Kosovës po i ikë “fuqia punëtore”, parashikohet situatë e vështirë – kërkohet rritje urgjente e pagave në këta sektorë! 

Politika

Kosovës po i ikë “fuqia punëtore”, parashikohet situatë e vështirë – kërkohet rritje urgjente e pagave në këta sektorë! 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 nëntor 2023 Në ora: 18:26
Foto ilustrim

Migrimi i të rinjve, tash e një kohë të gjatë është një problem me të cilin përballet Kosova. 

Kushtet e dobëta dhe pagat e ulëta, supozohet se janë faktorët kryesor që po shtyn të rinjtë të largohen nga vendi i tyre dhe të kërkojnë një mirëqenie ekonomik më të mirë në vendet e BE-së. 

Vlen të theksohet se në bazë të statistikave në Kosovë, mbi 60 për qind e qytetarëve në moshë pune janë ekonomikisht joaktivë - persona që nuk janë as të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë. 

Paga mesatare bruto në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 604 euro, ndërsa në sektorin privat është 473 euro. 

Pas liberalizimit të vizave me vendet evropiane, Banka Botërore tha se, sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore, ashtu si edhe në të kaluarën. 

Sipas shifrave zyrtare, trendi i emigrimit të shqiptarëve të Kosovës është në rritje. Ku, sipas ASK-së, gjatë vitit 2021 nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. 

Duke parë që Kosovë po i “ikë” fuqia punëtore dita ditës, ekspertët e ekonomisë për “Bota sot” kërkuan rritje urgjente te pagave dhe përmirësim të kushteve të punës. 

Në të kundërtën, ata parashikuan se Kosovën do e pret një situatë e rëndë, ku do përballet me mungesë të madhe të punëtorëve. 

Gërxhaliu: Të gjendet forma për ta stimuluar rritjen e pagave 

Image
Safet Gërxhaliu

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli Safet Gërxhaliu, njohësi i ekonomisë. 

Së pari, ai tha se nuk duhet habitur me faktin se ka një interesim të lartë të të rinjve për t’u larguar nga Kosova, pasi pagat dhe trajtimi që iu bëhet klasës punëtore ka shumë defekte. 

E për këtë, përmendi edhe disa nga shumat e pagave me të cilat fatkeqësisht paguhen punëtorët në Kosovë. 

“Duhet të kuptohet që sa i përket trajtimit të sektorit privat, më saktësisht punëtorëve definitivisht ka pas defekte të shumta, ku nuk iu kanë kushtuar rëndësi kushteve të punës dhe ngritjes së pagave. 

Tani në vitin 2023 ke pagë 190 euro, ke pagë në markete 250 euro apo në kompani të ndryshme me 350 euro. Në këtë kohë të inflacionit, në këtë kohë të krizës është me të vërtet një realitet i hidhur, prandaj nuk duhet të na habit ky interesim i të rinjve për të dalë nga Kosova”, deklaroi njohësi i ekonomisë. 

Krahas kësaj, Gërxhaliu potencoi se mungesa e fuqisë punëtore nuk do zgjidhet me sjelljen e punëtorëve nga vendet e tjera, pasi edhe ata do largohen. 

Sipas tij, punëtorët që vijnë nga jashtë, kryesisht vendet aziatike, Kosovën e shohin si urë lidhëse për të ikur në shtetet evropiane. 

“Kësaj, shtoj edhe faktin e dominimit të agjendës politike dhe mbjelljes së një pasigurie për një të ardhme më të mirë, të rinjtë do tentojnë të ikin dhe do jetë vërtet një sfidë shumë e madhe për sektorin privat. 

Kemi paralajmëruar që porti i fuqisë punëtore në Kosovë nuk është zgjidhje. Shumë nga ata që do vijnë nga vendet e ndryshme të botës, destinacion nuk e kanë Kosovën, por përmes Kosovës të ikin në Evropë”, theksoi ai 

Ndër të tjera, njohësi i ekonomisë kërkoi rritje të pagave dhe përmirësim të kushteve për punëtorët, ndryshe paralajmëroi se Kosovën do e pret një situatë e rëndë. 

“Prandaj, është koha kur duhet të mendohet të avancohet një dialog i mirëfilltë në sektorin privat, të gjendet forma për ta stimuluar rritjen e pagave dhe definitivisht vetëm rritja e pagave dhe kushtet më të mira në punë mund të ndikojnë në qëndrimin e të rinjve në Kosovë. 

Përndryshe, Kosovën e pret një situatë e cila do ta dëmtojnë vendin në forma të ndryshme. Por me siguri goditja më e madhe do jetë për sektorin privat” përfundoi Safet Gërxhaliu për “Bota sot”. 

Bellaqa: Duhet të ngriten pagat si në sektorin publike, gjithashtu edhe në sektorin privat 

Image
Jakup Bellaqa

Edhe, eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa paralajmëroi migrim të fuqisë punëtore. 

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se tregu i punës do përballet e probleme, pasi do ketë migrim të lartë, ku do kërkohet një mirëqenie ekonomike më e mirë në vendet e BE-së. 

“Sigurisht se pas liberalizmit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian, tregu i punës do te vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore, sepse ky migrim do të bëhet në kërkim të mirëqenies ekonomike dhe sociale, për një jetë më të mire”, deklaroi ai. 

Bellaqa përmendi edhe disa tregues makro-ekonomik që do ndikojnë në tregun e fuqisë punëtore në Kosovë. 

“Por, këtë e kanë parashikuar edhe institucionet financiare ndërkombëtare si p.sh Banka Botërore, duke u mbështetur në bazë të treguesve makro-ekonomik, konkretisht duke analizuar tregun e fuqisë punëtore dhe duke u bazuar në kërkesën e vendeve të Bashkimit Evropian, për fuqi punëtore, sidomos moshat e reja dhe të mesme dhe duke bërë lehtësira për këto kategori përkatësisht kushte favorizuese sidomos për kuadrot profesioniste”. 

Në fund, eksperti i ekonomisë tregoi se si duhet të veprojnë, sektori publik, sektori privat dhe institucionet e vendit për të parandaluar ikjen e punëtorëve nga Kosova. 

“Ndërsa shtrohet pyetja që duhet të gjejë përgjigje nga institucionet shtetërore dhe sektori privat, se çka duhet të veprojnë në këtë situatë, sugjerimi im është se do të duhet të ngriten pagat si në sektorin publike, gjithashtu edhe në sektorin privat. 

Kurse, institucionet përgjegjëse që kanë kompetenca institucionale do të duhej të përgatitnin një pako speciale për të rinjtë e Kosovës, ku do te gjenerohej punësim në mënyre që mos të largohen apo të migrojnë në vendet e Bashkimit Evropian, dhe në këtë mënyre do të zhvillohet tregu i fuqisë punëtore dhe do të harmonizohet kërkesa dhe oferta në tregun e fuqisë punëtore”, përmbylli Jakup Bellaqa për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat