Akuza e rëndë/ Bajraj tregon se kush e dha urdhrin për vrasjen e Enver Malokut – tregon dy arsyet

Politika

Akuza e rëndë/ Bajraj tregon se kush e dha urdhrin për vrasjen e Enver Malokut – tregon dy arsyet

Nga: P.R Më: 11 janar 2024 Në ora: 14:20
Enver Maloku

Në 25 vjetorin e vrasjes së Enver Malokut, ish udhëheqës i Qendrës Informative të Kosovës (QIK), bashkëpunëtor i Ibrahim Rugovës dhe kolumnist i rregullt i gazetës “Bota sot”, veprimtari Fatmir Bajraj, thotë se me vrasjen e Malokut synohej rrënimi i Rugovës dhe hapja e rrugës për Hashim Thaçin, tani i akuzuar nga Gjykata Speciale për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

“Enver Maloku për koinçidencë, ishte i 11-ti në listën e zezë për likudim të SHIK-ut, dhe u atentatua me 11 janar të vitit 1999, por ishte jo i 11-ti, por ndër të parët e ekzekutuar. Enveri u vra, sepse duhej heshtur QIK-u, e dëgjohej "RKL", ai u vra, sepse duhej shuar zëri zyrtar i institucioneve të Republikës së Kosovës në Prishtinë, dhe të zëvendësohej me atë LPK-së me seli në Rogner të Tiranës. Motivi është i qartë : pushteti me çdo kusht dhe me çdo çmim, përkatësisht; rrënimi i Rugovës dhe hapja rrugë pushtetit të Thaçit”, thotë Bajraj për “Bota sot”.

Bajraj jep edhe dy shkaqe pse mund të jetë vrarë Enver Maloku, i cili u ekzekutuar më 11 janar të vitit 1999 në sytë e gruas dhe fëmijëve.

“Shkas mund të jetë publikimi në informatorin e QIK-ut i Komunikatës nr 59 e SHP të UÇK-së, dhe e dyta; qëndrimi i tij kritik ndaj UÇK-së pas "ndërhyrjes" në Rahovec dhe pasojave me humbje të mëdha të jetrave të njerëzve atje”, thekson Bajraj.

Ai thotë se linçimi publik i LPK-së kishte krijuar kushtet e favorshme për vrasjen e bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës.

“Linçi publik i kursit politik të presidentit Rugova dhe institucioneve të Republikës së Kosovës nga ana e LPK-së, dhe e të vetëquajturit SHP i UÇK-së, gjëja si politikë pacifiste, nënshtruese dhe disfatiste, krijonte klimën dhe ambientin e favorshëm për likuidimin dhe ekzekutimin e të gjithë atyre që konsideroheshin përfaqësueses tipik dhe bashkëpunëtor të presidentit Rugova. Për më tepër, politika nacionale e institucioneve të republikës së Kosovës dhe e vet presidentit Rugova, cilësohej dhe kualifikohej si kolaboracioniste, anti-UÇK dhe deri në tradhti kombëtare”, shprehet Bajraj.

“E gjithë kjo, bëhej me qellim të hapjes së rrugës për pushtet nga ana e LPK-së, e cila mund të arrihej vetëm duke delegjitmuar pushtetin legjitim e legal të Republikës së Kosovës dhe duke eliminuar të zgjedhurit e popullit, përfshi titullarët”, shton Bajraj.

Më tej, ai thotë se urdhrin për vrasjen e Enver Malokut u dha nga Shtabi i Rognerit në Tiranë.

“Urdhri për atentatin ndaj Malokut dhe tjerëve, u dha nga kupolla e krimit me seli n'Tiranë, pikërisht nga "Shtabi i Rognerit", nga ku kishte burimin e keqja për Kosovën dhe shqiptarët, u dha nga ata të cilët nuk duronin lidershipin e presidentit historik Rugova, institucionet legjitime & legale dhe vetë verdiktin e Sovranit. Tanimë, udhëheqësit shpirtëror të kësaj kaste anti-shqiptare, në Prishtinë & Tiranë, pasi formuan SHIK-un klandesitin, ilegal dhe kriminal, Agjencinë e "lajmeve" : "Radio Kosova e Lirë" dhe sektorë tjerë të po kësaj natyre, panë momentin e duhur në kauzën e tyre për pushtet duke atentatuar fillmisht bashkëpunëtorët e afërt të presidentit Rugova e deri të vetë tentim-atentatet ndaj presidentit historik, për të krijuar kështu efektivisht parakushtet e propagandës ideologjike të ekstremit majtistë në linçimin dhe ekzekutimin e figurave të dëshmuara nacionale në luftën për liri & pavarësi, deri të marrja e pushtetit me çmimin e vëllavrasjes”, deklaron Fatmir Bajraj.

Sipas tij, Gjykata Speciale është shansi i vetëm dhe shpresa e fundit për drejtësi.

“Familjarët e Enver Malokut dhe të atentatuarve tjerë që përfshinë periudhën e hetimeve nga ky tribunal, i kanë drejtuar sy e vesh drejtë Gjykatës Speciale, dhe me të drejtë presin zbardhjen e vrasjeve dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre vrasjeve, por gjasat për diçka të tillë, nuk duken të jenë të mëdha. Në atentatin kundër Enver Malokut, kur kihet parasysh koha dhe gjendja e luftës që mbizotëronte në Kosovë, me theks gjendja në Prishtinë, mund të konkludohet se kjo vrasje dhe ky ekzekutim ishte i koordinuar mirë në mes të atentatorëve dhe regjimit të armikut, përndryshe do të ishte vështirë i realizueshëm pa një bashkëpunim të tillë”, nënvizon Bajraj.

Madje Bajraj thotë me emra njerëzit, që sipas tij janë përmendur si të përfshirë në rastin e vrasjes së Enver Malokut.

“Disa herë, për atentatin, gishti është drejtuar kundër "10-shit", dhe bashkëshortes së tij, por pa lënë anash edhe akuzat reciproke të ish eksponentëve të SHIK-ut me komandantë përgjegjës që kanë mbuluar Prishtinën si zonë përgjegjësie operative e UÇK-së, por organi i akuzës nuk ka proceduar metej, fakti se sistemi i drejtësisë në Kosovë, është i kapur dhe i ngulfatur nga politika (lexo-krahu i luftës). Duhet përmendur edhe një fakt i cili është përfolur si mundësi e përfshirjes në rastin e atentatit kundër Enver Malokut, jo si atentator, por si hallkë dhe siguresë e bashkëpunimit në mes të shërbimit serb të sigurimit (BIA) dhe atij të LPK-së (SHIK), e ky është Ibush Kllokoqi, një ish eksponent i njohur i UDB-së jugosllave & BIA-së serbe, por i njëjti është atentatuar më pas nga SHIK-u, konkretisht nga Nazim Bllaca”.

“Zatën, ekzekutimi i Ibush Kllokoqit nga ana e SHIK-ut, i cili konsiderohet si eksponent i dyfishtë, pra i dy shërbimeve sekrete anti-shqiptare, rezulton të jetë i kalkuluar mirë në humbjen e gjurmëve dhe dobësimin dhe dëmtimin e provave që do të mundësonin zbardhjen atentatit ndaj heroit të Kosovës, shefit të QIK-ut, Enver Maloku”, shpjegon Fatmir Bajraj.

Për fund, Bajraj thotë se ka pak shpresa që Gjykata Speciale të zbardh vrasjen e Enver Malokut dhe vrasjet tjera politike, pasi tash e sa vite janë dëmtuar provat e janë eliminuar dëshmitarët.

“Nga ajo që shohim në procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale, dhe qasjen e palëve në proces, personalisht jam shumë skeptik që verdikti i gjyqësorit, do të kënaq familjarët e të vrarëve me atentate, duke dënuar autorët e krimeve, për faktin edhe se është kaluar një periudhë qerk-shekulli dhe në anën tjetër për gjithë këtë kohë, përgjegjësit e këtyre krimeve deri dje ishin dhe janë n'pushtet dhe kanë dëmtuar provat, duke eliminuar edhe dëshmitarët në shumë raste. Konsideroj se përveç familjarëve të viktimave, edhe ne si shoqëri duhet të bëjmë shumë ma tepër që të ndihmojmë procesin, duke inkurajuar dëshmitarët që të provohet fajësia e autorëve dhe të marrin dënimin e merituar si i vetmi satisfaksion për familjet e dëmtuara dhe gjithë shoqërinë tonë , e cila është peng i zbardhjes së këtyre krimeve makaber”, përfundon për “Bota sot”, veprimtari Fatmir Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat