

Pas disa orësh qëndrese të palëkundur, dita e 38-të e revoltës qytetare është përmbyllur aty ku nisi, përpara godinës së Kryeministrisë.

Pasi përshkuan në një marshim kilometrik akset kryesore të Tiranës, qytetarët janë rikthyer poshtë zyrës së kreut të qeverisë, duke i dërguar një mesazh të qartë dhe të prerë kryeministrit Edi Rama se rezistenca nuk do të ndalet.

Gjatë marshimit nëpër rrugët e kryeqytetit, entuziazmi dhe revolta kanë qenë në kulm, teksa protestuesit kanë thirrur në kor slogane të reja e plot ironi ndaj kryeministrit. Bulevardi ka jehuar nga thirrjet: “O milet, Rama ka siklet!” dhe “O pallosh, pallosh i gjatë, këtu na ke ditë e natë!”, duke dëshmuar rënien e frikës dhe vendosmërinë e njerëzve të thjeshtë.

Ashtu siç kanë bërë përgjatë 38 ditëve të fundit, qytetarët e kanë mbyllur tubimin me një premtim për të ardhmen e afërt. Përpara se të shpërndaheshin, të mbledhur sërish nën dritaret e Kryeministrisë, ata kanë lëshuar thirrjen që paralajmëron rritjen e valës së revoltës: “Nesër më shumë!”, duke lënë takim për ditën e radhës të asaj që tashmë është kthyer në një kryengritje të përditshme qytetare.

“Çdo shqiptar do të paguajë për koncertin e Kanye West” – Protestuesja: Rama nuk e zhbllokoi kurrë fondin për tërmetin dhe përmbytjet, 4 milionë euro për një këngëtar antisemit

Një protestuese ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për financimin prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West në Tiranë, duke deklaruar se fondi do të paguhet nga qytetarët shqiptarë, edhe pse ata nuk do shkojnë.

Siç tha ajo, fondi është përdorur për të mbuluar kostot e koncertit pasi qytetarët e kanë bojkotuar atë.

“Sot, çdo shqiptar do të paguajë nga xhepi 2 euro për biletën e koncertit, edhe pse nuk do të shkojë në këtë koncert. Një pensionist në fshat, një i sëmurë në spital, do të paguajnë këto para edhe pse nuk do të shkojnë në atë koncert”, deklaroi protestuesja.

Po ashtu, ajo u shpreh se kryeministri Rama,  i cili pretendon se protestuesit poshtë zyrës së tij janë antisemitë, antiizraelitë dhe antiamerikanë, po sjell në Shqipëri me 4 milionë euro një këngëtar antisemit.

Protestuesja: Sot Edi Rama ka zhbllokuar fondin e emergjencës, fondin që nuk e ka zhbllokuar kurrë, as kur ra tërmeti, as kur ka pasur përmbytje çdo vit në çdo cep të Shqipërisë. E dini pse e kanë bllokuar këtë fond emergjence? Për të paguar biletat e koncertit të Kanye West, sepse ju e bojkotuat koncertin.

Sot, çdo shqiptar do të paguajë nga xhepi 2 euro për biletën e koncertit, edhe pse nuk do të shkojë në këtë koncert. Sot, një foshnjë që pi qumësht në gjirin e nënës do të paguajë 2 euro për koncertin e Kanye West.

Sot, një plak pensionist në fshat, të cilit rritja e pensionit i ishte vetëm 2200 lekë të vjetra, do t’i paguajë këto para këtë herë për biletën e Kanye West. Një i sëmurë në spital, përveç 2 mijë lekëve që i jep pastruesit që t’i heqë plehrat nga dhoma, do të paguajë edhe biletën e Kanye West, edhe pse nuk do të shkojë në këtë koncert.

Madje, edhe një i sëmurë në reanimacion, që mund të jetë në momentet e fundit të jetës, do të paguajë 2 mijë lekëshin e tij të fundit për koncertin e Kanye West, edhe pse nuk do të shkojë në atë koncert.

Sot, çdo njeri që na shikon nga divani, këtu në protestë, do të paguajë 2 mijë lekë të vjetra për koncertin. Qeveria zhbllokoi 4 milionë euro sepse koncerti ishte një dështim spektakolar, megjithëse bëri një reklamë të madhe, duke filluar që nga Belinda Balluku çdo ditë.

Atëherë, Kanye West është një këngëtar me prirje antisemite dhe naziste. Ai ka një këngë që quhet “Rroftë Hitleri”. Bluzat e tij janë të famshme. Sot mediat kanë nxjerrë një lajm ku Kanye West, jo më shumë se dje, ka performuar me një bluzë në koncert.

Edi Rama, që pretendon se jemi antisemitë, antiizraelitë dhe antiamerikanë, po sjell në Shqipëri me 4 milionë euro tuajat një këngëtar antisemit.

Edhe ne, “sorrat dhe korbat e bulevardit”, siç na quan Rama, do të paguajmë edhe pse nuk do të shkojmë kurrë në koncert, sepse e kemi bojkotuar, sepse kemi ardhur këtu në protestë.

Babai i revoltuar: Po hakmerren tek vajza ime 12 vjeçare e sëmurë! Ma larguan nga Spitali se kushërinjtë tanë dolën në protestë! Ka 37 ditë që lëngon në shtrat

Një protestues denoncoi nga protesta se të bijën 12-vjeçare ia kishin nxjerrë nga spitali në shenjë hakmarrjeje se kushërinjtë e saj kishin dalë në revoltën kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Në fjalën e tij, ai theksoi se kryeministri u hakmor ndaj një fëmije të vogël, ndërsa shtoi se ajo po rrezikon jetën dhe se ka 37 ditë që lëngon në shtrat.

“Arsyeja kryesore kanë qenë disa kushërinj që kanë marrë pjesë në protestë. Vajza ime është nxjerrë në 12 të natës.

Kam njoftuar policinë. Kam kërkuar ndihmë për të shoqëruar vajzën me ambulancë. Më thoshin merre në gjendje të fikëti, dhe çoje ku të duash. I drejtohem kryeministrit  me urdhrin që dha.

U hakmor me një fëmijë 12 vjeçe. Fëmija ime rrezikon jetë, ka 37 ditë që lëngon në shtrat.”, deklaroi ai.

“Mos prekni familjarët e protestuesve që punojnë në administratë!”- Arbër Lleshi: Nëse i pushoni nga puna, do përballeni me forcën e qytetarëve

Aktivisti Arbër Lleshi ka denoncuar gjatë protestës së 38-të atë që ai e cilësoi si presion ndaj familjarëve të protestuesve, duke pretenduar se prindër të disa pjesëmarrësve janë përballur me pasoja për shkak të angazhimit të tyre.

“Kemi parë sot edhe dje që protestuesit, të cilët janë liruar nga masa e paraburgimit, kanë filluar të përndiqen prindërit e tyre sepse punojnë në administratë”, tha Lleshi.

Ai paralajmëroi se çdo masë ndaj familjarëve të protestuesve për shkak të pjesëmarrjes së tyre në tubime do të përballet, sipas tij, me reagimin e qytetarëve.

“Nëse dikush do të guxojë të marrë masa dhe të pushojë nga puna prindërit apo familjarët e protestuesve, vetëm për shkak se ata kanë dalë në protestë, do ta shohin forcën e të gjithë qytetarëve, do ta shohin forcën e ligjit. Drejtësia mund edhe të vonojë, por nuk do të harrojë”, u shpreh aktivisti.

“Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet”, Sazan Guri: Të rrethohet fizikisht Parlamenti dhe Kryeministria!

Protesta përpara Kryeministrisë vijoi edhe këtë mbrëmje me fjalime të aktivistëve dhe qytetarëve. Mes folësve ishte edhe ambientalisti Sazan Guri, i cili bëri thirrje për vijimin e protestës dhe kërkoi, sipas tij, një fazë të re të rezistencës qytetare.

Në fjalën e tij, Guri tha se rëndësi nuk ka numri i pjesëmarrësve, por vendosmëria për të çuar protestën deri në fund.

"Ky vend që ka mbërritur në këtë ditë, ku përballë nesh ndodhet vetëm një anije, do iki ose ky që as në emër nuk e meriton t'i thërrasësh ose ne! Ne qytetarë shqiptarë që nuk duam të shqetësohemi se në dukje jemi në shesh 2, 3, 5 apo 10% e popullit", u shpreh ai.

Ai u bëri thirrje protestuesve të mos heqin dorë nga kauza dhe përdori një krahasim historik për të përshkruar vendosmërinë që, sipas tij, duhet të karakterizojë lëvizjen.

"Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen por ka qytetarë që lenë kauzën përgjysmë. Çdo njeri t'i japë fjalën vetes kur vjen në këtë shesh, tamam si gjeneralët që dogjën anijet. Të puthim fëmijët dhe gratë dhe në këtë luftë të gjatë rezistence do t'i mundim ata avash avash, me moral", shtoi Guri.

Guri kritikoi edhe politikat që lidhen me pronat dhe investimet strategjike, duke akuzuar qeverinë për cenimin e të drejtave të pronës.

"Do t'i bëjmë ata që te zhvishen, të mos kenë sy e faqe të dalin para popullit shqiptar, aq më tepër një kryeministër që ka zhbërë pronat e ligjshme me kushtetutë dhe në vitin 2015 me një ligj investimi strategjik ai vendosi të vjedhë këtë popull. Mos vallë ne dalim për të mbrojtur vetëm flamingot? Më tepër se kaq!", vijoi ai.

Në fund të fjalës së tij, ambientalisti propozoi atë që e cilësoi si fazën e tretë të protestës, duke bërë thirrje për rrethimin fizik të institucioneve.

"Këtë kryeministër e kemi rrethuar demokratikisht dhe moralisht. Rrethimi i tretë për mua është rrethimi fizik! Të rrethohet parlamenti dhe kryeministri që ata të mos marrin vendime për kauzat tona!", tha Sazan Guri.

Dita e 38-të e protestës, qytetarët thirrje për bashkim: Mos u përçani!

Protestat kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë vijuan edhe këtë mbrëmje, duke hyrë në ditën e 38-të radhazi. Qytetarë të shumtë u mblodhën përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku nisën fjalimet e protestuesve dhe aktivistëve.

Gjatë fjalës së saj, protestuesja Luçana Kokaj u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë përçarjet, duke theksuar se qëllimi i përbashkët duhet të mbetet mbi çdo dallim.

"Kam një mesazh për ata që mbështesin protestën, të qëndrojmë të bashkuar përtej ndasive të vogla që mund të kemi. Secili mund të ketë ndonjë difekt, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar dhe të vijojmë protestën", u shpreh ajo.

Kokaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për personat që kontribuojnë në përhapjen e mesazheve të protestës, ndërsa u kërkoi mbështetësve të shmangin akuzat dhe komentet e pabazuara.

"Patjetër jam shumë falenderuese dhe besoj të gjithë bashkë jemi falenderues ndaj atyre që bëjnë një punë fantastike duke shpërndarë protestën, por mos përgojoni njerëz pa ditur të vërtetën", shtoi aktivistja.

Në përfundim të fjalës së saj, ajo përsëriti kërkesat e protestës, duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

"Çdo ditë e më shumë deri në arritjen e qëllimit tonë, Rama jep dorëheqjen! Rama në burg, Berisha në burg!", tha gjithashtu Kokaj.

Protestuesit theksuan se do të vijojnë tubimet e përditshme deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Dita e 38 e protestës/ Nisin fjalimet përpara Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur fjalimet e tyre përpara Kryeministrisë, në ditën e 38 të protestës.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

Ashtu si dhe ditët e tjera, protestuesit fillimisht janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë.

Pas përfundimit të fjalimeve përpara godinës së qeverisë, pritet që qytetarët të nisin marshimin e tyre në rrugët e Tiranës.

“Të largohen sa më parë këta kriminelë!”- I moshuari në protestën e 38-të: Rama t’ua jap pensionistëve ato 4 milionë euro, jo për tallava!

 Një i moshuar pjesëmarrës në protestën e 38-të për largimin e kryeministri Edi Rama dhe qeverisë së tij, nuk ka lënë pa kritikuar kreun e qeverisë lidhur me financimin me 4 milionë euro të koncertit të Kanye West në Tiranë.

I moshuari: Kam plakën sëmurë, me diabet. Im vëlla bëri katër koronare dhe tani është në spital privat, ku paguan për terapinë. Në shtet nuk kishte trajtim, ndaj u detyrua të ikte. Nuk kishte as në Onkologjik.

Ky shtet ka mbaruar. Të largohen sa më parë këta kriminelë. Qeveria ua ka dhënë paratë të vetëve, në vend që t’ua japë pensionistëve ato 4 milionë euro, shkon e i lë në tallava.

Shkon Rama e rregullon Kryeministrinë, ta bëjë më të bukur me pikturat e tij, kurse populli merr 10 mijë lekë. Me 80 mijë lekë, në kohën e atij, ndërtoja shtëpinë unë; tani duhen 250 mijë euro për të blerë një hyrje.

Protestuesit mblidhen sërish para Kryeministrisë, vijon protesta për ditën e 38-të

Ka nisur grumbullimi i protestuesve për ditën e 38-të radhazi në Tiranë, në kuadër të protestave që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët po mblidhen në Sheshin “Skënderbej”, prej nga më pas do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë.

Organizatorët kanë përsëritur thirrjen që qytetarët, brenda dhe jashtë vendit, t’i bashkohen protestës, duke theksuar se tubimet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre për dorëheqjen e kryeministrit.

Revolta masive/ Sot protesta e 38-të radhazi, qytetarët nuk heqin dorë, sërish në shesh e rrugë

Për të 38-ën ditë radhazi, qytetarë janë mbledhur në bulevardin përpara Kryeministrisë, duke vijuar protestën e tyre me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në ditët e mëparshme, grumbullimi nis në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.

Organizatorët u kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë, t’i bashkohen protestës, duke theksuar se synimi i tyre mbetet i pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit.

Sipas tyre, protestat do të vazhdojnë pa ndërprerje deri në arritjen e këtij objektivi.

Me sloganin “Ju erdhi fundi”, organizatorët ftojnë qytetarët të marrin pjesë masivisht, duke argumentuar se qeveria ka humbur legjitimitetin dhe se protestat do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat