EMRAT/ Vidhnin makina në Maqedoninë e Veriut dhe i shisnin për pjesë këmbimi në Shqipëri, në pranga 4 persona në Korçë

Shqipëria

EMRAT/ Vidhnin makina në Maqedoninë e Veriut dhe i shisnin për pjesë këmbimi në Shqipëri, në pranga 4 persona në Korçë

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 11:57
Policia

Katër persona janë arrestuar paraditen e sotme në Korçë, pasi akuzohen se vidhnin makina në Maqedoninë e Veriut dhe i shisnin për pjesë këmbimi në Shqipëri.

Të arrestuarit janë Aleksandër Rira, Luis Durbaku, Adem Ademi dhe Marjo Hidri.

Njoftimi i policisë:

Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Passing”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të trafikimit të mjeteve motorike.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec, në drejtimin e Prokurorisë.

Trafikonin nëpërmjet kufirit të gjelbër me Maqedoninë e Veriut, mjete motorike të vjedhura, të cilat më pas i çmontonin dhe i shisnin për pjesë këmbimi në Shqipëri, vihen në pranga 4 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të mjeteve motorike, pas një hetimi 1-javor, në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Passing”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasve Aleksandër Rira, 21 vjeç, banues në fshatin Rrajcë, Librazhd; Adem Ademi, 44 vjeç, banues në Strugë, Maqedoni e Veriut; Luis Durbaku, 19 vjeç dhe Marjo Hidri, 23 vjeç, banues në fshatin Radokal, Pogradec.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se disa shtetas trafikonin mjete motorike nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, të cilat më pas i çmontonin dhe i shisnin për pjesë këmbimi në vendin tonë, shërbimet e Policisë organizuan punën me qëllim lokalizimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të dyshuar që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Konkretisht, më datë 22.07.2023, këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar nga Maqedonia e Veriut, një automjet tip “Benz”, drejtuesi i të cilit shtetasi A. R., sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga forcat e Policisë, ka tentuar të largohet dhe ka braktisur automjetin në afërsi të fshatit Radokal, Pogradec.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi vidhnin mjete motorike në Maqedoninë e Veriut, i dislokonin ato në zonën e Strugës dhe më pas nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e fshatrave Rrajcë-Sutaj, i kalonin në territorin shqiptar dhe i çmontonin në qytetet e Elbasanit ose Tiranës, me qëllim shitjen e tyre si pjesë këmbimi.

Vijojnë hetimet për të kryer dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjesisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat