Dështimi i turpshëm i Vuçiqit me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës

Politika

Dështimi i turpshëm i Vuçiqit me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 qershor 2023 Në ora: 16:03
Aleksander Vuciq dhe momenti i rrembimit të policeve

Më 26 qershor Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor. 

Të kidnapuarit ishin Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi. 

Policia derisa kishte konfirmuar arrestimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”. 

Arrestimi i tre policëve ka nxitur reagime të shumta në vend, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte. 

Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Ndonëse, janë liruar, aktakuza kundër tyre është e konfirmuar dhe sipas autoriteteve serbe ata do të mbrohen në liri. 

Po ashtu, Serbia nuk i ka ndalur kërcënimet ndaj Kosovës, kurse udhëheqësit e BE-së po e vazhdojnë presionin ndaj kryeministrit Kurti për caktimin e datës së zgjedhjeve në katër komunat veriore.  

Image
Tre policët pas lirimit

Analistët vlerësojnë se në lirimin e tre policëve të Kosovës rol kryesor kishin miqtë amerikanë. 

Elezaj: Duhet pranuar faktin e pamohueshëm, se në lirimin e tyre rol kryesor kanë pasur miqtë tanë amerikan 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj. 

Ai u shpreh se lirimi i policëve është një lajm shumë i gëzueshëm pasi që duke njohur serbët kanë mundur edhe të i maltretojnë. 

“Lirimi i tre policëve tanë, ishte pa dyshim një lajm i gëzueshëm, së pari për familjarët e tyre, por edhe për  krejt Kosovën, familje të cilat çdo ditë jetonin në ankth për fatin e më të dashurve të tyre, kur dihet se regjimi aktual i Serbisë nuk ndryshon shumë nga ai i Millosheviçit në vitet e 90-ta, i cili vrau dhe masakroi mbi 13 mijë shqiptarë, hiç më larg se para 23 viteve. 

Pra, duke e njohur urrejtjen kolektive të serbëve që kanë ndaj shqiptarëve, dhe, atë vetëm pse janë shqiptarë, të gjithë kemi qenë të shqetësuar se regjimi fashist i A. Vuçiqit do t’i torturojë, madje edhe mund t’i vras tre policët tonë në shenjë hakmarrjeje ndaj burgosjes së disa kriminelëve serb në veri nga ana e policisë së Kosovës”, u shpreh ai. 

Image
Rexhep Elezaj

Më tej analisti thekson që presioni nga Amerika ka ndikuar në lirimin e policëve. 

“Mirëpo, duhet pranuar faktin e pamohueshëm, se në lirimin e tyre rol kryesor kanë pasur miqtë tanë amerikan, të cilët për dy javë rresht i kanë bërë presion të madh A. Vuçiqit, që menjëherë t’i lirojë tre policët tanë, duke e kërcënuar atë edhe me sanksione. Por, nuk duhet harruar këtu as kërkesat e përditshme të BE-së si dhe disa shteteve mike të Kosovës drejtuar Beogradit zyrtar, përfshirë dhe kërkesën e mikut të ngushtë të A. Vuçiqit, Viktor Orban, kryeminstrit të Hungarisë, si dhe ultimatumin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, drejtuar “mikut” të tij, se nëse nuk i liron tre policët e Kosovës, do i ngrijë çdo marrëdhënie me Serbinë, deri në lirimin e tyre”, thotë analisti. 

Gjithashtu ai shton që kidnapimi i tyre nga policët kriminelë të Serbisë, ka qenë akt hakmarrjeje ndaj Kosovës për ta përdorur më pas lirimin e tyre si kusht për lirimin e kriminelëve serb në veri. 

“Prandaj, janë të pakuptimta, madje dhe neveritëse lavdërimi i disa oponentëve qeveritarë, se meritat kryesore për lirimin e tre policëve tanë, na i paska Albin Kurti, gjë që kjo nuk qëndron fare, kur dihet se policia jonë javëve të fundit i ka burgosur disa kriminelë serbë në veri, që ishte “shkak” për kidnapimin e tre policëve tanë nga ana e policëve kriminalë të Serbisë në brendi të territorit të Kosovës. Pra, ka kidnapimi i tyre nga policët kriminelë të Serbisë, ka qenë akt hakmarrjeje ndaj Kosovës për ta përdorur më pas lirimin e tyre si kusht për lirimin e kriminelëve serb në veri. 

Mirëpo, për fat ishte aq i madh presioni ndërkombëtar  mbi Beogradin zyrtar dhe A. Vuçiqin që t’i lirojë tre policët tanë, sa që plani i tyre për ta kushtëzuar lirimin e tre policëve tanë me lirimin e kriminelëve serb nga burgjet e Kosovës, u dështoi keq dhe me turp, duke u detyruar që pas dy javësh arresti t’i lirojnë policët tanë”, shpjegon tutje Elezaj. 

Ndër të tjera, ai thotë që tri kërkesat nga ndërkombëtarët për Kosovën tashmë janë publike dhe se duhet të plotësohen. 

“Ndërsa, lidhur me kërkesat e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës, ato për momentin janë të publike, pra bëhet fjalë për tri kërkesa që qeveria e Kosovës duhet t’i plotësojë menjëherë, 1.) largimin e forcave të policisë speciale të Kosovës nga veriu, 2.), largimi i tre kryetarëve shqiptar nga objektet komunale, në objekte alternative, dhe 3.), mbajtja e zgjedhjeve të menjëhershme lokale për katër komunat në veri, në të cilat duhet të marrin pjesë serbët lokalë në veri. 

 Se a do t’i përbush këto kërkesa qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin, kjo gjë mbetet të shihet në ditët dhe javët në vazhdim, përndryshe pasojnë sanksionet e BE-së ndaj Kosovës”, nënvizoi Elezaj për “Bota sot”. 

Ahmeti: Lirimi i policëve të kidnapuar është pritur 

Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që lirimi i policëve është pritur, mirëpo që logjika e Serbisë ndaj Kosovës ka mbetur e njëjtë siç ka qenë më herët. 

“Lirimi i policëve të kidnapuar është pritur, por Serbia me këtë akt ka treguar se akoma vazhdon me logjiken e njëjtë. Serbia nuk ka ndryshuar aspak karshi Kosovës, pasi me çdo kusht mundohet ta paraqes vetëm si viktimë para ndërkombëtarëve, kurse në raport me Kosovën tregon “dhëmbët””, potencon ai. 

Image
Hidajet Ahmeti

Në fund, analisti thotë që Kosova nuk duhet të i nënshtrohet trysnisë ndërkombëtare nëse dëmtohet shtetësia e Kosovës. 

“Ndërkombëtarët po tregohen të njëanshëm, pasi nuk po veprojnë objektivisht, bile në shumë raste po dalin kontradiktor me vetveten. Prandaj, Kosova duhet matur e jo t'i nënshtrohet trysnisë ndërkombëtare në ato raste ku dëmtohet shtetësia e Kosovës”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat