Mungesa në seanca/Cakolli: Sanksione financiare në pagën bazë ndaj deputetëve

Politika

Mungesa në seanca/Cakolli: Sanksione financiare në pagën bazë ndaj deputetëve

Nga: G.B Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 15:53
Eugen Cakolli

Pavarësisht thirrjeve të kryetarit të kuvendit, deputetët po vazhdojnë të mos jenë të përgjegjshëm për detyrën që kanë si përfaqësues të popullit.

Shumë seanca nuk janë mbajtur për shkak të mungesës së tyre e kështu janë grumbulluar dhe shumë pika që duhet të diskutohen.

Në këtë mënyrë, ka dhe shumë projektligje që presin votimin nga ana e deputetëve, të cilët duket se nuk e kanë primare punën në kuvend dhe pjesëmarrjen në kryesi, seanca e komisione.

Për mungesat e tyre dhe mënyrën se si duhet të veprohet, për gazetën “Bota sot” ka folur Eugen Cakolli, hulumtues në KDI.

Ai mendon se e gjithë kjo vjen si pasojë e papërgjegjësisë së tyre, për çka ato do të duhej të sanksionoheshin.

“Fatkeqësisht, përkundër se kemi shumicën parlamentare më kompakte në historinë politike të Kosovës me një subjekt të vetëm i cili ka gati gjysmën e jemi duke u ballafaquar me mungesën e deputetëve në seanca dhe dështimit si të mbledhjeve plenare ashtu edhe të mbledhjeve të kryesisë, ndonëse për motive të ndryshme. Unë konsideroj se situata e tillë me dështimin e seancave e cila për pasojë prodhon rastin kur në një seancë duhet të trajtohen pikat e mbledhura për disa seanca radhazi, duke e vështirësuar kështu punën e kuvendit, vjen si pasojë e papërgjegjësi individuale të deputetëve, të cilët përkundër një kuadri ligjor mjaft të favorshme për ta, për ta ushtruar veprimtarinë, janë duke munguar dhe janë duke e shfrytëzuar mungesën e sanksioneve ligjor ndaj tyre”, është shprehur ai.

Sipas Cakollit, rregullorja e Kuvendit dhe dispozitat e ligjit shohin sanksione minimale në ndalim të mëditjeve të seancave.

“Në këtë drejtim, së fundmi kemi pasur disa raste kur kryetari i kuvendit ka bërë thirrje që të jenë të pranishëm në seanca dhe ka paralajmëruar masa, megjithatë dispozitat e ligjit për deputetët dhe rregullorja e kuvendit shohin gjoba dhe sanksione krejt minimale që mund të jenë ndalesa të mëditjeve që marrin pjesë në seanca e që janë as 10 për qind e pagës që marrin”, ka thënë ai.

Ai vlerëson se do të duhej të aplikoheshin format që përdorin shtete tjera, që janë sanksionet financiare në pagën bazë.

“Unë mendoj se do të duhej të aplikoheshin format e shteteve si Shqipëria, Gjeorgjia e vende të tjera të BE-së, të cilat parashohin sanksione financiare në pagën bazë. Pra unë mendoj pasi që kemi të bëjmë me papërgjegjësi dhe mungesë të disiplinës së deputetëve për të ushtruar rolin për të cilin ata janë zgjedhur do të duhej të parashiheshin masa të tilla pasi është e pakuptimtë që deputetët të paguhen në shuma relativisht të larta dhe në anën tjetër të mungojnë në të gjitha mbledhjet e mbajtura gjatë një muaji kalendarik në kuvend. Unë besoj që kjo është periudha më e mirë për ta thirrur në diskutim një gjë të tillë tashmë edhe kur jemi në procedurë të plotësim ndryshimit të rregullores së kuvendit dhe në kuadër të saj do të duhej të përfshihen modalitete sanksionuese ndaj deputetëve të cilët janë të shquar apo që për shkaqe të arsyeshme për kryetarin e kuvendit mungojnë në seanca apo në mbledhje të komisionit”, ka potencuar Eugen Cakolli për “Bota sot”.

Se sa mund të ndikojë kjo që ata të jenë më të përgjegjshëm në pjesëmarrjen në seanca dhe komisione, ai mendon se do të kishte përmirësim të situatës, pasi do të preken në paga, derisa shton se prania fizike nuk është detyrimisht votim i projektligjeve.

“Bazuar në përvojën e vendeve të tjera por edhe në bazë të një mendësie në vendin tonë se vetëm kur preken në paga, mund të jenë më të përgjegjshëm dhe më të disiplinuar deputetët, besoj fuqishëm se edhe në rastin aktual do të kishim përmirësim të situatës të paktën në kuptim të situatës fizike për shkak se te çështja e votimit është një problem më kompleks, pjesëmarrja fizike në kuvend jo medoemos nënkupton edhe pjesëmarrjen në votim meqenëse deputetët e kanë edhe me kushtetutë të garantuar mandatin e lirë në kuptim të asaj që mund të mos marrin pjesë në votim apo të votojnë në një mënyrë të caktuar. Për këtë qëllim për shkak të bllokadave që kemi pasur në Kuvend nuk besoj që ka dakordim të mjaftueshëm që të rishikohet çështja e pranisë fizike, megjithatë vende të ndryshme e kanë parimin që nuk e shohin si të mjaftueshme praninë fizike për të marrë pagë por e kanë të caktuar numrin e ligjeve që duhet votuar”, ka deklaruar Cakolli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat