Në 16 vjetorin e pavarësisë, propozohet që himni i Kosovës të ketë edhe tekst, këto janë rekomandimet!

Politika

Në 16 vjetorin e pavarësisë, propozohet që himni i Kosovës të ketë edhe tekst, këto janë rekomandimet!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 shkurt 2024 Në ora: 18:20
Foto ilustrim

Sot shënohet 16 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ndonëse, himni i flamurit të Kosovës u miratua më 11 qershor të vitit 2008, kësaj melodie i mungon teksti përcjellës.

Himni i Kosovës i cili quhet “Evropa” u miratua disa muaj pas shpalljes së pavarësisë, në një seancë të veçantë të Kuvendit me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime, është kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi.

Përveç melodisë, Himni i Kosovës kishte edhe tekst i cili për shkak të restrikcioneve nga pakoja e Ahtisaarit, u largua nga komisioni përzgjedhës.

Natyrisht që një tekst në himnin e Kosovës do ta bënte më të veçantë dhe më domethënëse për vendin tonë.

Propozime për të pasur tekst himni ka qenë prezente nga deputetët e Kuvendit, mirëpo të njëjtat nuk u miratuan.

Mirëpo, duke qenë në këtë situatë, si do të mund të ndryshohej një gjë e tillë, a do të mund të bëhej kjo me iniciativë të deputetëve të Kuvendit?

Burjani: Himni i Kosovës tingëllon absurd edhe atëherë edhe tash

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur juristi Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai thotë se himni është shumë  i mirë, por i duhet një tekst ku pasqyrohet jeta dhe dashuria për Kosovën.

Nga fillimi ka mundur të jetë që tekst ku pasqyrohet jeta dhe dashuria për Kosovën , pra nuk ka qenë e pamundur të shkruhet një tekst. Kuptohet se mund të shkruhet edhe himni mos të mbetët instrumental i zbrazët. Himni është shumë  i mirë, por për mendimin tim i duhet një tekst që flet për jetesën e përbashkët dhe pasuritë e shumta natyrore dhe për të ruajtur jetën e përbashkët që jetojnë në Kosovë”, u shpreh ai.

Më tej, juristi thotë që mundësia për një tekst në himn mund të bëhet.

“Pra mundësi ka, edhe njerëz ka për të shkruar një tekst dinjitoz dhe normal ku të gjithë etnitë mund ta këndojnë me krenari. Sidoqoftë atëherë kur është bërë himni ka pas figura politike që kanë thënë bën dhe pa tekste. Himni i Kosovës tingëllon absurd edhe atëherë edhe tash”, nënvizoi Burjani për “Bota sot”.

Mehmeti: Duhet që teksti të jetë pjesë e himnit

Ndërsa. analisti Faton Mehmeti, i cili është prezent edhe në pjesën kulturore të Kosovës për “Bota sot”, u shpreh se teksti ka qenë ekzistuar në fillim, mirëpo që është larguar për shkak të pakos së Ahtisarit.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, një tekst do ta bënte edhe më të dëgjueshëm himnin e Kosovës.

“Faktikisht, himni i Kosovës në fillim kishte tekst,  kënga e shtetit i kishte pasur edhe vargjet e shkruara. Për shkak të restrikcioneve nga pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të largoj tekstin. Natyrisht se duhet që teksti  të jetë pjesë e saj, s’ka logjikë që teksti i saj mos të këndohet. Kjo iniciativë duhet të ndërmerret nga partitë në Kuvend, deri tani nuk kemi pasur nisma të tilla”, thotë ai.

Në fund, Mehmeti shton që duhet deputetët e Kuvendit të ndërmarrin nismë për të pasur një tekst himni.

Gjithsesi edhe kjo ka specifikat e saja pasi Pakoja e Ahtisarit e pamundëson çdo nismë pa pjesëmarrjën e serbëve në Kuvend, çka frenon çdo nismë e cila edhe ashtu nuk ka ardhur. Besoj, kjo gjë nuk do të ndodhë edhe ca kohë për shkak të situatës aktuale, mirëpo deputetët duhet flasin për këtë çështje si dhe të iniciojnë nisma për të matur edhe impulsin e ndërkombëtarëve e pastaj në të ardhmen jo edhe të largët të gjendet forma dhe mekanizmat që mundësojnë futjen e tekstit brenda himnit”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat