Rama provokon sërish opozitën, hedh në tryezë paketën e integrimit

Shqipëria

Rama provokon sërish opozitën, hedh në tryezë paketën e integrimit

Më: 17 mars 2024 Në ora: 15:48
Edi Rama

“Më vjen mirë që mesa kuptoj Kuvendi do të pushojë së qeni çmendina e muajve të fundit.”

Por për të provuar se sa seriozisht e ka opozita që të mos  rikthejë  kaosin në Kuvend, ende  pa u tharë boja e marrëveshjes për komisionet hetimore  kryeministri Edi Rama  i vendos në tryezë një tjetër  draft.  Këtë herë për integrimin evropian.

“Mbase rikthimi i fjalës do të krijojë hapësirë për të komunikuar, e jo veç për të folur secili për të vetët, por sidoqoftë shumica jonë kuvendore duhet ta vendosë në tryezën e Komisionit të Ligjeve një draft-rezolutë për të nxitur një debat të madh publik, lidhur me sfidat kombëtare të anëtarësimit në BE dhe reformat e masat e mëtejshme që Shqipëria duhet të ndërmarrë, pa humbur kohë”.

Nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste Kryeministri Edi Rama mohoi marrëveshjen për njohjen e Berishës si kryetar të PD dhe pazaret për nxjerrjen e tij nga burgu shtëpiak.

“U fol këto ditë për pazare, marrëveshje me Non Gratën në dëm të drejtësisë e njohje nga ana jonë të zotërisë në ballkon si lideri i Partisë Demokratike, ashtu sikundër është folur lartë e poshtë, portaleve e socialeve, për trembje të socialistëve nga Spaku e për plane të fshehta për vënien nën kontrollin e shumicës të drejtësisë të re. Të gjitha janë broçkulla”.

Rama i garantoi mbështetje drejtësisë për të luftuar korrupsionin pa krahë partiak.

“Jo vetëm s’ka shans, që kjo parti të kthehet nga flamurmbajtësja e Reformës në Drejtësi, në flamurgrisësen e saj, po kjo parti do të jetë garantja e vendosur, me çdo çmim të drejtësisë së re, duke i mbështetur pa kushte institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit majtas e djathtas, lart e poshtë, dhe duke i mbajtur larg duart e pushtetit të shumicës nga punët e pavarura të drejtësisë”.

Për herë të parë shefi i qeverisë konfirmoi lajmin që bëri xhiron e mediave botërore për  projektin e dhëndrit të ish Presidentit Amerikan Donald Trump për ndërtimin e një resorti luksoz në Sazan. Por kryeministri mohoi zërat për shitjen e ishullit të vetëm të madh në vend.

“Ne nuk do ta shesim as Sazanin e as asnjë zonë tjetër me pronësi shtet tek asnjë i huaj, tjetërkush i nxori të tëra tokat e shtetit, përfshirë edhe Sazanin, në pazarin e botës me 1 euro dhe nuk i erdhi asnjë i marrë në Shqipërinë e zhytur në kriminalitet, korrupsion, plehra, pluhur e shëmti ngado hidhje sytë dhe që bënte lajmë në botë vetëm për keq. Sot, Shqipëria në të gjitha mediat e botës është një lajm i mirë”.

Kudo ku të huajt do të investojnë në zona me pronësi shtet, për të ngritur sektorin e ekselencës me pesë yje në industrinë tonë të re të turizmit, shqiptarët do të jenë pjesë përmes aksioneve të shtetit.

Kryeministri përsëriti se Shqipëria kampione e turizmit në rajon në vitin 2030  nuk është një slogan,  por një projekt gjeopolitik dhe ekonomik që po formësohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat