Skeptik për njohje reciproke, flet analisti pas deklaratës së ambasadorit: Dialogu nuk ka filluar me ngjarjet tensionuese

Politika

Skeptik për njohje reciproke, flet analisti pas deklaratës së ambasadorit: Dialogu nuk ka filluar me ngjarjet tensionuese

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 janar 2023 Në ora: 10:11
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier

Propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, do të ketë në bazë njohjen reciproke, është shprehur këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Schollet, ka folur para vizitës që do ta realizojë në Kosovë e Serbi.

Sipas tij, ky është drejtimi që Kosova e Serbia duhet ta ndjekin për ta arritur destinacionin e tyre euroatlantik.

“Pikë së pari është e rëndësishme që të mos shohim një përsëritje të kësaj krize. Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjelltë. Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik”, ka thënë Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Deklarata e këshilltarit të DASH, vjen pas skepticizmit të ambasadorit të SHBA-së, Jeff Hovenier, për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë pas tensioneve në veri.

“Ai më tregoi se, përderisa qëllimi i fundit ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen”, kishte deklaruar Hovenier.

Analistët politikë thonë se deklarata e tij ka kuptim për shkak të gjendjen momentale, e jo për shkak të dialogjeve të pa frytshme të mëparëshme.

Sulejman Mehazi, analist politik, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dialogu Kosovë- Serbi nuk ka filluar me ngjarjet tensionuese të barrikadave serbe, por shumë vite më parë.

Sipas tij, inatet nacionaliste shoviniste njëzetë vjeçare serbe, nuk pajtohen me njohjen e Kosovës.

“Edhe pse Ambasadori i SHBA-ve, Jeff Hovenier, i cili në intervistën me gazetarin, Tim Judah, ështe skeptik për shkak tensioneve në veri thotë, zor se do ketë ndonjë marrëveshje të shpejtë dialogues në mes Kosovës dhe Serbisë. Deklarata e ambasadorit amerikan më shumë e ka kuptimin e momentales së ngjarjeve tensionuese të ndodhura në veri të Kosovës, e jo të dialogjeve të pafrytshme të mëparshme, se ky dialog i Kosovës me Serbinë nuk ka filluar me ngjarjet tensionuese të barrikadave serbe, por shumë vite më parë, që nga koha e Millosheviqit e gjer më sot, dialogun Serbi-Kosovë kurrsesi nuk e pengojnë ngjarjet e fundit në veri, sikurse që thotë ambasadori amerikan, Hovenier, por inatet nacionaliste, shoviniste njëzetvjeçare serbe që kurrsesi nuk pajtohen me njohjen e Kosovës, sa e sa vite më parë delegacionet kosovare e serbe janë takuar paqësisht në Bruksel pa pasur kësi tensione kërcënuese barrikaduese serbe, por asgjë nga dialogu përfundimtar”, deklaron Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Tutje, ai ka shtuar se skeptika dyshuese e ambasadorit nuk do të thotë se është edhe diskurs i SHBA-ve në raport kundër Kosovës e në të mirë të Serbisë.

Sipas tij, qëndrimet bindëse e parimore të kryeministrit të Kosovës kundër kompromiseve të dëmshme me Serbinë do të përshpejtojnë dialogun.

“Skeptika dyshuese e ambasadorit amerikan nuk do të thotë se është edhe diskurs i SHBA-ve në raport kundër Kosovës e në të mirë të Serbisë. Përkundrazi, qëndrimet bindëse e parimore të kryeministrit të Kosovës kundër kompromiseve të dëmshme me Serbinë do përshpejtojnë dialogun, vetëm situatat tensionuese dhe qëndrimet e Kurtit kundër kompromiseve do ofrojnë dialogun përfundimtar. Administrata e Shtëpisë së Bardhë e SHBA-se ndaj Kosovës është e qartë dhe ndryshon fare nga një ambasadori i SHBA-së, Hovenier. Duhet thënë edhe këtë se gazetari, Tim Judah, flet në vetën e tretë me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, e jo me gojën e ambasadorit amerikan në vetën e parë. Paralajmërimet e dialogut Kosovë-Serbi vijnë edhe nga binomet evropiane franko-gjermane për njohje reciproke të dy shteteve fqinje Kosovë-Serbi në muajin mars”, përfundon Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat