Tri arsye pse nuk e përkujtoi masakrën e Reçakut- “Rama i kapur rëndë nga Vuçiqi për t’ia shitur Shqipërinë e Kosovën Serbisë?”

Politika

Tri arsye pse nuk e përkujtoi masakrën e Reçakut- “Rama i kapur rëndë nga Vuçiqi për t’ia shitur Shqipërinë e Kosovën Serbisë?”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 janar 2023 Në ora: 20:18
Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

“Masakra e Reçakut” njihet si një ndër masakrat më tmerruese nga lufta dhe gjenocidi që Serbia ushtroi në Kosovë.

Masakrimi i 45 shqiptarëve nga Kosova në fshatin Reçak, më 15 janar 1999, u krye nga forcat policore ushtarake dhe paraushtarake serbe.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasador i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes dhe u tmerrua.

Ai deklaroi “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time."

Masakra e Reçakut ndikoi te opinioni ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe hapi rrugën e bombardimeve të NATO-s  mbi saqet serbe.

Serbia vazhdon ta mohojë këtë masakër dhe krimet e saj.

Përvjetori i kësaj masakre në 24 vjetorin e saj, mblodhi qindra familjarë, qytetarë e njerëz të politikës.

Në secilin përvjetor ambasadori William Walker, shkon në Reçak dhe kujton masakrën, ndërsa nuk mungojnë as krerët e shtetit dhe ambasadorët e vendeve mike.

Ndryshe nga të tjerët këtë vit masakrën e Reçakut nuk e kujtoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjersa, para tri vitesh Rama i kërkonte llogari Vuçiqit për masakrën, tani nuk e bëri një gjë të tillë.

Rama mbështetës i Kosovës apo i Serbisë?

Analistët ndajnë mendime të ndryshme sa i përket mos reagimit të tij. Nga Kosova thonë se mos reagimi i tij është përkrahje ndaj kriminelit vrastar, Aleksandër Vuçiq dhe kësisoj heshtja e tij është aleancë kundër kryeministrit Albin Kurti.

Në anën tjetër, nga Shqipëria thonë se nuk është tradhtar i Kosovës dhe se heshtja e tij është përgatitje për diçka më të madhe ndaj shtetit të Kosovës.

Analisti politik në Shqipëri, Ilir Vata, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Rama mbetet një mbështetës i çështjes së Kosovës.

Image
Ilir Vata

“Rama nuk është tradhtar i Kosovës, por mes tradhtarësh. Masakra e Reçakut është një dëshmi e qartë e krimeve monstruoze që Serbia ka bërë në Kosovë, madje akti i parë ndërkombëtar që provoi se Serbia ushtroi gjenocid ndaj popullatës së Kosovës. Kjo provë është pranuar jo vetëm nga shqiptarët, por dhe një botë e tërë, se masakra e Reçkaut ishte prova jetësore për të dënuar Serbinë, madje akti i parë juridik i të provuarit të gjenocidit dhe bëri që NATO të ndërhyjë ushtarakisht. Dhe ja ku jemi, Kosova e Pavarur, së shpejti me liberalizim vizash e së shpejti në Evropë, një rrugëtim euroatlantik i pandalshëm. Në këtë kuptim, lideri i mazhorancës në Shqipëri Edi Rama mbetet një mbështetës i çështjes së Kosovës, përtej qëllimeve të një pjese që kërkojnë të bëjnë armiq mes shqiptarëve”, deklaron Vata.

Sipas tij, Tirana ka përparuar në raport me sigurinë në rajon në mbështetje të Kosovës, derisa thekson se masakrën e Reçakut e ka përkujtuar kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së.

“Politika e ndjekur nga Tirana zyrtare nën drejtimin e Edi Ramës ka bërë shumë përpara në raport më sigurinë në rajon e kryesish në mbështetje të Kosovës. Ditën e masakrës së Reçkaut kryetari i grupit të PS-së që drejton Rama dhe një sërë figurash të njohura kanë nderuar me dhimbje këtë masakër, pra nuk ka të bëjë me heshtjen për një çast të Ramës. E rëndësishme është se politika e Shqipërisë është në një paralele me të Kosovës e mbështetur nga BE dhe NATO. Në këtë kontest edhe tradhtari më i madh nuk do të devijonte nga shinat euro-atlantike dhe Rama është një prej tyre”, thekson Vata.

Sipas tij, Rama ka heshtur për një çast për Reçakun, por do të flasë së shpejti për një gjë edhe më të madhe në lidhje me Kosovën.

“Ka përpjekje të vazhdueshme me e futë dasinë mes liderëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe qëllimet janë të këqija, që ushqehen nga Serbia e më keq akoma nga Rusia që vazhdon të mbjellë dasi dhe konflikt. Rama vazhdon të përsërisë që dialogu me njohje reciproke është zgjidhja, dhe pa njohur Kosovën nuk ka integrim të rajonit. Këtë thotë BE dhe SHBA. Pra unë nuk e shoh Ramën tradhtar, por i rrethuar me tradhtarë të çështjes së shqiptarëve dhe vetë Kosovës. Që në fillim të mandatit tha nga Beogradi, Kosova e Pavarur..?! Rama është lideri rajonal më pro perëndimor dhe garancia e stabilitet të shqiptarëve dhe të rajonit. Shqipëria luan rol kryesor në këtë çështje dhe Rama gëzon gjithë mbështetjen dhe vazhdon ta mbështesë Kosovën. Shumë politikanë primitivë nuk e lexojnë Ramën. Nëse ka heshtur për një çast për Reçakun, do të flasë së shpejti për një gjë edhe më të madhe në lidhje me Kosovën, njohjen e saj nga Serbia”, shprehet Vata.

Aleanca Rama Vuçiq, arsye e heshtjes?

Ndryshe nga Vata, analisti politik Sulejman Mehazi, thotë se simbolika e mos reagimit të Ramës e ka kuptimin e përkrahjes së kriminelëve vrastarë të vëllait ideologjik të tij, presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit.

Image
Sulejman Mehazi

 

“Simbolika e mos reagimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, me rastin e masakrave serbe të Reçakut e ka kuptimin e përkrahjes së kriminelëve vrastarë të vëllait ideologjik të tij presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiqit. Heshtja e Edi Ramës me rastin e viktimave të Reçakut shpreh humanizmin e tij të brendshëm shtazarak e mohues ndaj civilëve të masakruar shqiptarë. Anashkalimi i heshtur i kryeministrit të Shqipërisë për krimet makabre të shtetit që e udhëheq burazëri i tij i zemrës Vuçiqi në Reçak e ka kuptimin e solidarizimit të tij me vrastarët e vëllait ideologjik e shpirtëror Vuçiqin”, deklaron Mehazi.

Sipas tij, karriera e kryeministrit të Shqipërisë, varet nga presidenti i Serbisë Vuçiq dhe heshtja e tij është aleanca kundër qeverisë Kurti.

“Si duket aq është i kapur e i hipotekuar Edi Rama nga Vuçiqi sa që nuk guxon një fjalë të vogël përkujtimore të thotë për masakrat serbe në Reçak dhe duket se karriera e kryeministrit të Shqipërisë varet nga presidenti i Serbisë Vuçiqi. Arsyeja e heshtjes së Ramës ndaj të masakruarve të Reçakut mund të jetë, një, aleanca e Ramës me Vuçiqin kundër qeverisë së Kurtit; dy, aleanca serbe-ruse-shqiptare e Ballkanit të hapur; tre, aleanca ortodokse fetare ruse-serbe-shqiptare; katër, aleanca e Ramës me Vuçiqin është se mos ndoshta Rama është i kapur rëndë nga Vuçiqi për t'ia shitur Shqipërinë e Kosovën Serbisë? Ose ndoshta Vuçiqi ia ka gjetur Ramës ndonjë femër të bukur serbe për t'ia përvetësuar moralin e prishur të Edi Ramës për ta konvertuar nga shqiptar në serb”, përfundon Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat