Vrau kolegun e tij në Komisariat pas një sherri banal, Gjykata e Apelit i ul dënimin Ludjan Zaimit

Shqipëria

Vrau kolegun e tij në Komisariat pas një sherri banal, Gjykata e Apelit i ul dënimin Ludjan Zaimit

Më: 31 janar 2024 Në ora: 13:58
Foto ilustrim

Gjykata e Apelit, ka ulur me 5 vite dënimin ish-efektivit të komisariat nr.3 në Tiranë, Ludjan Zaimit, i cili vrau me armën e shërbimit kolegun e tij, Çaush Saliasi në ambientet e Komisariatit pas një sherri banal mes tyre.

Më herët Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me 35 vite, ndërsa Apeli e ka dënuar me 30 vite burg.

Ludjan Zaimi akuzohet për kryerjen e veprës penale ”Vrasje me dashje”, sipas nenit 76 të K.Penal apo atë të “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i K.Penal.

Si ndodhi krimi?

Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e 23 majit 2022, në Komisariatin nr. 3 në Tiranë. Autori kishte rreth një vit e gjysmë në polici, ndërkohë që viktima kishte mbi 20 vjet që vishte uniformën e Policisë së Shtetit.

Prej kohësh, ai ankohej për daljen në shërbim me të, tregonte se Saliasi e bullizonte, e shante, e quante “qorr” dhe nuk ia kursente as personat e familjes. Por, të gjitha këto ankesa, kishin rënë në vesh të shurdhër. Situata kishte vijuar e tillë deri më 23 maj, ditë kur po bëhej instruktazhi.

Pamjet e rënda që u publikuan në media treguan se si Saliasi la sallën e u ul në shkallën pranë derës së Komisariatit. Fill pas tij, doli 25-vjeçari Zaimi. Pas pak sekondash, i riu nxjerr armën dhe nis të qëllojë pa ndalim në drejtim të 55-vjeçarit.

Pavarësisht se ky i fundit tentoi të mbrohej, nuk ia doli dot. Mori plumbat në pjesë të ndryshme të trupit në sy të të paktën nëntë kolegëve që i vetmi veprim që bënë ishte të ngrinin duart lart.

Njoftimi i Gjykatës

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale L. Z, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, të parashikuara nga neni 79/b i K.Penal.

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 23.05.2022, rreth orës 21:30, ku në në ambjentet e Komisariatit të Policisë nr. 3 Tiranë, është qëlluar disa herë me armë zjarri punonjësi i policisë shtetasi me iniciale Ç.S, nga kolegu i tij i pandehuri me iniciale L.Z.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2016,  datë 15.09.2023 ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit L.Z për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 35 (tridhjet e pesë) vjet burgim.

–Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit në flagrancë. Dënimi i mbetur do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale L.Z, i cili kërkoi:

-Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

-Deklarimin fajtor të të pandehurit L.Z për kryerjen e veprës penale ”Vrasje me dashje”, sipas nenit 76 të K.Penal apo atë të “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i K.Penal, duke caktuar një dënim propocional për të.

-Pranimin e gjykimit të shkurtuar sipas nenit 332/c dhe 403 të K.Pr.Penale dhe aplikimin e nenit

406 të K.Pr.Penale, ti ulet 1/3 e masës të dënimit të caktuar.

Në përfundim të gjykimit, më datë 25.01.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Dokollari dhe anëtarë znj. Irena Brahimi dhe z. Fuat Vjerdha, vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 2016 datë 15.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në lidhje me cilësimin juridik dhe dënimin, si më poshtë vijon:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit L.Z për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal dhe dënimin e tij me 30 (tridhjetë) vjet burgim.

-Lënien në fuqi të vendimit për disponimet e tjera.

-Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Tiranë, më 31.01.2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat