Në kërkim të “strategjisë dalëse” nga situata me çështjen e “dinarit”/ Analistët kanë disa rekomandime për BQK-në

Politika

Në kërkim të “strategjisë dalëse” nga situata me çështjen e “dinarit”/ Analistët kanë disa rekomandime për BQK-në

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 shkurt 2024 Në ora: 11:58
Foto ilustrim

Vendimi për heqjen e dinarit nga qarkullimi ndonëse ishte në përputhje me Kushtetutën, doli të jetë “problem”.

Sot në Bruksel pritet të mbahet takimi në mes të Kosovës e Serbisë, takim ky i thirrur nga ndërmjetësi i BE-së Miroslav Lajçak në Bruksel.

Lajçaku ka ftuar palët për të diskutuar mbi Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nuk do të shkojë në këtë takim duke deklaruar se “çështja e dinarit s’është pjesë e dialogut”.

Kosovën këtë herë e përfaqëson Banka Qendrore e Kosovës, e cila ka konfirmuar se do të marrin pjesë në takim kur diçka e tillë është e nevojshme.

Nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Edukim Financiar kanë thënë se BQK edhe kohë më parë është shprehur e gatshme që të takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë dhe se njëjtë i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro). Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Kelmendi: Banka Qendrore e Kosovës kërkohet që vetë t’i caktojë modalitetet e zbatimit të vendimit mbi ndalimin e dinarit në Kosovë

Në lidhje me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, për “Bota sot” është shprehur se as në këtë temë nuk do të ketë përafrime, pasi palët janë të kundërta.

Image
Muhamet Kelmendi

“Më 27 shkurt pritet takimi i radhës midis BQK dhe BQS në Bruksel. Edhe këtu dhe me këtë temë nuk priten përafrime. Palët janë në anë të kundërta. Çështja e dinarit do të shkon së bashku në të gjitha temat tjera të pazgjidhura me shtetin serb”, shprehet ai.

Kelmendi bën thirrje të Kosova të mbrojë vetëm kushtetutën e Kosovës dhe mbi këtë të mbrohet edhe vendimi për dinarin.

“Kosova kërkohet të mbështetet në ligjet e shtetit dhe në Kushtetutën e Republikës. Me ato del se edhe paraja është mjet i shtetit sovran. Mbi këtë kërkohet të mbrohet vendimi për dinarin.

Natyrisht se Kosova i ka përcaktuar modalitetet e zbatimit të vendimit mbi dinarin. Këto modalitete kërkohet të sqarohen. Asnjë intervenim të shtetit serb, në emër të interesave serbomëdha, nëpërmjet UE në takim në Bruksel nuk duhet pranuar. I takon vetëm Kosovës të gjejë modalitetet e kohës së zbatimit të vendimit”, përmbyll ai.

Rugova: Këtë çështje me një limit kohor të pranueshëm do e zgjidhnin vetëm përfaqësuesit e dy bankave qendrore

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, thotë se Banka Popullore e Serbisë nuk do të marrë pjesë fare në negociata sepse sipas tyre i bie pranim i shtetësisë dhe dihet mirë qëndrimi aktual i Serbisë.

Image
Naser Rugova

Sipas tij, edhe në këtë takim gjasat janë minimale.

“Çështja e rregullores së BQK dhe ndalimi i dinarit në vendin tonë fatkeqësisht na kanë përplasur me aleatët dhe veçmas me partnerin tonë strategjik SHBA-të.

Qeveria duhet të gjej strategji dalëse nga kjo situatë. Mendoj se aspektet e qarkullimit të valutave dhe çështje të ngjashme janë kompetencë ekskluzive e BQK-së. Nuk pres që Banka Popullore e Serbisë të marrë pjesë në negociata të mundshme me BQK sepse kjo nënkupton pranim të shtetësisë dhe dihet mirë qëndrimi aktual i Serbisë.

Nuk pres zgjidhje për këtë çështje në negociata në mes të politikanëve. Këtë çështje me një limit kohor të pranueshëm do e zgjidhnin vetëm përfaqësuesit e dy bankave qendrore. Në këtë situatë kam pritje minimale nga takimi i 27 shkurtit”, përmbylli Rugova për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat