“Tirana Vrapon”, Berisha: Ogur i mbarë për zgjedhjet e 2013

Shqipëria

“Tirana Vrapon”, Berisha: Ogur i mbarë për zgjedhjet e 2013

Më: 21 tetor 2012 Në ora: 10:42

Tirana është zgjuar plot jetë këtë mëngjes të 21 tetorit. Në sheshin “Skënderbej” 3000 vrapues nga 16 shtete të botës marrin pjesë në maratonën e parë ndërkombëtare të kryeqytetit të Shqipërisë, në moton “Tirana Vrapon”.
Në ceremoninë e fillimit të kësaj ngjarje historike për kryeqytetin mori pjesë edhe kryeministri i vendit i shoqëruar nga organizatori kryesor i kësaj gare simbol, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Pjesëmarrësve nga e gjithë bota i uroi mirëseardhjen kryebashkiaku Basha duke e cilësuar plot shpresë kryeqytetin në këtë ditë.
“Tirana është sot një qytet plot shpresë. Iu uruar suksese të gjithë garuesve të mbledhur sot në Tiranë nga e gjithë bota. Garantoj përkushtimin e institucionit që drejtoje se që Tirana do të kthehet në një qytet modern evropian”, deklaroi kryetari i Bashiksë së Tiranës.
Pjesëmarrësit morën edhe përshëndetjet e qeverisë shqiptare. Kryeministri Berisha duke e vlerësuar si një perlë në kollanin e aktiviteteve për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
“E organizuar në kuadër të 100-vjetorit vjen si një perlë e vërtetë në kurorën e këtij 100-vjetori. Të tregohet dëshmi e një vullneti të hekurt në një maratonë si në çdo proces të vështirë, nuk fiton më i shpejti, më i forti, fiton vullneti dhe më i vullnetshmi. Sot sytë e gjithë shqiptarëve janë drejtuar tek ju, tek lajmëtari i fitores. Kjo maratonë organizohet gjithashtu në prag të një viti elektoral dhe është një ogur i mbarë”, vuri në dukje Berisha.
Tashmë të gjithë janë gati për të nisur garën e madhe të kryeqytetit të vendit.
Kryeministri Berisha dha sinjalin që startoi maratonën e parë ndërkombëtare të Tiranës.
Kjo maratonë e parë për kryeqytetin numëron më shumë pjesëmarrës se maratona e parë në Berlin në vitin 1974 ku morën pjesë vetëm 272 garues, apo në Nju Jork 1970, vetëm 500 vetë.
Bashkë me vrapuesit merrnin pjesë edhe njerëzit me aftësi të kufizuar me të njëjtën distancë gare.
Kjo shënon dhe startin e maratonave të përvitshme që do të zhvillohen në kryeqytetin e Shqipërisë, ku përkrah Berlinit, Nju Jork, Londrës, Cikagos, Parisit, Amsterdamit dhe mjaft qyteteve të tjera të botës renditet edhe Tirana me Maratonën e saj ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat