Kurti e propozoi si model Kroacinë/ A është kjo zgjidhja përfundimtare për Asociacionin?

Politika

Kurti e propozoi si model Kroacinë/ A është kjo zgjidhja përfundimtare për Asociacionin?

P.Rudi Nga P.Rudi Më 5 maj 2023 Në ora: 07:59
Kryeministri Albin Kurti

Në takimin në Bruksel me presidentit serb, Aleksandër Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka propozuar një ide të re për Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë. Kurti si model e ka marrë Këshillin e Përbashkët i Komunave Serbe, i cili tubon komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë.

“Vizioni që propozova unë mund të them që është inspiruar nga një marrëveshje që ka bërë Serbia për normalizim. Është marrëveshja mes Serbisë dhe Kroacisë për normalizim. Unë jam inspiruar nga ai model […] Besoj se është modeli i duhur edhe për ne”, deklaroi Kurti, duke e pranuar se e ka dhënë këtë variant si “draft-vizion” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, propozimi i kryeministrit Kurti është një zgjidhje potenciale për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

Image
Gurakuq Kuçi

“Modeli i “Asociacionit Kroat” i propozuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti më 2 maj ofron një zgjidhje potenciale për komunitetin serb në Kosovë. Ai bazohet në respektimin e marrëveshjes politike të Ohrit dhe Kushtetutës së Kosovës, një letër garancie nga ish-përfaqësuesja e BE-së Mogherini dhe qëndrimin e SHBA-së që nuk do ketë asociacion me kompetenca ekzekutive dhe do jetë konform Kushtetutës së Kosovës”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Kuçi thekson se Kurti po synon që t’i ik një asociacioni me kompetenca ekzekutive, ashtu sic po kërkon Serbia.

“Propozimi synon që të shmangë një asociacion me kompetenca ekzekutive duke krijuar një kanal të drejtpërdrejt komunikimi me Qeverinë e Kosovës”, shprehet Kuçi.

Siç thotë ai, ka disa faktorë që mund ta bëjnë të pranueshëm për ndërkombëtarët.

“Së pari, vizioni i Kurtit është i bazuar mbi garancitë e vetë SHBA-së dhe BE-së dhe Kushtetutën e Kosovës. Së dyti, këto garanci që i janë dhënë Kosovës janë bërë të ditura për Serbinë me kohë. Së treti, Kosova ka të drejtë të mbrojtjes së funksionalitetit të saj sipas ligjeve ndërkombëtare dhe është duke prezantuar edhe një vizion ku vetë Serbia e ka pranuar si ai modeli i Serbëve në Kroaci”, deklaron Kuçi.

“Serbia sigurisht dëshiron diçka që mundëson kompetenca ekzekutive mirëpo dyshoj që mund të marrë përkrahje shumë të madhe nga ndërkombëtarët pasi një asociacion me kompetenca ekzekutive e ka kufizuar edhe Gjykata Kushtetuese”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat