Kush i ndihmoi terroristët serbë të hynin në Kosovë? AKI-së i bëhet thirrje të ndërmarrë veprime konkrete për zbardhjen e rastit

Politika

Kush i ndihmoi terroristët serbë të hynin në Kosovë? AKI-së i bëhet thirrje të ndërmarrë veprime konkrete për zbardhjen e rastit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 tetor 2023 Në ora: 20:11
Terroristet

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vijojnë të jenë të “larta”.

Pas gjithë atyre provave dhe fakteve të paraqitura nga Kosova, se Serbia qëndron pas sulmit në Banjskë, ku mbet i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, shteti serb akoma nuk është dënuar apo sanksionuar.

Madje, edhe Millan Radoiçiq është liruar menjëherë nga organet e Serbisë edhe pse e kishte pranuar se ka qenë pjesë e sulmit terrorist.

Por, si u përgatitën terroristët serbë brenda Kosovës me arsenal armatimesh dhe kush mund t’i ketë ndihmuar ata brenda për brenda shtetit tonë dhe a duhen bërë hetime edhe brenda shtetit tonë?

Shala: Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime konkrete

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se tashmë procesi po merr epilog, madje shton se edhe lirimi i Radoiçiqit dëshmon që ndikimi i tij brenda sistemit shtetëror të Serbisë është i pakontestueshëm dhe që mbërrin deri te Aleksandër Vuçiqi dhe klani i Zemunit.

“Procesi është duke marrë epilogun i cili është ditur që në fillim nga aktivizimi i organeve të ndjekjes në Beograd, duke arsyetuar çdo veprim të grupit terrorist ushtarak si veprim të ndërmarrë vetëm te pjesa e posedimit të armatimit e assesi te elementi kryesor, që është veprimi diverzant terrorist në territorin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Lirimi me masa të sigurisë (që janë qesharake) dëshmon që influenca e Radoiçiqit brenda sistemit shtetëror është e pakontestueshme dhe që mbërrin deri te Aleksandër Vuçiqi dhe klani i Zemunit përmes veprimeve kriminale që i ka shërbyer në vazhdimësi këtij projeksioni.

Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime konkrete që rikthimi i tij në një format tjetër të jetë i pa kontestueshëm prandaj duhet të ndërmarrim veprime edhe të ndjekjes ndërkombëtare”, thotë ai.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Sipas tij, KFOR tani është duke “pastruar” dëmet kolaterale që janë shkaktuar nga mos koordinimi me dy palët.

“Deklarimet tani nga COMKFOR në largim nuk i shoh më substancë, për arsye që sulmet deklarative që janë bërë në drejtim të KFOR-it nga qeveria (MPB) ishin me mesazh të qartë të zhvillimeve të fundit të mos veprimit të tyre konfrom situatës.

KFOR tani është duke "pastruar" dëmet kolaterale që janë shkaktuar nga mos koordinimi me dy palët në proces duke mbajtur vetëm kontakte sistematike me palën serbe e herë pas herë me Prishtinën zyrtare dhe nga ky sulm tani gjërat do të duhej të jenë më të qarta”, përfundon ai për “Bota sot”.

Elezi: Pa dyshim se aktivitetet terroriste mbështeten nga persona ose grupe brenda një shteti

Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, për “Bota sot” ka thënë se shqetësimet e tilla i kemi ngritur që institucionet, sidomos Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, të zbulojnë agjentët të cilët janë të infiltruar në institucionet eventuale.

“Në vazhdimësi kemi ngritur shqetësimet sa i përket grupeve apo personave në Kosovë që punojnë apo veprojnë qoftë në institucionet e Kosovës, apo përmes bizneseve apo ndërmarrësisë të cilët mund të mbështesin strukturat e sigurisë së Serbisë, shërbimet serbo-ruse, për të ushtruar aktivitetet e tyre me qëllim rekrutimin ose sigurimin e armëve dhe më pas përdorimin e tyre, siç ishte rasti i fundit i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Në fakt, këto shqetësime ne i kemi ngritur dhe kemi kërkuar që institucionet tona në zbatim të ligjit të arrijnë që të zbulojnë, sidomos Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e cila ka për detyrë primare zbulimin e agjentëve të cilët janë të infiltruar në institucionet eventuale, sidomos në ato të sigurisë dhe të nxirren para drejtësisë, sipas ligjit për spinuazh dhe me ligjet e tjera për krimet e rënda siç është terrorizmi”, shprehet ai.

Image
Bedri Elezi

Sipas tij, edhe në bazë të deklarimeve të krerëve të shtetit, duhet të bëhen hulumtime për të siguruar informacione rreth atyre grupeve ose personave.

“Deri më tani ka pasë deklarime edhe nga krerët e shtetit madje edhe nga ndërkombëtarët se ekziston dyshimi i bazuar se në territorin e Kosovës ka agjentë dhe bashkëpunëtorë të tyre të cilët kryejnë detyra spiunazhi për qëllim të organizimit të aktiviteteve terroriste. Prandaj, institucionet tona në bazë të zbatimit të ligjit kanë obligim ligjor, sidomos AKI-ja për të realizuar hulumtime në kohë reale dhe për të siguruar informacione të nevojshme me të cilat do të kishte punuar Policia e Kosovës për të nxjerrë para drejtësisë personat apo grupet të cilët janë pjesë e këtyre grupeve terroriste.

Në Kodin Penal të Kosovës është mirë e hartuar çështja penale apo ndjekja e këtyre personave apo grupeve, meqenëse në Kosovë nuk e di se është dënuar ndonjë rast aktivitet spiunazhi, kur në anën tjetër kemi pas deklarime nga krerët e shteti për aktivitete spiunazhi. Është jo normal, që të kemi kaq shumë deklarime për dyshime për aktivitete spiunazhi, dhe në anën tjetër të mos ketë asnjë të arrestuar, as të dënuar për këto çështje. Ka pasur vetëm inciativa të Policisë së Kosovës për të parandaluar persona të cilët dyshohet se kishin ardhur për aktivitet të dyshimta”, shprehet ai.

Në fund, ai deklaron se aktivitetet terroriste mbështeten nga persona ose grupe brenda një shteti.

“Pa dyshim se aktivitetet terroriste mbështeten nga persona ose grupe brenda një shteti për të ndihmuar realizimin e tyre, në të kundërtën do të jenë të pamundshme. Në rastin konkret ne mund të themi se kemi një efikasitet të ulët për mos të thënë të dobët për faktin që thamë se nuk kemi të arrestuar, por që mund të marrim rastin e 24 shtatorit si një rast i veçantë për të konstatuar që eventualisht këto grupe terroriste të cilat kryen ato vepra të rënda, janë mbështetur eventualisht nga shërbimet sekrete ku punojnë persona për shërbime sekret në Kosovë, andaj është alarmi seriozisht për të vepruar për gjetjen dhe arrestimin e personave të cilët janë pjesë e shërbimeve sekret të huaja dhe merren me spiunazh në territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat