Alarmi: Aktivizohet SHIK-u, kështu po tentohet pengimi i Speciales – ja thirrja për Albulena Haxhiun

Politika

Alarmi: Aktivizohet SHIK-u, kështu po tentohet pengimi i Speciales – ja thirrja për Albulena Haxhiun

Nga: P.R. Më: 16 korrik 2022 Në ora: 18:07
Albulena Haxhiu, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi

Pas kthimit të kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca nga Haga, ku vizitoi të akuzuarit e Speciales, deklaroi se Gjykata Speciale është nën kontrollin e askujt, dhe se institucionet e Kosovës duhet të koordinohen në mënyrë që të vijnë deri të një koncept për një mekanizëm demokratik të kontrollit mbi këtë gjykatë.

Të gjithë që i pash janë mirë me shëndet, janë shumë të fortë me vullnet edhe janë shumë të qëndrueshëm, natyrisht shqetësimi i tyre, dhe i mbrojtjes së tyre, është që pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe nëpër procedura për të cilat absolutisht nuk po ka kurrfarë mekanizmi të ankesës dhe i cili i shqyrton këto shkelje kur po ndodhin. Kjo është pikërisht për shkak të asaj që unë e shpjegova, kjo gjykatë është absolutiste, kjo gjykatë nuk është në kontrollin e askujt, kjo gjykatë madje nuk kanë mekanizëm as shtetet të cilat e financojnë me para këtë gjykatë dhe prej të cilave i marrin rrogat gjyqtarët, prokurorët dhe stafi i gjykatës pra në këtë kuptim natyrisht ata janë të pakënaqur ashtu siç është i pakënaqur edhe krejt populli i Kosovës për arsye se aktakuza e cila rëndon mbi ta lë hapësirë për inkriminimin e UÇK-së si të tillë, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka qenë institucioni më i rëndësishëm i UÇK-së”, ka thënë Konjufca pasi kishte takuar Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin dhe të tjerët, të cilat ndër tjerash, Gjykata Speciale i akuzon edhe për vrasjet e anëtarëve të LDK-së dhe bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës.

E së fundit në media është raportuar se në Ministrinë e Drejtësisë është duke u diskutuar për themelimin e një mekanizimi që do ta monitoronte punën e Gjykatës Speciale.

Por një gjë të tillë po e kundërshton analisti politik, Gani Qarri. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë duhet të merret me procesin e Vetting-ut, e jo me punën e Gjykatës Speciale.

Image
Gani Qarri

Në fakt, pas marrjes së pëlqimit nga Komisioni i Venecias për Vetting dhe reformat në drejtësi, Ministria e Drejtësisë do duhej të merrej me intensifikimin e sanimit të drejtësisë në Kosovë dhe jo të përzihet në veprimet e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila ende nuk ka marrë ndonjë vendim, apo kryer veprime që mund të binin ndesh me ligjin, siç ndodhë pothuajse çdo ditë, me “drejtësinë” në Kosovë. Madje pas paralajmërimeve, plotësisht të pakuptimta të Ministrisë së Drejtësisë, e cila thuhet se është duke diskutuar themelimin e një mekanizimi që do ta monitoronte punën e Gjykatës Speciale, do ishte me vend që tu tërhiqej vërejtja në mënyrën më rigoroze nga instancat më të larta juridike të BE-së dhe bëhej e qartë përfundimisht argatëve të SHIK-ut, në këtë ministri, se kompetencat e tyre janë të kufizuara dhe nuk mund të tejkalojnë kufijtë e ministrisë ku janë katapultuar padrejtësisht, nga politika e inkriminuar në Kosovë”, thotë Qarri.

Sipas tij, Gjykata Speciale funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës, andaj edhe nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë autoriteti.

Edhe përmes përgjigjes me shkrim nga Specialja, sqarohet edhe njëherë, për të gjithë ata, të cilët megjithëse punojnë në këtë ministri, ende nuk e dinë se ky institucion i drejtësisë funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe u mundëson gjyqtarëve të jenë pavarur e të mos kontrollohen nga çfarëdo autoriteti, qoftë ai edhe i diktuar nga SHIK-istët e pranishëm, padrejtësisht në këtë ministri”, deklaron Qarri për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se krijimi i një mekanizimi mbikëqyrës për Gjykatën Speciale, është ndërhyrje dhe pengim i punës së Speciales.

Prandaj veprimi i Ministrisë së Drejtësisë, jo vetëm që habit, siç la pa fjalë me vizitën e saj në Hagë, të gjithë qytetarët e Kosovës edhe vet Albulena Haxhiu, por është edhe një ndërhyrje flagrante në punën e Gjykatës Speciale, e cila të gjithë kuadrin juridik ndërkombëtar, të angazhuar në këtë Gjykatë, e ka më të sprovuar, të përgatitur më mirë praktikisht dhe qëndron kush e di sa milje përpara të ashtuquajturës "Drejtësi" e lodhtë e Kosovës, e cila ka lanë nam me veprimet e saj kundërligjore për gjithë këto vite! Kështu që me veprimet e paprecedent të ministrisë në fjalë, po tentohet që të pengohet dhe prolongohet sa më shumë edhe puna e Gjykatës Speciale, ndaj ministrja Haxhiu duhet ta bllokojë sa më parë një hap të tillë, para se nga BE t’i kërkohet kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës shkarkimi i merituar i saj për shkeljen e rregullave ndërkombëtare, cenimin e veprimit të pavarur juridik në Gjykatën Speciale dhe manipulimin e ligjeve të BE-së, me qëllim të ndikimit të vendimmarrjeve për të akuzuarit për krime në Hagë, njëjtë siç është vepruar për më tepër se dy dekada, nga "drejtësia" e kapur edhe në Kosovë”, shprehet analisti Qarri.

Për fund, Qarri thotë se krijimi i një mekanizimi që do ta mbikëqyr punën e Speciales, po tentohet të krijohet nga elementët e SHIK-ut në Kosovë.

E nga një drejtësi e kalbur si kjo e Kosovës, jo vetëm që nuk ka nevojë, por as që do të lejohet te monitorohet puna e Speciales, kur dihet se edhe ajo vet funksionon me ligjet e Republikës së Kosovës! Ndaj tentimi për monitorim alla-kosovarçe, është një precedent shumë i rrezikshëm, nga i cili, do shihnim edhe të akuzuarit e Hagës, duke ikur si Sami Lushtaku me shokë, çdo javë në shtëpi, shembull matrapazësh që mund të jetë iniciuar, vetëm nga inkriminimi i elementëve të kontaminuar SHIK-ist, shokë të Glauk Konjufcës apo edhe të Fatmir Shehollit, i cili edhe një herë dëshmoi se diti më së miri tu shërbej të gjitha shërbimeve të Serbisë, për tu sistemuar së fundi, si kuadër i lartë i Kadri Veselit në SHIK, për të cilët, duket se përkundër tentimeve morfide të tyre, Gjykata Speciale do të mbetet e paarritshme!”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

Kujtojmë se krijimin e një mekanizimi të tillë e ka kundërshtuar edhe Gjykata Speciale.

Gjykata Speciale është gjykatë ligjore dhe funksionon me mandatin e pajtuar në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës e mbështetur nga korniza ligjore në Kushtetutën e Kosovës. Korniza ligjore e Gjykatës mundëson liri dhe të drejta fondamentale sipas Kushtetutës dhe Gjykata aplikon standarde ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që janë në vijë me vendimet e Gjykatë Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si në çdo sistem të drejtësisë i bazuar në ligj, kjo kornizë ligjore mundëson pavarësi të gjyqtarëve, të cilët nuk janë të kontrolluar apo të influencuar nga çfarëdo autoriteti ekzekutiv, apo legjislativ”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat