Paralajmërohen arrestime të reja nga Gjykata Speciale

Politika

Paralajmërohen arrestime të reja nga Gjykata Speciale

Nga: P.R. Më: 8 mars 2024 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, bastisjet e fundit të Gjykatës Speciale në Kosovë lidhen me pengimin e drejtësisë dhe punën e kësaj gjykate.

“Nisur nga praktika e zhvillimeve procedurale nëpër gjykata, është e vetëkuptueshme se përderisa të vazhdojë procesi i gjykimeve nga Dhomat e Specializuara në Hagë, si një instancë e lartë, e krijuar enkas për gjykimin e figurave me përgjegjësi të mëdha, pritet që, edhe në të ardhmen, nën dyshimet e bazuara për pengim të drejtësisë, përpjekjeve për pengim të personave të autorizuar në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe kanosjen e dëshmitarëve gjatë procedimit penal, të vazhdojnë edhe bastisjet si dhe arrestimet e të dyshuarve potencial, për inkriminim në këto akte”, shprehet Qarri.

Siç thotë ai, edhe bastisja që ndodhi në shtëpinë e Sylejman Selimit, lidhet me parandalimin e pengimit të punës së Gjykatës Speciale.

Image
Gani Qarri

“Edhe bastisjet e fundit, në shtëpinë e ish Komandantit të Përgjithshëm të UÇK’së Sylejman Selimit, si dhe shtëpinë e ish ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuqit, i cili ka mbajtur disa poste të larta politike, përfshi edhe atë të ministrit të drejtësisë, vijnë si reagime dhe vazhdim i bastisjeve nga Gjykata Speciale, që në fakt Dhomat e Specializuara e konsiderojnë akt të nevojshëm, për parandalimin e ndërhyrjeve nga jashtë, dhe ndëshkimin e personave për frikësimin e më tejmë të dëshmitarëve, pengimin e punës së gjykatës dhe kërcënimet ndaj dëshmitarëve, për ndryshimin e dëshmive apo mosdhënjen e tyre, Prokurorisë së Gjykatës Speciale kundër të akuzuarve nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara”, thekson Qarri.

Më tej, Qarri deklaron se ekziston një grup, që për synim kanë kërcënimin e dëshmitarëve të mundshëm të Speciales.

“Siç dihet bastisjet dhe arrestimet e personave të dyshuar, për pengimin e drejtësisë, kanë filluar qysh në tetor të vitit të kaluar, për shkak të informatave të bazuara që Gjykata Speciale kishte mundur ti siguronte se një grup personash të paautorizuar, kishin ndërmarrë një aksion të sinkronizuar për kërcënimin e dëshmitarëve, me ç`rast fillimisht, ishin arrestuar Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi, nën akuzën për krime kundër drejtësisë, frikësimin e dëshmitarëve si dhe kanosjen e një dëshmitari të paidentifikuar, për tërheqjen e dëshmisë apo mosdhënjen e saj, gjatë zhvillimit të gjykimeve”, thekson Qarri.

“Prandaj bastisjet dhe arrestimet në Kosovë kanë për qëllim, zhvillimin e gjykimit në Hagë, pa ndërhyrje nga jashtë, të porositura nga të arrestuarit, ku procesi i gjykimit vazhdon, kështu që me urdhër të Prokurorisë Speciale në Hagë, në fillim të nëntorit 2023 është arrestuar edhe ish-kryetari i komunës së Malishevës, Isni Kilaj, kurse nga mesi i dhjetorit 2023 edhe ish deputeti i AAK-s Haxhi Shala, për shantazhim, joshje me para dhe kërcënim të dëshmitarëve, për mosdhënien apo ndryshimin e deklaratës”, shton analisti Gani Qarri.

Për fund, Qarri paralajmëron arrestime të reja nga Gjykata Speciale.

“Pikërisht me arsyetime të ngjashme, zyrtarët e Gjykatës Speciale kanë bastisur edhe shtëpitë e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit Blerim Shalës, Bashkim Smakajt, Artan Behramit, Ismail Sylës etj, gjë që serish paralajmëron, se njëjtë si edhe më parë, arrestimeve të mëpastajme, u kanë parapri bastisjet, siç ndodhi edhe me 7 mars, me bastisjet në shtëpitë e Sylejman Selimit dhe Hajredin Kuqit. Duke pasur parasysh numrin e madh të vrasjeve, të para dhe pasluftës, për të cilat akuzohen të arrestuarit kryesor, sado që emrat potencial, është rregull, që mbahen sekret nga Gjykata, ekziston mundësi reale, që Prokuroria e Dhomave të Specializuara, gjendet në përgatitje të arrestimeve të reja, të cilat nuk duhet të na befasojnë, ngase janë akte që mund të ndodhin deri në ditën e përfundimit të gjykimeve në Gjykatën Speciale në Hagë, apo edhe pas marrjes së aktvendimit dënues nga Gjykata Speciale, ndaj të akuzuarve kryesor, me arrestimin e ndonjërit nga bashkëpunëtorët apo ata persona të dyshuar, që kanë ndihmuar apo janë involvuar në një formë apo tjetër, në kryerjen e veprës penale të të dënuarve me burgim efektiv”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat