"Përshkallëzim në veri"/ Analistët reagojnë pas deklaratës së Borrellit: Zbulojnë qëllimin e tij, a po përkrahet Lista serbe?

Politika

"Përshkallëzim në veri"/ Analistët reagojnë pas deklaratës së Borrellit: Zbulojnë qëllimin e tij, a po përkrahet Lista serbe?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 maj 2023 Në ora: 16:55
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell

Të martën e 2 majit është mbajtur takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. 

Në këtë takim, Kurti dhe Vuçiq miratuan fillimisht deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë. 

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99. 

Në anën tjetër, ata nuk kishin pajtueshmëri për çështjen e Asociacionit dhe themelimit të tij. 

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, përpos tjerash ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës, që sipas tij pas zgjedhjeve mund të përshkallëzojë.  

Gjatë një deklarate për mediat në Bruksel pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Borrell u shpreh se pjesëmarrja e ulët e votuesve tregon se zgjedhjet nuk do të japin zgjidhje afatgjate e që ka potencial për të çuar në përshkallëzim. 

 “Shpreha brengën e madhe sa i përket gjendjes në veri pas zgjedhjeve të fundit me një shkallë të ulët të daljes në zgjedhje. Duke marrë parasysh këtë shkallë, këto zgjedhje nuk është se ofrojnë ndonjë zgjidhje afatgjate. Ndoshta e kundërta, kanë potencial që të çojnë drejt përshkallëzimit dhe për të minuar implementimin e marrëveshjes së Ohrit dhe kjo nuk është ajo që duam. Askush të mos e dojë këtë, është megjithatë rrezik i madh. Kam inkurajuar palët të gjejnë zgjidhje që u mundëson serbëve të kthehen në institucionet që i kanë braktisur”, nënvizoi Borrell. 

Kurse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për zgjedhjet e 23 prillit të mbajtura në veri ku dalja ishte e ulët. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se kjo mund të prodhojë më shumë krizë në të ardhmen. 

Kurti tha se bojkotimi i zgjedhjeve dhe institucioneve nga Lista Serbe është gabim që nuk duhet ta paguajnë qytetarët. 

“Natyrisht që mua nuk më vjen mirë që dalja në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e Kosovës ishte dalje e ulët. Mirëpo ciklet elektorale nuk janë vetëm të drejta për qytetarët por edhe shtetërore. Ne i shtymë një herë zgjedhjet, nuk mundëm më. Kemi katër kryetarë atje. E kuptoj se nuk janë kryetarë në kuptimin e plotë të fjalës, por kemi legalitet atje. Qytetarët nuk mund të mos kenë kryetar të komunës. Do të dëshiroja që të ketë rrethana të tjera e të mos kemi dalje të ulët, por kjo vjen si pasojë e braktisjes së Listës Serbe me urdhra të Beogradit.  Me fjalë të tjera, LS ka gabuar, por nuk mund ta paguajnë këtë gabim qytetarët e Kosovës. Është dashur të marrin hapa tjerë e të mos bojkotojnë. Sido që të jetë, kemi kryetarët. Kam dhënë instruksione që të mos ketë kurrfarë triumfalizmi pas këtyre zgjedhjeve dhe të ketë gjithpërfshirje”, tha ai. 

Burjani: Normal që Borell e do dobësimin sa më të madh të shtetit të Kosovës dhe të përkrah aleatin saj Serbinë 

Image
Blerim Burjani

Duke komentuar deklaratën e shefit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, analistët ndajnë qëndrime të ndryshme. 

Sipas analistit politik, Blerim Burjani, përshkallëzim mund të ketë dhe nuk do koment. 

Burjani thotë se Borrell po tenton të tregojë tërë kohën që nuk e sheh Kosovën si shtet. 

“Shkallëzim do të ketë kjo nuk do koment, sepse Serbia po trimërohet nga Borelli. Kjo deklaratë nuk është e vetme e këtij lloji i tij, ka pas edhe më herët deklarime. Pra Serbia po trajtohet jo rrallë si e ledhatuar për arsye që janë të rreme. Trimërimi i Serbisë që po ndodh prej kur Borell është shef i jashtëm i BE po tenton të tregojë tërë kohën që nuk e sheh Kosovën shtet pasi që ai ishte kundërshtues i madh i Kosovës. Dikur, BE ishte dashur të ketë një shef të jashtëm nga shtetet themeluese të BE-së. Normal që Borell e do dobësimin sa më të madh të shtetit të Kosovës dhe të përkrah aleatin saj Serbinë pasi që ai vjen nga Spanja edhe që ende nuk e njeh pasaportën e Kosovës. Ne presim që ai të mos veprojë në suaza të politikës spanjolle, por të jetë neutral, sjellje neutrale i bën nder BE-së”, deklaron Burjani. 

Haziri: Në ditët e ardhshme do të shohim sfidat e shumta që do t'i kenë institucionet e reja lokale 

Kurse, analisti Nexhat Haziri, shprehet se me këtë deklaratë të Borrellit, ai nuk ka ndihmuar apo përkrahur bojkotin e Listës Serbe. 

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, në ditët e ardhshme do të shihen sfidat e institucioneve lokale në katër komunat në veri. 

“Nuk mendoj se Borell me këtë deklaratë ka ndihmuar apo përkrahur bojkotin e Listës Serbe, por mendoj se është një deklaratë mbi situatën politike dhe të sigurisë atje, pra në veriun e vendit tonë. Është thënë edhe nga të tjerët se institucionet që kanë dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, janë ligjërisht legale, por pa një legjitimitet politik e qytetar për shkak të numrit të vogël të qytetarëve që kanë marrë pjesë në këto votime.  

Dhe rrjedhimisht duke pasur parasysh specifikat që janë në komunat e veriut të vendit, që banohen me shumicë nga serbët e Kosovës, institucionet e reja lokale atje e kanë shumë të vështire për të ndikuar në shumë probleme që janë prezente atje e që janë po  ashtu politike. Dhe ne në ditët e ardhshme do të shohim sfidat e shumta që do t'i kenë institucionet e reja lokale atje për ta funksionalizuar qeverisjen e tyre, edhe për shkak të pengesave që vijnë nga strukturat paralele serbe që është e njohur se financohet dhe mirëmbahen nga Serbia”, deklaron Haziri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat