Shqetësuese për Kosovën deklarata e Makronit - Serbia kërcënoi edhe Malin e Zi e Maqedoninë, por s’u ndëshkua nga BE!

Politika

Shqetësuese për Kosovën deklarata e Makronit - Serbia kërcënoi edhe Malin e Zi e Maqedoninë, por s’u ndëshkua nga BE!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 28 gusht 2023 Në ora: 22:53
Aleksander Vuçiq, Emannuel Macron, Olaf Scholz, Albin Kurti

Kosova dhe Serbia ka muaj të tërë që nuk janë takuar në kuadër të dialogut në Bruksel.

Retorika serbe, tashmë ka dekada që është e njëjtë, shantazhe, kërcëime por edhe moszbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat janë arritur në bisedimet e Brukselit.

Edhe pse Serbia vazhdon me këtë retorikë, nga ndërkombëtarët mbetet e pandëshkuar.

Është Kosova që për çdo gjë kritikohet, sanksionohet madje edhe kërcënohet, sikurse që ndodhi sot nga presidenti francez.

Emanuel Makron deklaroi sot se, çështja e vizave për Kosovën do të rishikohet nëse palët nuk sillen me përgjegjësi.

E kjo deklaratë është mjaftë shqetësuese për Kosovën, vlerëson analisti politik Gazmir Raci.

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, fatkeqësisht Serbia ende nuk është çliruar nga mentaliteti hegjemon.

“Tashmë në Ballkanin perëndimor kemi 6 shtete të cilat janë në rrugëtim drejt anëtarësimit në BE, e disa janë edhe në NATO. Asnjëri shtet nuk mund të jetë peng i Serbisë derisa ajo ka me e ridefinu politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë në raport me Federaten Ruse”, thotë ai.

Raci shton se, Serbia këto jave e ka kërcenuar edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë Veriore dhe nga perëndimi nuk pati asnjë qortim e lëre me masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Nëse Serbia vazhdon kështu ajo është duke i shkelur në mënyrë flagrante kriteret e Kopenhagës për anëtarësim në BE dhe kjo duhet t’i vendoset në raportin e progresit për Serbinë nga ana e Komisionit Evropian”, potencon Raci.

Raci tutje e sheh si shqetësuese deklaratën e Makronit.

Tash sot e kemi edhe një kërcënim që edhe liberalizimi i vizave do të… Tepër shqetësuese. Unë prisja nga presidenti francez dhe kancelari gjerman të angazhoheshin për planin e tyre që e promovuan me pompozitet për përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e për të çuar më tutje avancimin e raporteve ndërshtetërore mes dyja vendeve. Ai del me një deklaratë atje ku thotë që do të mund të ndëshkohen palët. Kjo qasje është e gabuar”, potencon Raci.

Ndryshe, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar të hënën se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Duke folur më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris, Macron tha se nga Kosova dhe Serbia pritet angazhim i qartë në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës në mënyrë paqësore.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron.

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan më 30 nëntor të vitit të kaluar për t'i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Lëvizja pa viza për kosovarët do të mundësohet nga 1 janari i vitit 2024.

Komentet e Macronit vijnë në një kohë kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat