“Vonesa për ndëshkim ndaj Serbisë për 24 shtatorin”/ Vjen thirrja urgjente për SHBA-në dhe BE-në, kërkohet kjo gjë!

Politika

“Vonesa për ndëshkim ndaj Serbisë për 24 shtatorin”/ Vjen thirrja urgjente për SHBA-në dhe BE-në, kërkohet kjo gjë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 tetor 2023 Në ora: 16:07
Pamje nga veriu - Manastiri i Banjskës

Tensioni ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga sulmi i fundit terrorist në veri të vendit po vazhdojnë të jetë prezente.

Një ndëshkim ndaj Serbisë nga ndërkombëtarët po kërkohet me ngulm nga Kosova dhe një pjesë e deputetëve të Parlamentit Evropian, po ashtu edhe nga shoqëria civile, por një gjë e tillë nuk po ndodhë ende.

Të pakënaqur me këtë situatë janë shprehur së fundmi edhe pozita e opozita e Kosovës, duke kërkuar ndëshkim ndaj Serbisë për aktin terrorist të 24 shtatorit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës njëzëri e quajnë të vonshëm reagimin e BE-së për të vënë sanksione ndaj Serbisë, e cila qëndron prapa agresionit ndaj Kosovës më 24 shtator.

Ndërkohë, se masat ndaj Serbisë janë hartuar e ka thënë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Deputetët kërkojnë pa vonesë vendimin e BE-së për sanksione ndaj Serbisë, duke përmendur kështu faktet dhe provat e publikuar nga institucionet e Kosovës.

“Me gjitha faktet që tashmë janë, BE dhe të gjitha vendet anëtare të saj duhet ta dënojnë Serbinë, për financim të terrorizmit dhe destabilizmin e Ballkanit Perëndimor”, shprehet Agon Batusha deputet i LVV-së.

Edhe në PDK, LDK e AAK thonë se Qeveria e Kosovës duhet të nisë një ofensivë diplomatike për t`i bindur aleatët perëndimorë që të ndëshkojnë Serbinë për sulmin e 24 shtatorit. Ata po ashtu thonë se është koha që BE të mbajë qëndrim të balancuar për të dyja vendet.

Kujtojmë që, katër ditë pas ngjarjeve në Bansjkë, me 97 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën që dënon sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vdekur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku

Burjani: Masat ndëshkuese ndaj Serbisë duhet të vendosen

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai u shpreh se sanksionet ndaj Serbisë po presin pëlqimin nga SHBA-të e pastaj të pasojnë nga BE.

“Ende nuk ka ndonjë raport verifikues ndërkombëtar , pa pasur një verifikim detal nuk do të ketë vendim nga BE dhe SHBA. Kam një përshtypje se pritet së pari pëlqim nga SHBA apo sanksionet të nisen nga SHBA pastaj pasojnë nga BE”, u shpreh ai.

Image
Blerim Burjani

Juristi më tej thekson që nuk është vonë për këto sanksione ndaj Serbisë.

“Masat të cilat duhet të vendosen ndaj Serbisë, vonë nuk është për vendosjen e atyre mirëpo ajo nuk vendosen pa verifikim të asaj çfarë ka ndodhë në Banjskë”, nënvizoi Burjani për “Bota sot”.

Duhanaj: Më e pakta që do duhej të pritej nga BE, është që ta sanksionojë Serbinë

Ndërsa analisti politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që nuk mund të pritet nga BE të sanksionoj Serbinë pasi që ndërkombëtarët e din që serbët janë të vetmit që kanë destabilizuar gjithmonë vendin.

“Më e pakta që do duhej të pritej nga BE, është që ta sanksionojë Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë. Nëse analizojmë zhvillimet dyvjeçare, lirisht mund të konstatojmë se Serbia ka qenë akterë kyç në destabilizimin e vendit, e që kulmoi me sulmin terrorist. Asgjë nuk bëjnë strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, pa bekimin dhe mbështetjen e Vuçiq”, thotë ai.

Image
Leon Duhanaj

Analisti më tej potencoi që BE dhe SHBA është vonuar për të ndërmarrin masa dhe se duhet të rishqyrtojnë parimet e dialogut.

“Prandaj, në ketë kontekst, mendoj që BE është e vonuar në marrjen e masave. Po ashtu mendoj që BE dhe SHBA, duhet ta rishqyrtojnë formën e dialogut si të tillë. Nuk mund të kërkosh nga një viktimë e terrorit të ulët në tavolinë bisedimesh thua që s’ka ndodhur asgjë. Ndërkombëtarët, duhet t'i rishqyrtojë parimet e dialogut, duke vendosur kritere të qarta dhe të matshme rreth pritshmërive në dialog”, nënvizoi analisti.

Në fund, ai përmend disa nga kërkesat që Kosova duhet të i ketë.

“Për mendimin tim Kosova duhet të dalë me kërkesa, si:

1. Nga BE të kërkoj njohje ga 5-ja e BE-së.

2.Perspektivë të qartë evropiane.

3. Anëtarësim në Këshillin e Evropës.

5.Partneritet dhe anëtarësim në NATO, si masë garantuese për siguri nga agresioni serb”, përmbylli Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat