“Do ta luftonte krimin, korrupsionin dhe do ta spastronte prokurorinë dhe gjyqësorin”, juristi tregon ligjin që ka nevojë Kosova për vitin e ardhshëm

Politika

“Do ta luftonte krimin, korrupsionin dhe do ta spastronte prokurorinë dhe gjyqësorin”, juristi tregon ligjin që ka nevojë Kosova për vitin e ardhshëm

Nga: Naile Ejupi Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 14:12
Foto ilustrim

Të martën në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar Ligji për Konfliktet Administrative.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Sipas njoftimit të MD-së, ky Ligj përcakton parimet, rregullat dhe procedurën e gjykimit të konflikteve administrative, konflikte këto që ngrihen ndaj organeve publike si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve të tyre gjatë procedurës administrative.

Disa prej risive që Ligji parasheh në raport me Ligjin e kaluar janë:

Mundësia për Gjykatën për zhvillimin e procedurës me shkrim, pa prezencën e palëve, në raste të caktuara.

Zgjerimi dhe konkretizimi i llojit të padive me të cilat mund të iniciohet një konflikt administrativ.

Afate ligjore më të shkurta dhe veprime tjera që mundësojnë zgjidhjen efikase të rasteve nga Gjykata.

Ndalimi i kthimit të lëndëve gjyqësore në rishqyrtim dhe rivendosje në organet publike.

Limitimi i rasteve të kthimit në rishqyrtim dhe rivendosje nga gjykata e shkallës së dytë në gjykatën e shkallës së parë.

Mundësimi i komunikimit elektronik dhe mbajtjen e seancave në distancë kur të krijohen kushtet në të ardhmen.

Përcaktimi në mënyrë të veçantë i kompetencës së Gjykatës për shqyrtimin e ligjshmërisë së akteve nënligjore të organeve publike.

Rregullimi ligjor i parimit që shpenzimet barten nga pala që humb konfliktin administrativ.

Rregullimi i procedurës së ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, duke përfshirë edhe fuqinë ligjore që do ta kenë gjyqtarët për të shqiptuar gjoba ndaj zyrtarëve përgjegjës.

Për këtë ligj ka folur juristi Muhamet Kelmendi, i cili thotë se me të është forcuar më tepër shteti ligjor.

“Ligji për Konfliktet Administrative i aprovuar nga Kuvendi i rregullon konfliktet në fushën e administratës. Nga Kuvendi i Kosovës u miratua Ligji për Konfliktet Administrative. Ky ligj ka për objekt konfliktet në fushën e administratës që kalojnë në gjykatë për shqyrtim dhe vendosje përfundimtare. Kosova ka pasur nevojë për një ligj të tillë. Konfliktet administrative janë shumë të shpeshta. Organet e administratës shpesh veprojnë në kokë në veti, kundër të drejtës ligjore, që natyrisht me LKA i mundëson palëve të shkojnë në gjykatë për shqyrtim dhe vendosje. Me këtë ligj edhe më shumë u forcua shteti ligjor. Kjo, për faktin se kjo fushë mori bazë ligjore”, deklaron Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Por, juristi shton se me të nuk rregullohet fusha e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Sipas Kelmendit për këtë çështje duhet të rregullohet ligji i Vetting-ut, përmes së cilit do të kapen keqbërësit dhe kriminelët si dhe do të spastrohet prokuroria dhe gjyqësori.

“ Ndërsa, mendimi se me Ligjin per Konfliktet Administrative u bë një hap apo se ky ligj ndihmon në rregullimin e sistemit gjyqësor nuk qëndron. Me LKA nuk rregullohet fusha e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, sikundër as azhuriteti venodosës nëpër gjykata. Çështjet e tilla rregullohen me LPP dhe me Ligjin e VETING-ut. Këto dy ligje ndihmojnë dhe rregullojnë gjyqësorin. LPP e rregullon azhuritetin e gjyqësorit dhe ka mundësi të obligojë nivelin gjyqësor me ankimin në nxerrje të vendimit përfundimtar. Me këtë ligj obligohen strukturat e gjyqësorit në pune konkrete, pa i dhënë mundësi, sidomos nivelit të lartë të gjyqësorit të sillen si kapedan, duke rikthyer lëndët në rishqyrtim apo duke i lënë lëndët për t’u parashkruar ( vjetërësuar). Lufta kundër korrupsionit dhe krimit, keqpërdorimit të detyrës në gjyqësor dhe në prokurori, rregullohet kryesisht me Ligjin e VETTING-ut. Me atë ligj kapen keqbërësit dhe kriminelët dhe spastrohet prokuroria dhe gjyqësori. Ky ligj i duhet Kosovës”, shton juristi.

Ndryshe, Ligji për Konfliktet Administrative do të hyjë në fuqi 1 vit pas publikimit në Gazetë Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke mundësuar kështu një periudhë të përshtatshme përgatitore për trajnimin e gjyqtarëve, të avokatëve dhe të profesionistëve të tjerë ligjorë për zbatimin e këtij Ligji.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në vitin 2024 gjithashtu do të themelohet Gjykata Administrative si pjesa tjetër e reformës së Qeverisë së Republikës së Kosovës në drejtësinë administrative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat