Nuk ka urdhërarrest ndaj Radojiçiqit, analisti jep alarm: Ja ‘dëshmitë’ që ai po përgatitet për sulme të reja

Politika

Nuk ka urdhërarrest ndaj Radojiçiqit, analisti jep alarm: Ja ‘dëshmitë’ që ai po përgatitet për sulme të reja

Nga: Naile Ejupi Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 09:59
Milan Radoiçiq

Milan Radojçiqi organizator i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, e kishte pranuar pjesëmarrjen në sulm, ndërsa një aktakuzë ndaj tij nuk ka.

Pëlqim për të tërhequr urdhër- arrestin ndaj terroristit dhe ish- nënkryetarit të Listës Serbe, e kishte dhënë kryeprokurori Blerim Isufaj dhe për këtë ai ka deklaruar në konferencën vjetor.

“Sa i përket tërheqjes së urdhër-arrestit për Radojiçiqin, ajo është çështje komplet e brendshme e Prokurorisë dhe të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për opinionin për rastet që ne i trajtojmë. Duhet ta dinë qytetarët e Kosovës se ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërheq për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthy”, tha kryeprokurori.

Tutje, Isufaj tha se pa miratimin e tij, s’do të mund të tërhiqej urdhër-arresti.

“Pa miratimin tim, s’kish mundur me ndodhë. S’diskutohet kjo. Unë e kam dhënë pëlqimin, por arsyeja pse e kam dhënë, s’mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, çështje të hetimit. Nuk mundet me ditë opinioni secilën situatë, pse ne, çka bëjmë. Unë në fakt nuk preferoj me i komentu rastet që i kemi nën hetim. Megjithatë, po ka urdhër-arrest dhe ai urdhër-arrest është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale, prej prokurorit përkatës”, shtoi ai.

Deklarata e Isufajt vjen në kohën kur kryeministri Albin Kurti, deklaronte se Radojçiqi po përgatitet për sulme të reja, gjersa nuk u prit mirë nga kryeministri dhe as nga ministrja e drejtësisë.

Ministrja Albulena Haxhiu ka deklaruar se po të mos hiqej urdhër-arresti, operimi i Radojiçiqit do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit.

“Cenimi që Serbia për mbi 20 vjet i ka bërë rendit juridik dhe kushtetues në veri të vendit me në krye akter terrorist si Milan Radojçiq, veriu, siguria kombëtare nuk janë thjesht çështje të ftohta juridiko-penale të një prokurori apo kryeprokurori që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet pse i ka hequr fletarrestin dikujt si Milan Radojçiq. Dhe pikë, siç shprehet ai.

Po të mos hiqej fletarresti (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletë-arresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë”, u shpreh Haxhiu.

Ndërsa, reagim ka bërë edhe kryeministri Kurti duke thënë se është për t’u habitur fakti se edhe pse Radojçiq e ka pranuar pjesëmarrjen në sulm, ende nuk ka aktakuzë.

“Nuk e di a ndani edhe ju me mua habinë. Si është e mundshme që Milan Radojçiq e pranon që ka kryer krimin dhe nuk ka aktakuzë. Unë besoj që nuk duhet as me kry Fakultetin juridik e as nuk ka nevojë me pas Bachelorin, Masterin ose Phd dhe as nuk ka nevojë me qenë prokuror e as gjykatës por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarëve të Republikës e identifikon një absurditet të tillë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, analistët politikë përmendin argumente se pse Milan Radojçiq mund ta destabilizojë përsëri veriun e Kosovës.

Sulejman Mehazi, analist politik, në një prononcim për “Bota sot”, kërkon që policia dhe ushtria e Kosovës së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in, të jenë vigjilentë ndaj kriminelëve të Radojçiqit.

“Pasi Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe duhet zërë besë e duhet pasur kujdes ndaj sulmeve terroriste serbe në veri të vendit, sidomos ndaj festave të motmoteve. S'e grupet terroriste në krye me Radojçiqin të koordinuara me policinë dhe ushtrinë serbe të Vuçiqit po përgatiten me stërvitje, plane vëzhguese e armë të sofistikuara afër kufirit të Kosovës, Rashkë dhe Novi Pazarit, janë argumente se mos ndoshta kryetorroristi Radojçiqi do vërshojë përsëri për të destabilizuar veriun e Kosovës dhe se policia dhe ushtria e Kosovës së bashku me KFOR-in e EULEX-in duhet të jenë vigjilentë ndaj kriminelëve të Radojçiqit i cili si e qysh do t'i revanshohet policisë së Kosovës për debaklin e turpshëm të terroristëve serbë në Banjskë”, deklaron Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai thotë se pozicionimi i terroristëve serbë në Kosovë është dobësuar dhe deklaratat për një luftë në Ballkan kanë të bëjnë për ndarjen e “Srpska republikës” nga Bosnja- Hercegovina.

“Edhe pse shumë ekspertë ndërkombëtarë e analistë alarmojnë për një luftë në Ballkan, por ne besojmë se pas humbjes së turpshme të bandës terroriste serbe të Radojçiqit në Banjskë, pozicioni i terroristëve serbë në Kosovë është dobësuar dhe se këto përgatitje terroriste të Radojçiqit në Rashkë e Novi Pazar enkas janë për ta sulmuar Bosnjë-Hercegovinën për ndarjen e "Srpska republikës" nga Bosnjë-Hercegovina dhe vetë deklarata e Dodikun "se Republika serbe do ndahet nga Bosnjë-Hercegovina" na detyron të analizojmë se lufta në Ballkan mund të fillojë jo në Kosovë, por në Bosnjë-Hercegovinë. Se Kosova është e garantuar nga katër forca sigurie: nga policia dhe ushtria e Kosovës, nga KFOR-i dhe EULEX-si, kurse Bosjë-Hercegovina mund të sulmohet më lehtësisht nga terroristi Radojçiqi me ndihmën e republikës serbe të Dodikut”, shton Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat