Sondazhi i fundit i ‘goditi’ rëndë partitë opozitare – a do kërkojnë ende zgjedhje të parakohshme?

Politika

Sondazhi i fundit i ‘goditi’ rëndë partitë opozitare – a do kërkojnë ende zgjedhje të parakohshme?

Nga: A.M. Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 15:49
Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, tash e një kohë janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Në vazhdimësi kanë kritikuar qeverinë e kryeministrit Kurti për dështime dhe kanë hedhur akuza ndaj saj.

Mirëpo, një sondazh i publikuar së fundi, ka nervozuar opozitën.

Nga sondazhi, në kuadër të OMNIBUS-it për matjen e opinionit publik, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të printe e para në listë, duke kryesuar me 48.5 për qind.

Ndërsa, partia tjetër që kryeson në vend të dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 18.2 për qind, duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me 17.9 për qind.

Pas këtyre partive pason AAK-ja, e cila rezulton të ketë 6.8 për qind.

A do vazhdojë ende opozita të këmbëngulë për zgjedhje të parakohshme pas këtij sondazhi, mbetet të shihet.

Për këtë temë në një bashkëbisedim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.

Së pari, ai u shpreh sondazhi i fundit e ka zgjuar nga “gjumi dimëror” opozitën, derisa tha se nuk po i pranojnë rezultatet pasi nuk janë mësuar të mos jenë në pushtet këto parti për një kohë kaq të gjatë.

Image
Dedë Preqi.

Megjithatë, u shpreh se sa më shumë që partitë aktuale të qëndrojnë në opozitë, më mirë do jetë për vendin dhe qeverisjen e Kurtit.

“Si duket sondazhet e fundit i kanë zgjuar nga gjumi dimëror partitë opozitare, duke e nxjerrë Vetëvendosjen dhe Listën «Guxo» përsëri fituese, dhe e veçantë është se kësaj opozite ia ka zënë «rrota bishtin», për shkak të mëkateve të tyre të pafalshme, ndonëse edhe nuk janë mësuar aq gjatë të mbeten në këtë skenë të tillë, për të kujtuar dhe për të vijuar më tej çfarë kanë qenë dhe çfarë kanë vepruar 20 vite më herët në dëm të këtij populli dhe shteti.

Sa më më shumë kjo opozitë të qëndrojë në këtë pozicion, aq më mirë është për udhëheqjen e këtij vendi nga Albin Kurti, edhe pse shtiren se nuk do ta pranojnë këtë lloj perceptimi dhe qeverisje, dhe çdo gjë u duket monotone, duke e refuzuar me kryeneçësi pushtetin e kësaj mazhorance e aq më qartë do të dalë në pah dhe më e fuqishme do bëhet pozita dhe qeverisja e saj e mëtutjeshme”, deklaroi opinionisti.

Krahas kësaj, Preqi kërkoi që partitë opozitare të heqin dorë nga zgjedhjet.

Ai kritikoi opozitën për akuzat dhe kritikat e pabaza që ia bënë në vazhdimësi qeverisë, derisa përmendi edhe qëndrimet e saj ndaj Asociacionit.

“Kjo opozitë duhet të heqë dorë nga zgjedhjet e parakohshme deri sa të vjen koha e zgjedhjeve normale, sepse nga njëra anë e mohojnë dhe e shantazhojnë udhëheqjen e pozitës pa fakte, pa argumente edhe kur atëherë mbrohen interesat e popullit dhe shtetit, kësaj opozite nuk i interesojnë këto interesa jetike, por më shumë u intereson pushteti, sa që shpeshherë, duke rënë në ujdi me rrethanat që i krijon shteti fqinj, Serbia, sikur që është formimi i Asociacionit të komunave serbe.

Kjo gjë e bënë edhe më të pasigurt opozitën e sotme në marrëdhëniet me popullin dhe votuesit, nëse besimi në një mënyrë mund të varfërohet dhe opozitës nuk i “hapen sytë” e të kuptojë se ç’është e vërteta dhe vëmendja të zhvendoset te vlerat dhe aftësia për t’i tejkaluar problemet dhe rreziqet nëpër të cilat po kalon sot Kosova”, u shpreh ai.

Në vazhdim, opinionisti tha se asnjë qeveri nuk mundet që për një kohë të shkurtër të gjejë zgjidhje për çdo problem, por vlerëson se qeveria Kurti është në drejtim të duhur dhe se duhet t’i jepet kohë edhe më e gjatë.

“Shpeshherë pushteti i Vetëvendosjes dhe Lista Guxo, po kritikohen nga opozita e sotme nga PDK, LDK dhe AAK, edhe nëse kanë diçka të saktë nëpër kritikat e tyre, në thelb të natyrës së saj qëndron vetëm arritja deri te pushteti, të cilën e kanë «ëndërr» edhe ankth të përzier, që nuk i lë të qetë, por ajo që dallohet keq dhe me tendencë, janë ofendimet, sharjet dhe praktikat jo demokratike dhe aq më pak kulturore e parlamnetare në këtë vend.

Pikërisht ekziston mundësia e një pushteti që nuk mundet të arrijë qëllimet e veta parimore brenda një kohe të shkurtër dhe kjo do të ndodhte në secilin vend të botës, por pushtetet e organizuara gabimisht dhe mbrapsht, përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar, këto pushtete duhet të ndëshkohen nga populli përmes votës së tyre.

Atëherë, çfarë kemi në të vërtetë në demokracinë e shtetit të Kosovës, si një vend dhe hapësirë me «zbrazëti» që kërkon plotëni dhe rregullim jetësor të besueshëm. Prandaj, është edhe shpresa dhe vullneti i mirë, që të kthehet në një udhëheqje të mirëfilltë të këtij vendi, dhe imazhi i qeverisjes së tanishme është ai që është, por më i prekshëm dhe më i favorshëm se asnjëherë tjetër”, shpjegoi Preqi.

Më tej, ai hodhi pikëpyetje nëse partitë opozitare do të tërhiqen pas sondazhit të fundit.

Gjithashtu, përmendi pasojat e disa marrëveshjeve të qeverive të kaluara.

“Vjen pyetja, a do zmbrapset opozita nga «kërkesa» për zgjedhje të reja, pas sondazheve të fundit?

Zbatimi praktik e vërteton vetë çdo shoqëri njerëzore e demokratike, e hedh poshtë dhe e korrigjon atë që është bërë më parë në mënyrë instinktive e primitive, dhe hap mundësi të reja, për të gjetur një mundësi të përshtatshme, dhe nga ana tjetër, gatishmëria dhe organizimi i frytshëm përmes të cilave plotësohen nevojat, që përcaktojnë tiparin dhe masën e vet të kësaj nevoje.

Kosova dhe populli i këtij vendi, po i vuan pasojat e qeverive të kaluara, që e veçanta e gjithë kësaj dallon Marrëveshja në Bruksel, për formimin e Asociacionit të komunave serbe në veri të vendit tonë, me udhëheqjen e PDK, me 2013 - dhe një marrëveshje e tillë e ekzekutuar me 2015, nga LDK, përmes së cilës Kosova do të lëngojë përherë nga një nënshkrim i një marrëveshje të tillë, që ka tendenca të ndarjes së Kosovës”, shpjegoi opinionisti.

Ndër të tjera, tha se partitë opozitare kanë të drejtë legjitime për të kërkuar zgjedhje, por sipas tij qëllimet bazë dhe kriteret e vlerësimit të kësaj opozite janë më shumë të rreme.

“Prandaj, ata që po kërkojnë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, që në këtë rast është opozita për të cilën bëhët fjalë, megjithatë kërkesat e tyre janë legjitime dhe mund të duken të drejta, por në parim nuk janë normale, sepse kushtimisht janë të pa efektshme, duke e ditur mirë rolin e kësaj opozite, e cila nuk është aspak  objektive dhe shprehje e vërtetësisë ekzistenciale, sepse qëllimet bazë dhe kriteret e vlerësimit të kësaj opozite janë më shumë të rreme”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat