A do të zbulohen milionat e vjedhur nga PAN-i/ Kur mund të arrestohen vjedhësit e 30 milionë eurove?

Politika

A do të zbulohen milionat e vjedhur nga PAN-i/ Kur mund të arrestohen vjedhësit e 30 milionë eurove?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 qershor 2022 Në ora: 18:02
Foto ilustrim "Bota sot"

Ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar 17 vjetorin e themelimit të saj. Përgjatë këtij rrugëtimi LVV-ja ka sjellë shumë ndryshime në vendin tonë, për shumë kohë qëndroi në opozitë duke kritikuar pozitën e atëhershme dhe duke vënë në pah gabimet që bënin në vazhdimësi.

Mirëpo, tashmë LVV-ja ka arritur të jetë në pozitë e që natyrisht ka filluar të zbatojë disa nga premtimet që ka dhënë.

Kryeministri Kurti në vazhdimësi ka theksuar që do të luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe ashtu është duke vepruar.

Ai së fundmi në tubimin e organizuar për festimin e përvjetorit të LVV-së, u shpreh se është koha e “mbështetjes maksimale për qeverisjen tonë dhe për ç’kapje përfundimtare nga pushtetet klanore të mëparshme”.

“Ne të Lëvizjes jemi vazhdimësi, as nisje e as mbarim, prandaj ne edhe guxojmë në beteja por nuk guxojmë ta ndalim betejën. Është një kohë për gjithçka, tash është koha e mbështetjes maksimale për qeverisjen tonë dhe për ç’kapje përfundimtare nga pushtetet klanore të mëparshme”, citohet të ketë thënë Kurti në tubimin e LVV-së.

Mirëpo, pavarësisht kësaj ka shumë çështje që ende nuk janë të zgjedhura si p.sh., ende nuk është arrestuar askush për skandalin e 30 milionë eurove, ku zv.ministri Durmishi i akuzon se i kanë përfituar brenda tri viteve, klanet e Ramushit dhe S. Lushtakut.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se Qeveria Kurti po bën punë të mira.

Durmishi ka shtuar po ashtu se u janë prishur planet njerëzve të Ramush Haradinajt e Sami Lushtakut.

“Na ia kemi prish planet shumë grupeve të caktuara që kanë përfituara miliona prej Ministrisë së Infrastrukturës. Qe një shembull, unë mendoj që kush mund të jenë këta: prej Sami Lashtakut dhe njerëzve rreth tij e deri te Ramush Haradinaj dhe njerëzve të tij”, është shprehur ai.

Sipas Durmishit kjo ka ndodhur për shkak të kontratave të mirëmbajtjes së rrugëve. Ai u shpreh i bindur që këto miliona euro kanë shkuar në xhepat e njerëzve të Sami Lushtakut dhe Ramush Haradinajt.

Por, a do të ketë vërtetë luftë të pakompromis?

Gashi: Nuk do të ketë arrestime si më parë, nëse nuk hetohen në hollësi

Image
Tomë Gashi

Në lidhje me këtë temë “Bota sot”, ka kontaktuar avokatin Tomë Gashi. Ai për gazetën u shpreh se Kurti është kryeministër dhe për të hetuar më detajisht i takon Prokurorisë.

“Abin Kurti është kryeministër dhe se çështja e hetimeve dhe arrestimeve është kompetencë e Prokurorisë, jo e Kryeministrisë”, u shpreh ai.

Avokati gjithashtu theksoi se që nga fillimi i qeverisjes së Kurtit ka kaluar koha kur ka pasur arrestime e lirime pa hetime.

“Më 14 shkurt 2021 ka kaluar koha kur kanë urdhëruar arrestime e lirime pa hetime”, foli Gashi për “Bota sot”.

Burjani: Krimi duhet të luftohet pa kompromise dhe pa hamendje

Image
Juristi, Blerim Burjani

Ndërsa juristi, Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kjo është çështje e Prokurorisë dhe se duhet hetuar nga ana e saj nëse veç ka akte të tilla, mirëpo sipas tij në momentin që kemi të bëjmë me politikë atëherë dihet se deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi penale.

“Kjo është çështje e prokurorisë, pra vlerësimin për gjëra të tilla e bënë Prokuroria sipas detyrës zyrtare, nëse vlerëson se ka akte. E vërteta është se për plotë persona që vijnë nga e ashtuquajtura politikë e që e njëjta është mekanizëm për pasurim, pa bazë, deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi penale”, tha juristi.

Defekti i sistemit politik të Kosovës është mos ndëshkimi i krimit politik që shkatërroi shpresën e qytetarëve, shpjegon tutje ai.

“Tash është stërmbushur kupa me njerëz të tillë, të cilët shëtisin lirshëm, madje merren me të ashtuquajturën “politikë”. Pra, defekti i sistemit politik të Kosovës është mos ndëshkimi i krimit politik që shkatërroi shpresën e qytetarëve dhe në veçanti të rinisë”, thekson juristi.

Në fund, ai nënvizon që nuk duhet të përzihet krimi politik me luftën dhe lirinë e Kosovës pasi kështu nuk mund të luftohet krimi asnjëherë.

“Deri më tash s’ka asgjë, as ndëshkim të krimit politik, i cili përzihet me luftën dhe lirinë e Kosovës. E keqja është se krimi po përzihet me luftën e lirinë. Por, që krimi duhet të luftohet pa kompromise dhe pa hamendje”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat