Flet ministrja Hoxha: Rekomandim pozitiv për vizat, ky është viti i lëvizjes së lirë

Politika

Flet ministrja Hoxha: Rekomandim pozitiv për vizat, ky është viti i lëvizjes së lirë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 korrik 2018 Në ora: 16:18
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha

Sot Kosova ka marrë rekomandimin pozitiv për vizat nga Komisioni Evropian. Pritje optimiste ka pasur vazhdimisht se raporti do të jetë pozitiv, e kështu ka qenë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Ajo në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se rekomandimi pozitiv vjen, pasi Kosova ka realizuar të gjitha kushtet e parapara me udhërrëfyesin për liberalizim.

“Rekomandim pozitiv sepse kemi realizuar të gjitha 95 kushtet e parapara me udhërrëfyesin për liberalizim. Prandaj, pres me siguri të plotë se rekomandimi do të jetë pozitiv, me kontribut edhe të institucioneve tona por edhe vlerësimit pozitiv për këto të arritura”, është shprehur ajo.

Ndërsa, për procedurat e mëtejme për liberalizim, në qoftë se raporti i KE-së për vizat është pozitiv, ministrja Hoxha ka thënë se raporti pozitiv vë në lëvizje
si Parlamentin Evropian ashtu edhe Këshillin e Evropës dhe çështja prezantohet te Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme.

“Pas votimit pro liberalizimit në Parlamentin Evropian, atëherë çështja prezantohet te Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme, në të cilin marrin pjesë Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së. Pra, duhet pasur parasysh që publikimi i raportit pozitiv nga Komisioni Evropian vë në lëvizje si Parlamentin Evropian ashtu edhe Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Hoxha për gazetën “Bota sot”.

Kurse, lidhur me kohën se kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen, ministrja e integrimeve shpreson që ky vit të jetë vit i lëvizjes së lirë, derisa i referohet edhe takimeve që ka pasur në kryeqendrat e shteteve të BE-së.

“Shpresoj se ky është viti i lëvizjes së lirë. Sipas të gjitha kontakteve tona, në Bruksel dhe qendrat e mëdha të vendosjes, Berlini, Parisi apo kryeqendrat tjera, ku kam zhvilluar takime dhe mbarështruar të arriturat tona për procesin, jo vetëm për lëvizjen e lirë por edhe për zbatimin e MSA-së, dhe reformat tjera të parashikuara me rekomandime për procesin integrues”, është shprehur Dhurata Hoxha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat