Serbia me bazë të re ushtarake afër kufirit me Kosovën, alarm për akte të tjera terroriste? Kjo duhet të jetë kundërpërgjigjja

Politika

Serbia me bazë të re ushtarake afër kufirit me Kosovën, alarm për akte të tjera terroriste? Kjo duhet të jetë kundërpërgjigjja

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 4 tetor 2023 Në ora: 10:00
Foto ilustrim

Në Kosovë situata po vlerësohet e qetë, por me deklarime e thirrje kundër një rreziku më të madh për sulme nga Serbia.

Më 24 shtator nga terroristët serbë u vra rreshteri Afrim Bunajku e u plagos polici Alban Rashiti. 

Se Serbia qëndron pas këtij sulmi, u dëshmua me fakte, video, foto e dokumente, të cilat i kanë publikuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Ajo që disa ditë më pas konsiderohet edhe më alarmuese, është vendosja e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën dhe për këtë reagoi edhe administrata Biden, që kërkoi largimin e menjëhershëm të ushtrisë. Vuçiq hyri në zbatim të urdhrit.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë mundur ta vërtetojnë se Serbia i ka tërhequr trupat dhe mjetet ushtarake nga kufiri me Kosovën, tha të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller.

Ai theksoi se Uashingtoni vazhdon të jetë i shqetësuar për rritjen e vazhdueshme të tensioneve dhe dhunës së herëpashershme në veri të Kosovës.

Po ditën e hënë, kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë(AKI) para mediave konfirmoi se Serbia është duke ndërtuar një bazë ushtarake në afërsi me kufirin e Kosovës.

“Janë vërejtur ushtri në kufi, është konfirmuar se në zonën e njohur e Izvorit, po ndërtohet një bazë ushtarake. Pra, kjo po ndërtohet në afërsi me kufirin me Kosovën. Pamjet me dronë kanë konfirmuar këtë. Gjendja e sigurisë është e brishtë dhe e tensionuar, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo provokimi të mundshëm”, deklaroi ajo.

 Lahu: Serbia mund të tentojnë veprime të tipit gueril me qëllim të destabilizimit të pjesës veriore

Image
Vendenis Lahu

Deputeti i VV-së, njëherit anëtarë i komisionit për mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë  Vendenis Lahu në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, Serbia vërtetë po ndërton bazë ushtarake në kufi me Kosovën dhe se përveç kësaj janë edhe 43 baza tjera ushtarake të xhandarmërisë afër kufirit me Kosovë.

“Po është e vërtete se Serbia po ndërton një bazë të re afër kufirit me Kosovën, dhe kjo është në vazhdën e veprimeve armiqësore që Serbia i bën ndaj Kosovës kur e dimë se përveç 43 bazave tjera ushtarake dhe të xhandarmërisë që i ka afër kufirit, edhe veprimet e përditshme që i bën me qëllim të dëmtimit të funksionalitetit të shtetit tonë, qoftë përmes ndikimit të saj dhe financimit e mbështetjes të elementeve kriminale që tashmë kanë marrë edhe një dimension të ri, atë terrorist”. 

Deputeti Lahu, deklaron se një sulm të ngjashëm siç ishte në Banjskë, nuk mund të ndodhë më, por që Serbia mund të tentojë veprime të tipit gueril me qëllim të destabilizimit të pjesës veriore.

“Serbia paraqet çdo herë rrezik, përderisa në krye të saj janë elemente fashiste e shoviniste siç është Vuçiçi, dhe rreziku kryesor mendoj se qëndron në luftën hibride të cilën do të tentojë ta zbatojë në pjesën veriore. Sulm të ngjashëm nuk mendoj se mund të ketë tani, por duke e pasur parasysh gjuhën inflamatore, luftënxitëse e urryese që përdor mund të tentojnë veprime të tipit gueril me qëllim të destabilizimit të pjesës veriore dhe Kosovës në përgjithësi”, përfundon deputeti i VV-së.

Elezaj: Më shqetësuese është vazhdimësia agresive e urrejtjes patologjike si dhe hegjemonia serbe ndaj territorit të Kosovës

Analisti Rexhep Elezaj ka thënë se ndërtimi i një baze ushtarake nuk është e habitshme ose diçka e papritur sepse Serbia ka baza tjera në kufi me Kosovën.

Image
Rexhep Elezaj

Por, sipas Elezajt, ajo që është më shqetësuese urrejtja patologjike dhe hegjemonia serbe ndaj territorit të Kosovës.

“Informacioni i dhënë nga shefi i AKI-së, dhe i publikuar dje nga deputetja Ganimete Musliu, se regjimi kriminal serb i Beogradit po ndërton bazë të re ushtarake në zonën e Izvorit afër kufirit me Kosovën, nuk do duhej të ishte diçka e habitshme, apo e papritur për zyrtarët tanë në Prishtinë, sepse Serbia i ka 24 baza ushtarake afër kufirit me Kosovën, prandaj ngritja edhe e një bazë të re ushtarake, nuk donë të thotë rritje të rrezikut për Kosovën.

Mirëpo, ajo që duhet të na shqetëson si shtet dhe si popull, është vazhdimësia agresive e urrejtjes patologjike si dhe hegjemonia serbe ndaj territorit të Kosovës, e cila, në vend se ta zvogëlonte këtë hasmëri dhe pretendim territorial ndaj veriut të Kosovës për gjatë 23 viteve nga mbarimi i luftës në Kosovë, ku bëri gjenocid dhe masakra ë tmerrshme ndaj 2 milion shqiptarëve, përkundrazi, ajo dhe regjimi neofashistit A. Vuçiq, nuk u lëkund as për një milimetër nga plani dhe skenari hegjemonist për zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së tij, dhe atë, përmes formave dhe metodave mjaft të sofistikuara. Mbase, ndër metodat më të pista ishte keqpërdorimi i dialogut Kosovë-Serbi si një paravan dhe mjet manipulues para faktorëve ndërkombëtarë, për ta mbajtur sa më gjatë të ngrirë procesin negociator si dhe shtet-ndërtimin e Kosovës, siç ishte kampanja diplomatike e kriminelit I. Daçiq, për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, gjoja nga disa vende të Afrikës, dhe jo vetëm kaq, por edhe përmes insistimit neveritës për formimin e “Zajednicës” (bashkësisë) serbe në veri të Kosovës, krejtësisht me qëllim të invazionit ushtarak dhe pushtimit të veriut të Kosovës, siç e tregoi këtë skenari i sulmit terrorist në Banjskë me 24 shtator muajin e kaluar. 

Pra, kishim të bënim me një skenar ushtarak i përgatitur me muaj të tërë në disa kampe ushtarake në Serbi, i mbështetur plotësisht nga kreu i shtetit, A. Vuçiq dhe ushtria e tij kriminale, plan dhe skenar ky antishqiptar, e që falë Zotit dhe informatave me kohë të organeve të sigurisë së Kosovës, por edhe të miqve tanë perëndimorë, do dështoi me turp, por me humbjen e rreshterit të policisë tonë, tanimë heroit, Afrim Bunjaku”, shprehet analisti.

Derisa, për mundësinë për një sulm tjetër nga Serbia, Elezaj deklaron nuk këtë gjë Vuçiq as nuk guxon ta mendojë, sepse nëse ndodh një gjë e tillë, automatikisht hynë në luftë me NATO-n.

Tutje, ai shton se ekspertët ushtarakë të NATO-s, kanë deklaruar se nëse Serbia tenton një  gjë të tillë, atëherë ajo vetëm për pak orë do të rrafshohej nga faqja e dheut, dhe kjo do të ndodhë sa herë që Serbia i hynë një aventure të tillë ushtarake.

“Në pyetjen tuaj, se a po përgatit regjimi kriminal i Serbisë në krye me fashistin A. Vuçiq, ndonjë sulm të ri ndaj Kosovës, mendoj se një hap të tillë as që guxon ta mendojë, e lëre më që ta zbatojë A. Vuçiq, për faktin, se çdo sulm eventual i Serbisë ndaj Kosovës, nënkupton luftë direkte me NATO-n, gjë të cilën regjimi kriminal i Serbisë nuk asnjë shans që ta bëjë. Ngase, në një rast të tillë hipotetik, siç kanë deklaruar ekspert ushtarak të NATO-s, Serbia për vetëm pak orë do të rrafshohej nga faqja e dheut, dhe kjo do të ndodhë sa herë që Serbia i hynë një aventure të tillë ushtarake, ani pse regjimi pro-rus i Serbisë e dinë fare mirë, se hapja e një lufte dhe konflikti të ri në Ballkan do t’i shkonte në favor kriminelit Putin, i cili me çdo kusht përmes Serbisë dhe kriminelit M. Dodik po tenton që ta ndezë luftën në Kosovë, nga e cila Rusia do kishte përfitime të mëdha ushtarake si dhe strategjike në Evropë. Andaj, unë nuk besoj se një skenar i tillë i rrezikshëm serbo-rus për Ballkanin do mund të ndodhë në Kosovë dhe më gjerë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat