Tentuan të vrasin Afrim Dobrushi, garancia pasurore liron nga burgu një nga autorët

Shqipëria

Tentuan të vrasin Afrim Dobrushi, garancia pasurore liron nga burgu një nga autorët

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 19:25
Gjykata

Lirohet nga burgu Alban Domi, personi që së bashku me kushëririn e tij, Besnik Domi, në muajin mars 2021, akuzohen se tentuan të vrasin me automatik biznesmenin e karburanteve, Afrim Dobrushi dhe mikun e tij, Elmi Poçi.

Vendimi për lirimin e Alban Domit, është marrë nga gjykatësi i Durrësit, Paulin Çera, ndërsa ky vendim u favorizua ndjeshëm edhe nga fakti se prokurorja e çështjes, Anila Bebeçi, vendosi të ndryshojë akuzën për Alban Domin, nga “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë në “Kanosje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

 Me ndryshimin e akuzës ka “lindur” dhe kërkesa e Alban Domit për të dalë nga burgu.

Ish-kryegjyqtarja e Durrësit,  Joana Qeleshi, sot avokate, i është drejtuar në 23 qershor 2021 me një kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në masën e sigurisë së “Garancisë pasurore”, kundrejt 20 milion lekëve të vjetra pwr Alban Domin.

Ora News ka mësuar dy ditë pas depozitimit të kërkesës për lirim nga burgu, në datën 25 qershor 2021 gjyqtari Paulin Çera ka vendosur të pranojë kërkesën e Alban Domit, duke e liruar nga qelia dhe caktuar masën e sigurisë me garanci pasurore prej 20 milion lekë të vjetra.

Tashmë prokurorja Anila Bebeçi, ka ushtruar ankim ndaj vendimit të gjykatës së Durrësit, duke kërkuar kthimin në burg të Alban Domit, e cila çuditërisht ka qënë vetë ajo që ka kryer ndryshimin e akuzave për të pandehurit Domi.

Që prej kësaj dite, Alban Domi është i lirë. I lirë vijon të jetë dhe kushëriri i tij, Besnik Domi, i cili edhe pse ka një vendim arrestimi në mungesë, Policia e Shtetit, nuk ka mundur ta lokalizojë dhe arrestojë këtë person.

Dy kushërinjtë në muajin mars 2021 në një nga rrugët që lidh Shijakun me Maminasin, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri biznesmenin e rrjetit të karburanteve “Lluk Oil Dobrushi”, Afrim Dobrushin.

Ky i fundit ndodhej në një makinë tip "Benz", me djalin e hallës së tij, Elmi Poçi, kur janë qëlluar rreth 7 herë me armë automatike.

Plumbat kanë përshkuar kabinën e makinës, brenda të cilës ishin dy personat e përmendur, por fatmirësisht nuk kanë pësuar asnjë dëmtim.

 Dobrushi dhe Elmi Poçi, janë larguar me shpejtësi me makinë dhe kanë ndaluar në një karburant aty pranë, ku janë qetësuar duke pirë ujë.

Ndërsa dy kushërinjtë janë larguar duke u arrestuar më pas Alban Domi, ndërsa tjetri, Besnik Domi vijon të jetë në kërkim nga policia.

Sipas dëshmive të dy personave që i shpëtuan sulmit me armë, personi që drejtonte makinën ishte Alban Domi, ndërsa personi tjetër që ka dalë me armën automatike dhe ka qëlluar është pikërisht, Besnik Domi.

Shak i këtij konflikti dyshohet se ka qënë ndërtimi i një rruge me kalldrëm nga ana e shtetasit Dervish Domi dhe bërja e disa fotografive nga ana e shtetasit Afrim Dobrushi, në tokën e të cilit po ndërtohej rruga.

 Por gjatë kësaj kohe pranë tyre kanë shkuar kushërinjtë, Alban dhe Besnik Domi, të cilët kanë filluar ti shajnë dhe mandej, njëri prej tyre i ka qëlluar 7 herë me automatik në një distancë prej vetëm 5 metra. Xhamat e makinës janë thyer, ndërsa dëmtime mjeti ka marë në pjesën e dyerve dhe gomat.

Ikja me shumë shpejtësi e Afrim Dobrushit dhe mikut të tij, Elmi Poçi, ka bërë që ata ti shpëtojnë fatmirësisht këtij atentati.

Për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në muajin Mars 2021, policia dhe prokuroria e Durrësit nisën hetimet për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.

Por dy muaj pas ngjarjes, prokuroria ndryshoi akuzat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat