Athina “shuplakë” Ramës, mësohen disa nga arsyet pse ai nuk u ftua në samit

Politika

Athina “shuplakë” Ramës, mësohen disa nga arsyet pse ai nuk u ftua në samit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 gusht 2023 Në ora: 18:05
Liberët ballkanik në Athinë

Të hënën në mbrëmje është mbajtur Samiti në Athinë me liderët e Ballkanit Perëndimor, samit ky i organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Darka ishte zhvilluar në Megaros Maximos dhe në mesin e të pranishmëve ishin edhe Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, si edhe presidenti ukrainas Volodymir Zelensky.

Në fokus të darkës informale ishte zgjerimi dhe e ardhmja evropiane e rajonit, në kuadër të 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor po ashtu edhe të “Deklaratës së Selanikut”.

Pjesëmarrës në darkë ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, presidentja e Moldavisë Maia Sandu, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatovic, kryeministri i Rumanisë Ion-Marcel Ciolacu, presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës Borjana Kristo, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski, kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç.

Në këtë takim mungoi ftesa ndaj kryeministrit Edi Rama. Arsyeja sipas zëdhënësit të qeverisë greke ishte bërë çështja e Fredi Belerit.

Ndërsa, nga ana tjetër presidenti Bajram Begaj refuzoi të marrë pjesë.

Arrestimi i Fredi Belerit për blerje votash ka ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, tha ndër të tjerë në një intervistë të zhvilluar më herët zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis.

Mos pjesëmarrja e Edi Ramës, sipas analistëve nuk i prish punë shqiptarëve. Kjo sepse Rama do ta përdorte këtë event për të bërë shou e për të tërheq vëmendjen e qytetarëve shqiptarë nga skandalet qeveritare. Sipas tyre, diplomacia jo e mirë i ka dhënë Ramës “shuplakë” ndërkombëtare.

Bytyçi: Nuk i takon presidentit të Shqipërisë të legjitimojë akuzat greke kundër kryeministrit të të njëjtit vend

Image
Enver Bytyçi

Profesori dhe doktori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se Begaj e refuzoi ftesën me elegancë, por ai nuk ka shkuar atje për disa arsye.

“Kryeministri i Greqisë, Micoptaqis, sonte shtron në Athinë një darkë informale, në të cilën janë ftuar të gjithë kryetarët e shteteve ose kryeministrat e Evropës Juglindore, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidenti i KE-së, si dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Arsyeja e kësaj darke informale është 20 vjetori i deklaratës së Selanikut, kur u mor për herë të parë angazhimi evropian për integrimet e rajonit tonë në BE! Normalisht Micotaqis duhej të ftonte kryeministrin e Shqipërisë për të marrë pjesë në këtë event. Por, ai preferoi të ftojë presidentin e Republikës. Zoti Begaj e refuzoi me elegancë ftesën, duke thënë se kishte një aktivitet të rëndësishëm në agjendën e tij. Në të vërtetë, edhe sikur të mos kishte agjendë tjetër, presidenti Begaj nuk mund të shkonte në këtë mbrëmje formale në Athinë për disa arsye. Së pari, Shqipëria është republikë parlamentare dhe përfaqësimin ndërkombëtar e bën kryeministri. Presidenti nuk mund të bëhet zëvendës i kryeministrit. Së dyti, arsyeja e mungesës së ftesës është burgosja e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerit. Nuk i takon presidentit të Shqipërisë të legjitimojë akuzat greke kundër kryeministrit të të njëjtit vend, pra të Shqipërisë sa i përket çështjes Beleri. Nëse presidenti ka rezervat e tij, ai mund të mbajë qëndrim në mbrojtje ose jo të të drejtave ose të drejtës qytetare të Belerit, por nuk mund të marrë anën greke në konfliktin midis Ramës dhe Athinës”, u shpreh Bytyçi.

Tujte, duke folur rreth çështjes se pse Rama i ka “ftohur” marrëdhëniet me Athinën, Bytyçi thotë se, burgosja e Belerit u bë në kuadër të gjuetisë së shtrigave.

“Tani të kthehemi te çështja pse zotit Rama iu refuzua pjesëmarrja në darkën informale të Athinës. Është fakt se qeveria greke ketë kohë ka konflikt të hapur me qeverinë e Shqipërisë. Shkaku është burgosja e Fredi Belerit dy ditë para votimeve. Më saktë, sipas mediave greke, shkaku më konkret lidhet me faktin se zoti Rama ia mohoi zotit Beleri të drejtën për të bërë betimin. Sipas pikëpamjes time burgosja e Belerit u bë në kuadër të gjuetisë së shtrigave. I vunë spiunë provokatorë, të cilët e joshën atë në një aferë, gjithnjë sipas policisë. Të tilla vepra provokimi bëjnë vetëm shtetet totalitare, siç ishin sigurimi i shtetit komunist në Shqipëri ose UDB-ja në ish-Jugosllavi. Nga ana tjetër betimi i Belerit është i ligjshëm, por kjo u mohua. Shihni se çfarë po ndodh në SHBA. Ligji e kushtetuta e lejojnë Donald Trump të kandidojë, të zgjidhet dhe të ushtrojë funksionin e presidentit, edhe nëse ai fajësohet dhe dënohet me burg. Në Shqipëri nuk lejohet të bëjë betimin një kryetar bashkie i zgjedhur dhe të cilit nuk i është provuar fajësia në gjykatë. Këtë është shkelje të rëndë e të drejtave të njeriut, sepse deformon gjithashtu vullnetin e zgjedhësve. Janë zgjedhësit ata që duhen respektuar, përveçse e drejta e individit”, thekson Bytyçi.

Ai qëndrimet e Ramës i konsideron arrogante, të papranueshme dhe sipas tij, kushdo ka të drejtë të reagojë.

Tutje, sipas Bytyçit, Beleri u burgos për shkak se në Himarë ai ka interesa të mëdha në prona dhe kërkon ta sundojë atë zonë.

“Në këtë aspekt qëndrimet e zotit Rama janë arrogante, të papranueshme, të kritikueshme Greqia e kushdo ka të drejtë të reagojë. Por ka dhe një problem tjetër. Nëse qeveria greke dhe kryeministri Micotaqis reaguan se u sensibilizuan nga shkeljet e të drejtave të njeriut në Shqipëri, apo se Himarën e trajtojnë si zonë të minoritetit grek. Mendoj se është kjo e dyta. Prandaj qeveria greke në reagimin e saj nuk është parimore, është madje provokuese ndaj sovranitetit politik të Shqipërisë. A e burgosi Rama Belerin për këtë arsye? Absolutisht jo. E burgosi, sepse në Himarë ai ka interesa të mëdha në prona dhe kërkon ta sundojë atë zonë për të pasuruar veten e tij si dhe ortakët përreth. Pra, as Rama nuk niset nga kriteri parimor i mbrojtjes së sovranitetit shtetëror në aventurën e tij kundër Belerit. Dëgjova në TV Klan të Shqipërisë një kronikë, ku kritikohej Albin Kurti pse shkoi në Athinë, ndërkohë që Rama u refuzua aty.

“ Më erdhi keq për televizionin, i cili jo për herë të parë sulmon personalitetet e Kosovës që nuk i binden Edi Ramës. E kundërta do të ishte e dëmshme për Kosovën. Përfaqësimi i Kosovës në këtë event është një rast shumë i mirë për ta promoovuar shtetin, institucionet dhe të drejtën e saj. Aty janë personalitete të shumta. Është dhe Yelensky dhe Kurti ka mundësinë të ndikojë një njohjen e Kosovës nga Ukraina. Por si TV Klan dhe ata dy servilët që dhanë intervistë, duket se janë të ndikuar nga grindjet ballkanike të ditës të Edi Ramës. Përfundimisht dua të konfirmoj se mospjesëmarrja e Shqipërisë dhe kryeministrit të saj, zotit Rama, nuk i prish punë shqiptarëve. Kjo sepse Rama do ta përdorte këtë event për të bërë shou e për të tërheq vëmendjen e qytetarëve shqiptarë nga skandalet qeveritare. Ndërsa pjesëmarrja e Kosovës është jo vetëm një e drejtë, konfirmim i faktit se ajo ka rol të rëndësishëm në rajon, por edhe se ajo ka nevojë për njohje nga ana e Greqisë, Ukrainës etj. Promovimi i kësaj njohjeje është moment me shumë rëndësi për të”, nënvizon Bytyçi.

Fredi Beleri u arrestua që nga maji i këtij muaji, ndërsa më 21 gusht 2023, Gjykata e Posaçme e la në fuqi masën “arrest në burg”, duke mos i dhënë kështu mundësinë që të betohet. Avokati pretendoi pas seancës se Beleri po mbahet në qeli për motive politike dhe me urdhër.

Qëllimet e Greqisë ndaj politikave të saj në jugun e Shqipërisë si prapavijë e ngjarjeve të fundit

Image
Ilir Vata

Kurse, analisti politik Ilir Vata thotë se beteja greke për ta liruar Belerin nuk ka të bëj me personin, por qëllimet e Greqisë ndaj politikave të saj në jug të Shqipërisë.

“Rama është ftohur në të dyja anët..! Çështja e Fredi Bejlerit mori përmasa diplomatike, pasi deputet të Parlamentit grek, Ministria e Jashtme, kryetarë bashkie, vetë kryeministri Micotaqis u interesuan për lirimin nga burgu të Belerit, edhe se po hetohet nga SPAK për krime zgjedhore. Kandidati fitues i opozitës në zgjedhjet vendore për bashkinë Himarë, Fredi Bejleri është një emër i dyshuar në sulmit në postën e Peshkopisë në prill të 1994, ku mbetën të vrarë ushtarakët, Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini, dhe u plagosën tre të tjerë. Përtej këtyre dyshimeve ai ishte një kandidat në zgjedhje që fitoi në Himarë, por që u arrestua nga SPAK për blerje votash. Beteja greke për të liruar Belerin nuk ka të bëjë me personin, por qëllimet e Greqisë ndaj politikave të saj në jugun e Shqipërisë, që herë pas herë shfaqen si politika nacionaliste të së shkuarës duke e bërë herë herë Greqinë për jugun e Shqipërisë, si Serbinë për veriun e Kosovës”, thekson Vata.

Tutje, sipas Vatës, çështja “Beleri” u ndërkombëtarizua në Athinë dhe me darkën e së hënës iu dha shuplakë evropiane Ramës.

“ E para, askush nuk duhet të ndërhyje në sistemin e drejtësisë, qofshin ato edhe diplomat, apo krerë të shteteve të tjera serbe Bejleri është nën hetim, dhe përderisa nuk ka një vendim gjykata aktorët politik duhet të heshtin. Në rrafshin politik, politika greke po hakmerret ndaj Shqipërisë, madje mund të themi se ka gjetur një shkak për të zgjeruar konfliktin e fqinjësisë dhe kjo nuk është e para herë. Greqia, përdori takim joformal të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor për të goditur politikën zyrtare të Tiranës dhe vetë kryeministrin Rama, takim ku do marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të BE-së. Pra, Greqia çështjen Beleri e bëri jo vetëm pikë konflikti, por ndërkombëtarizoi atë duke i dhënë një shuplakë evropiane Ramës, paralajmërim ky që do të kushtëzojë integrimin e Shqipërisë në BE”, shprehet Vata.

Sipas Vatës, diplomacia është treguar e paaftë dhe për këtë ka ftohje të thellë politike.

Ai konsideron se Rama është ftohur edhe nga ana me Greqinë dhe me Kosovën.

“Në këtë konflikt, Rama duhet të kishte urdhëruar diplomacinë që ta zgjodh të problemin në rrugë diplomatike, pa cenuar as drejtësisë, as marrëdhëniet me Greqinë, por si duke diplomacia është treguar e paaftë, dhe çështja Beleri u bë pika e nxehtë për të ftohur marrëdhëniet me Greqinë, pra në kuptimin politik është një hapa pas i qeverisë shqiptare. Pra, jo vetëm është një mesazh diplomatik, por çështja ka kaluar këtë cak, ka çuar në ftohje të thellë politikë, sa Rama përjashtohet nga takimi. Po ta analizosh, është e njëjta paralele me Kosovë, ku Rama anuloi takimin e dy qeverive, në rastin e konfliktit në veri të Kosovës. Pra Rama është ftohur në të dyja anët edhe me Greqinë edhe me Kosovën?! Për sa i përket raporteve ndërmjet shteteve te Ballkanit, politika zyrtare e Tiranës po humbet terren, është jashtë shinave dhe me këtë ecuri rrezikon të prodhojë edhe të tjera incidente diplomatike sepse diplomacia është në nivelin më të ulët se ndonjë herë në Shqipëri? Shqipëria duhet të mbajë qëndrim vëllazëror politik me Kosovën, dhe shtete ku banojnë shqiptarë dhe fqinjësi të mirë me shtetet si Greqia. Fakti se Rama nuk është mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, tregon se ka dështuar në aspektin diplomatik, dhe diplomacinë që ka përdorur në Ballkan”, përfundon Vata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat