“Njërën këmbë e kanë në Moskë dhe tjetrën në Beograd”/ Kërkohet asgjësimi i organizatave serbo-ruse

Politika

“Njërën këmbë e kanë në Moskë dhe tjetrën në Beograd”/ Kërkohet asgjësimi i organizatave serbo-ruse

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 3 prill 2022 Në ora: 21:04
Foto ilustrim

Gjatë këtyre ditëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, në të cilën ka theksuar se ka organizata të ekstremit të djathtë proruse.

Ai gjatë kësaj interviste është pyetur për ndikimin e Rusisë të minoritetit serb në Kosovë.

“Fatkeqësisht, këtu kemi edhe organizata të së djathtës ekstreme serbe, të cilat njërën këmbë e kanë në Beograd, ndërsa tjetrën në Moskë. Vërej se Putin e kishte zakon të përmendte një herë në muaj “precedentin” e Kosovës (ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999), ndërsa tani e bën këtë çdo të dytën ditë për të justifikuar politikën e tij hegjemoniste në Ukrainë, dhe ndoshta diku tjetër. Mund ta quajmë këtë një pushtim rus ose edhe një agresion ushtarak. Këto të dyja janë të vërteta. Mund ta quajmë edhe imperializëm rus. Por ajo që shoh unë, është edhe fashizëm”, ka deklaruar Kurti për “Le Monde,.

Organizatat të tilla siç i ka përmendur Kurti, janë mjaft shqetësues për vendin. Dyshimi bie se organizata të tilla, janë si Lista serbe, e cila drejtohet drejtpërdrejt nga Beogradi, dhe ai këtë e bën nëpërmjet grupeve kriminale dhe politikanëve që i kontrollon.

Ekspertët shprehen se nëse shteti i Kosovës ka informacione të tilla për këto organizata, atëherë duhet të reagohet me urgjencë. Po ashtu, ata janë shprehur se shteti i Kosovës së bashku me faktorin ndërkombëtar që është në Kosovë, duhet t`i asgjësojë ato organizata.

Burjani: Shteti të reagojë

Image
Blerim Burjani

 

Njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani e ka komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti.

Ai thotë se policia e Kosovës duhet t`i ndalë këto grupe të parafrazuara nga kryeministri Kurti.

“Nëse është kështu e saktë siç ka thënë Kryeministri, policia duhet sa më parë të reagoj, për t`i ndalë grupet e tilla të parafrazuara nga Kryeministri”, thotë ai.

Gjithashtu, ai është shprehur se kjo çështje nuk duhet të politizohet.

“Pra, duhet të ketë reagim me urgjencë. Nuk duhet të bëhet politizim dhe sinjalizojmë, sepse nëse kështu ka fakte, nëse ka, organet e rendit duhet të reagojnë”, deklaroi Burjani për “Bota sot”.

Hertica: Të asgjësohen këto organizata

Image
Ali Hertica

 

Edhe analisti politik, Ali Hertica, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, e ka komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti të dhënë për “Le Monde”.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde” flet për situatën e sigurisë në vend, pas tensioneve të ngritura si pasojë e shpërthimit të luftës në mes të Rusisë dhe Ukrainës”, thotë ai.

Po ashtu, ai thotë se këto organizata duhet të parandalohen pasi që duan që ta destabilizojnë shtetin e Kosovës.

“Kurti është deklaruar se qeveria po përgatitet që të mos befasohet nga ndonjë sulm terrorist i mundshme ndaj Kosovës, ku thuhet se janë identifikuar mbi 10 organizata ekstremiste të djathta serbe që përpiqen ta destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë dhe shteti hesht karshi të gjitha këtyre organizatave. Sipas Kurtit, AKI-ja i ka të gjitha informacionet e gjetura në Prokurorinë e Shtetit. Këto janë organizata ekstremiste serbe në Kosovë që duan ta destabilizojnë shtetin. Atëherë pse kjo qeveria nuk merr masa për t`i parandaluar këto organizata terroriste, të cilat propagandojnë urrejtje, jo vetëm nacionale, por edhe fetare, dhe që kanë njëfarë fryme të ortodoksisë dhe kjo propagandë do të sjell të këqija për shoqërinë kosovare dhe shtetin që e kanë një këmbë në Beograd dhe tjetrën në Moskë. Këto janë organizata si 1939 dhe Car Llazari”, thotë ai.

Në fund, Hertica është shprehur se shteti ynë së bashku me faktorin ndërkombëtar që është në Kosovë, duhet t`i asgjësojnë këto organizata.

“Tani, siguria e shtetit të Kosovës, që din për këto organizata duhet të merr hapin e saj kontrollues dhe t`i asgjësoj të gjitha këto organizata terroriste dhe t`i luftoj kryebanditët së bashku me faktorin ndërkombëtar që është në Kosovë, që të parandalohet më e keqja për shoqërinë dhe shtetin. Nëse shteti i Kosovës i dinë dhe nuk i parandalon këto, si dhe nuk i asgjëson është diçka e pakuptimtë apo mos po presin deri sa të ndodhë ndonjë kataklizëm i keq për sovranin”, deklaron Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat