Vuçiq orkestrues i krimeve të luftës në Kosovë/ Reagim i ashpër pas kërkesës së O’Brien për tërheqjen nga vendimi për dinarin

Politika

Vuçiq orkestrues i krimeve të luftës në Kosovë/ Reagim i ashpër pas kërkesës së O’Brien për tërheqjen nga vendimi për dinarin

Nga: M.L. Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 16:02
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

Në një intervistë për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho, zoti O’Brien thotë se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Kjo deklaratë nuk është mirëpritur në vendin tonë kjo pasi vendimi për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb përkon me kushtetutshmërinë e shtetit.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se me këtë deklaratë z.O'Brien e shfaq si të parëndësishme të kaluarën e rajonit të Ballkanit Perëndimor që destabilizuesi kryesor ka qenë Serbia.

Image
Amir Shabani

“Në një shfaqje tronditëse, deklaratat e fundit të Ndihmës-sekretarit amerikan, James O'Brien për çështjen Kosovë-Serbi jo vetëm që ishin skandaloze, por edhe e shfaq si të parëndësishme të kaluarën e rajonit të Ballkanit Perëndimor që destabilizuesi kryesor ka qenë Serbia. Diplomatët e tanishëm amerikan dhe evropian, qoftë O'Brien apo Lajçak, duhet ta kenë një të qartë të thjeshtë se Serbia nuk është vetëm një aleat i Kremlinit dhe kundërshtari kryesor i SHBA-së, por edhe një komb i cili para dy dekadave u përfshi thellë në akte të tmerrshme vrasjesh, përdhunimesh, dhe spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. Këto mizori nuk mund të fshihen dhe të konsiderohen si të paqena, veçanërisht duke pasur parasysh se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati një rol të spikatur gjatë regjimit të Millosheviçit, i cili orkestroi këto krime”, ka deklaruar ai.

Shabani ka thënë po ashtu se “deklarata e O'Brien se Kosova duhet të penalizohet për “mospërkuljen” ndaj Serbisë së linjës së Kremlinit nuk është thjesht absurde, por është një fyerje ndaj parimeve të drejtësisë dhe llogaridhënies historike.

“Kosova dhe Bosnja janë e vërteta e Serbisë. Të sugjerosh se Kosova, një viktimë e agresionit serb, tani duhet t'i nënshtrohet vetë regjimit të lidhur me vuajtjet e saj të së kaluarës, do të thotë të tallesh me vetë idealet e vetëvendosjes dhe sovranitetit. Është koha e fundit që komentatorë si O'Brien të përballen me të vërtetat e pakëndshme të historisë së Ballkanit Perëndimor dhe aspak s'është koha që të bëjnë deklarata që shërbejnë vetëm për të shtrembëruar dhe mbithjeshtuar një të kaluar komplekse dhe të dhimbshme”, ka përfunduar Shabani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat