Serbia e “frikësuar”/ Mësohet arsyeja pse nuk po i kërkohet Kosovës leja për zgjedhjet e 17 dhjetorit

Politika

Serbia e “frikësuar”/ Mësohet arsyeja pse nuk po i kërkohet Kosovës leja për zgjedhjet e 17 dhjetorit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 dhjetor 2023 Në ora: 14:18
Albin Kurti dhe Edi Rama

Më 30 tetor, Qeveria e Serbisë i propozoi Vuçiqit që të shpërndante Parlamentin, ndërsa më 17 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e reja, duke i hapur rrugë qytetarëve të mund të votojnë për qeverinë e re dhe kryetarë të rinj në disa komuna. 

Fushata zgjedhore serbe do të mbyllet më 14 dhjetor, ndërsa serbët e Kosovës që kanë edhe shtetësi serbe, nuk do të mund të votojnë brenda territorit të Kosovës pa një marrëveshje paraprake ndërmjet dy vendeve. 

Edhe pse Qeveria e Serbisë ka kërkuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që të përfshihet në mbledhjen e votave të banorëve të Kosovës me dy shtetësi, për zgjedhjet në Serbi, kjo nuk do të mund të realizohet nëse nuk ka një marrëveshje të veçantë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar”, ka deklaruar ditë më parë kryeministri Albin Kurti, duke shtuar se “çdo kërkesë duhet të bazohet në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës”. 

Në anën tjetër këtë mos interesim i Serbisë për të bërë kërkesë për të votuar serbët e Kosovës, nga ekspertët e sigurisë shihet si mundësi destabilizimi në komuna veriore. 

Tërnava: Nëse ndodhin destabilizime të tilla, ato nuk mund të quhen si të befasishme 

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se Serbia në çdo kohë i shpik konfliktet e ndryshme dhe popullin e saj e ngarkon me nacionalizëm ndaj shqiptarëve. 

Ai kërkon që gjeneratat në ardhje të jenë të përgatitur për vetëmbrojtje të shtetit të Kosovës. 

“Situata konfliktuoze me Serbinë që po zgjatë që nga paslufta e deri më tani, edhe që e fituam luftën, dhe sovranitetin e Kosovës që po e garanton KFOR-i, megjithatë një pajtim i duhur nuk është arritur  me këtë shtet gjatë kësaj kohe, i cili si shtet në historitë e kahmotshme shekullore gjithnjë na ka shkaktuar gjenocide të tëra të shumta, dhe prapë dëshiron të na uzurpojë pjesët komunale të veriut, edhe që ndërmjetësimin e pajtimit po e bëjnë ndërkombëtarët. Prapë se prapë Serbia në çdo kohë i shpik konfliktet e ndryshme dhe popullin e saj e ngarkon me nacionalizëm ndaj shqiptarëve duke u thirrur në atë të thënë se “Kosova është zemra e Serbisë” prandaj këto edukata të gjeneratave të reja lënë të kuptohet se me Serbinë duhet të jemi të vëmendshëm dhe mos t’i harrojmë të kaluarat gjenocidiale që i kanë kryer ndaj popullit shqiptar, dhe gjeneratat tona në ardhje duhet gjithnjë të jenë të përgatitur dhe të gatshëm për vetëmbrojtje të shtetit të Kosovës”, deklaron Tërnava. 

Sipas tij, mos kërkesa e Serbisë për votimin e serbëve në Kosovë do të nënkuptonte njohje ndaj pavarësisë së Kosovës. 

“Tani kur po afrohen zgjedhjet në Serbi, serbët e Kosovës që kanë edhe shtetësi serbe, nuk do të mund të votojnë brenda territorit të Kosovës, pa një marrëveshje paraprake ndërmjet dy vendeve. Që nga paslufta zgjedhjet që janë zhvilluar në Serbi, gjithnjë janë mbajtur edhe në Kosovë për serbët që jetojnë në Kosovë, tani kësaj mënyrë të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë i ka ardhur fundi, sepse Kosova është shtet i pavarur, dhe si në çdo shtet që jetojnë popullata të ndryshme, edhe që në shtetet e tyre i mbajnë zgjedhjet, dhe ata kush është i interesuar shkojnë dhe votojnë në shtetin fqinj. Edhe Serbia sikur do ta njihte  pavarësinë e Kosovës, edhe serbët që jetojnë në Kosovë mund të votonin për zgjedhjet në Serbi, dhe pranë asaj sikur që ditë më parë kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se kërkesa serbe duhet të vijë direkt nga Serbia si palë e interesuar për zgjedhjet e tyre, dhe kjo kërkesë duhet t’i drejtohet shtetit të Kosovës, por këtë kërkesë Vuçiqi nuk e bën, se me këtë do ta njihte pavarësinë e Kosovës, gjë që këto fakte i dinë edhe faktori ndërkombëtar, prandaj serbët e Kosovës të interesuar për votimin e zgjedhjeve në Serbi mund të shkojnë për votim në Serbi”, pohon Tërnava. 

Sipas tij, në veri mund të ndodhin destabilizime, gjersa shton se pas zgjedhjeve në Serbi mund të ndodh marrëveshja mes të dyja vendeve. 

“Situata tani e tillë sikur që është në veri, qe një kohë e tërë duket që është në suaza normale, dhe pa probleme të dukshme, edhe që munden të ndodhin destabilizime të përhershme, që sipas direktivave të shërbimeve serbe që kur të iu nevojiten ta destabilizojnë situatën, ata veprojnë sipas urdhrave të shërbimeve sekrete serbe, dhe nëse ndodhin destabilizime të tilla, ato nuk mund të quhen si të befasishme, sepse përvojat e deritashme na kanë mësuar për situata të tilla që janë të pritshme të ndodhin, edhe që tani policia e Kosovës e ka shtri sovranitetin e saj deri në kufi ku kufizohemi me Serbinë, dhe popullata në ato pjesë është bashkëpunuese dhe kooperative me institucionet e Kosovës. Pas zgjedhjeve në Serbi ka indicione se mund të ndodh pajtimi sipas marrëveshjes së Ohrit, e cila do t’i hapte rrugët e anëtarësimeve në mesin e shteteve të BE si dhe në të tjera institucione ndërkombëtare, si dhe do të ndodhnin njohjet e pesë shteteve që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj shpresat se ditët e mira për Kosovën priten të ndodhin, shpresojmë që më në fund të ndodhë një pajtim i pritshëm”, shton eksperti. 

Burjani: Nuk besoj që do të ketë destabilizim në veri  

Image
Blerim Burjani

Kujtojmë se parlamenti serb i shpërndarë ishte zgjedhur më 3 prill 2022, ndërsa sipas analistit politik Blerim Burjani nuk do të ketë destabilizim në veri. 

Ai thotë se një model të organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në veri mund të mbahen në votim në zyrën e Serbisë në Kosovë. 

“Nuk besoj që do të ketë destabilizim në veri. Një model i organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në veri mund të mbahen në votim në zyrën e Serbisë në Kosovë, në të kundërtën duhet të ketë marrëveshje në mes të dyja vendeve. Duhet të gjendet një zgjidhje siç dihet në Kosovë ka gatishmëri të bëhen zgjedhje të një shteti tjetër në Kosovë”, deklaron Burjani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat