“Edi Ramës t’i ndalohet të shkelë territorin e Kosovës si rrezik serioz i integritetit territorial dhe sigurisë shtetërore”

Politika

“Edi Ramës t’i ndalohet të shkelë territorin e Kosovës si rrezik serioz i integritetit territorial dhe sigurisë shtetërore”

Nga: M.Lakna Më: 18 tetor 2023 Në ora: 09:52
Edi Rama dhe Albin Kurti

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dje (e martë 17 tetor) u shfaq tejet i ashpër me Kosovën gjatë konferencës me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Rama krahasoi Kosovën me rastin e Palestinës duke përcjellë disa fjalë të ish presidentit Bill Clinton

“Bill Clinton kur ishte këtu në verë, ai është kryeçlirimtari i Kosovës, më tha “thuajua miqve të mi në Prishtinë” si i ndodhi Palestinës dhe nuk kishte ndodhur akoma kjo (lufta në Izrael), por në verë. Arafati e kishte marrëveshjen më të mirë, Izraeli ra dakord edhe Arafati, por të nesërmen Clinton tha se “më mori në telefon dhe më tha nuk e firmos. Tani po ju them unë ku është Palestina sot?! Një vend që nuk është shkatërruar nga Izraeli, por klasa e vet politike dhe pengmarrësit e vet. Izraeli i përdor raketat për të mbrojtur popullin e vet, Hamasi përdor popullin e vet për të mbrojt raketat” tha ai.

Madje Rama ka shprehur "shqetësimin" e tij, duke thënë se i “rrënqethet mishi” kur e mendon se mund të ketë rindalesë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Mua më rrëqethet mishi kur mendoj që mund të ketë rindalesë në procesin e liberalizimit të vizave, në anën tjetër, nuk duhet të rrijmë, ta kërkojmë të presidenti i Francës, duhet ta kërkojme të vetja, ta bëjmë ne, ta bëjë Kosova paqen, pjesën e vetë, t’ia lë Serbinë në dorë BE-së e ShBA-së që të merren me të.” – u shpreh ai.

E në lidhje me këto zhvillim e e deklarata për gazetën “Bota sot” ka folur publicisti Milaim Nela, i cili shfaqi dilemën nëse kryeministri shqiptar është mbrojtës i interesit shqiptar apo siç e quajti “bedel” i Vuçiçit?

Nga ana tjetër ai është shprehur se nuk ndjehet i befasuar nga qëndrimet e presidentit të Francës e cila tradicionalisht ka qenë aleate e Serbisë.

Image
Milaim Nela

Duke ndjekur në retrospektivë ngjarjet e ditës së djeshme në Tiranë faqet e mediave vizuale qenkan mbuluar nga deklarata e presidentit francez Macron në lidhje me pezullimin e mundshëm të vizave të shtetasve Kosovarë në hapësirën Schengen.

Në fakt çfarëdo që të thotë Makron unë nuk befasohem pasi ai është i pari i një shteti që me përjashtime të vogla ka qenë tradicionalisht aleat i Serbisë dhe kundër interesave shqiptare.

Vizita e parë e një presidenti Francez në Shqipëri ka lënë një shije shumë të keqe të paktën nder ne shqiptarët”, ka deklaruar Nela.

Ai është shprehur se kjo vizitë në vend që të ishte sinjal i ngritjes së marrëdhënieve mes dy vendeve në një nivel tjetër, u shfrytëzua poshtërsisht nga Kryeministri i Shqipërisë për të goditur Kosovën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve për llogari të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiçit.

Edi Rama as të hënën në të ashtuquajturin samit të BE-së në Tiranë ndryshe nga Kancelari Scholz nuk foli asnjë fjalë për agresionin Serb në veri të Kosovës. Ai jo vetëm nuk mbrojti interesat shqiptare që e ka detyrim kushtetues, por indirekt u bë avokati apo bedeli siç ka qejf ta quajë ai i presidentit Serb që kishte vendosur ti bëjë karshillëk Bashkimit Evropian dhe procesit nga Kina ku u takua edhe me Vladimir Putinin.

Mesazh dhe karshillëk më të qartë nuk ka.

Rama i mëshon "neutralitetit diplomatik" dhe nuk lë rast pa goditur Kosovën dhe Kryeministrin e saj”, ka potencuar Nela.

Sipas tij, Ramës nuk i mjaftoi arsenali i tij kundër Kosovës, por ashtu siç bëri me presidentin Amerikan në pension Bill Clinton përdori poshtërsisht edhe presidentin francez kundër Kosovës dhe në mbështetje të presidentit Serb kur ky i fundit gjendet në pozitë tejet të vështirë politike e diplomatike pas agresionit të dështuar ushtarak në Zveçan të Kosovës.

Përveç shantazhit apo kërcënimit për pezullimin e vizave për qytetarët e Kosovës presidenti Francez tha edhe një gjë shumë të rëndë kundër shtetësisë së Kosovës.

Ai përsëriti disa herë kërkesën që "Kosova të pranojë Asociacionin" e jo Kosova të krijojë asociacionin gjë të cilën e kanë kërkuar edhe Amerikanët deri më datën 24 Shtator 2023.

Kjo nënkupton që Kosova të legalizojë Asociacionin ashtu siç e pat pranuar Hashim Thaçi e Isa Mustafa pra atë asociacion që hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, ka theksuar Nela.

Pra, sipas publicistit edhe Rama edhe Macron nga Tirana u përpoqën fort të rehabilitojnë Vuçiçin vetëm pak ditë kur pritet të ndërmerren sanksione kundër Serbisë nga institucionet e Bashkimit Europian.

Kosova është përbuzur dhe shantazhuar poshtërsisht vazhdimisht duke përdorur rrëgjimin e vizave për ti falur 8000 hektarë tokë Malit të Zi siç ndodhi me qeverinë Haradinaj i cili ra pre e këtij premtimi duke falur tokë Kosove.

Heqja e vizave është përdorur në mënyrë të poshtër për shantazhimin e qeveritarëve të Kosovës në vazhdimësi dhe kjo duket se është përdorur edhe me Albin Kurtin por duket se kjo ju ka hasur në gozhdë e nuk po gjejnë mënyrë si ta gjunjëzojnë!

Në këtë optikë e kam parë edhe qëndrimin e presidentit Makron në Tiranë”, ka nënvizuar Nela.

Po ashtu, ai tha se është e turpshme dhe e pabesë kjo që përpiqen të bëjnë një pjesë e zyrtarëve perëndimorë me Kosovën dhe shtetësinë e saj të cilën ata ja kanë njohur vetë!

Kjo politikë e kërbaçit ndaj viktimës dhe karotës ndaj xhelatit duhet të marrë fund sa më shpejt.

Edi Rama nga ana tjetër ka hequr çdo maskë kur vjen puna për të mbrojtur interesat serbe në Kosovë e më gjerë, dhe këtë e ka bërë në mënyrë konsistente të paktën që nga deklarata e famshme në Beograd në vitin 2014.

Ka vazhduar me minishengenin ballkanik, me Ballkanin e Hapur, më fjalimet dhe intervistat në Europë në mbrojtje të hapur ndaj Vuçiçit e deri dje kur nuk lejoi ti jepet përgjigje një gazetareje shqiptare me pretekstin se ajo nuk e bëri pyetjen në gjuhë angleze.

Edi Rama dje injoroi gjuhën e tij amtare të cilën ja detyron protokolli shetëror dhe flamuri kombëtar.

Rama ka arritur deri atje sa të keqpërdorë përkthyesit zyrtarë duke i detyruar ata që deklaratat e personaliteteve të huaja ti jepen publikut ashtu siç i interesojnë atij dhe axhendave të tij antishqiptare”, shtoi Nela.

Analisti u morr edhe me ata që po e “shfajësojnë” Ramën duke i cilësuar deklaratat e tij si naive dhe egoiste, duke thënë se është koha që të reagohet me qëndrime të prera ndaj tij.

Po vërej fatkeqësisht që edhe analistë seriozë dhe politologë po përpiqen që të ja zhveshin Edi Rames kostumin e antishqiptarit dhe ta konsiderojnë ligjërimin e tij thjesht naiv dhe për interesa vetëm egoiste personale.

Ka ardhur koha që elita politike shqiptare e Kosovës si në qeverisje dhe opozitë ta lënë dashamirësinë ndaj shtetit amë e të mbajnë një qëndrim të fortë, të prerë e pa dorashka ndaj Edi Ramës.

Edi Rama duhet të shpallet rrezik kombëtar për shtetin e Kosovës e në raport me këtë të fundit duhet të trajtohet njëlloj dhe pa asnjë ndryshim me Aleksander Vuçiçin.

Edi Ramës duhet ti ndalohet të shkelë territorin e Kosovës si rrezik serioz i integritetit territorial dhe sigurisë shtetërore të saj.

Edi Rama në terma praktikë nuk është kryeministër i Shqipërisë por i ngarkuar me punë të zeza të Serbisë në Tiranë.

Ai ka dhënë kaq shumë prova për këtë e nuk besoj se keni nevojë të prisni për prapësinë e radhës!”, ka përfunduar Nela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat