Rrëfimi i rrëqethës i publicistit Zeqiraj: “Teki Dervishi është goditur në kokë” – ky ishte alarmi që lëndoi zemrat e shqiptarëve

Politika

Rrëfimi i rrëqethës i publicistit Zeqiraj: “Teki Dervishi është goditur në kokë” – ky ishte alarmi që lëndoi zemrat e shqiptarëve

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 qershor 2021 Në ora: 17:19
Teki Dervishi ishte edhe drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”, duke qenë kështu përherë në shërbim të së vërtetës dhe në koherencë me ngjarjet që e përcollën vendin.

Sot janë bërë plot 10 vite pa intelektualin e shquar Teki Dërvishi, shkruan gazeta “Bota sot”.

Nga miqtë ai cilësohet si prijës i modernitetit të letrave shqipe. Teki Dervishi ishte edhe drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”.

Bashkudhëtarët e jetës dhe veprës së publicistit Teki Dervishi, e kanë ende të freskët kujtimin për të. I tillë është edhe rrëfimi ekskluzivë i Idriz Zeqirajt.

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, që jeton dhe vepron në Gjermani, ka rrëfyer ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, disa të detaje të padëgjuara deri më tani për poetin, prozatorin, dramaturgun dhe publicistin e spikatur, Teki Dervishi.

Zeqiraj e nis rrëfimin e tij duke treguar se si poeti Dervishi për shkak të terrorit dhe dhunës së përjetuar ishte plagosur rëndë në kokë, që për rrjedhojë e kishte humbur edhe vetdijen.

Image
Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj

“Ishin vitet ‘60-a. Banda Tito-Rankoviq, ndërmori fushatën e fundit të “spastrimit të shkollave, nga arsimtarët nacionalistë”, anekënd Kosovës, proklamuan, me bujë goditjen e tyre banditeske. Aksioni i dytë ishte arrestimi i qindra intelektualëve e, deri edhe nxënës të Shkollave të mesme, me theks të veçantë gjimnazistët. I lindur në një kohë zezonë, Teki Dervishi u maturua hershëm. Inteligjenca e tij, ndjenja e zhvilluar e lirisë, e përballi me pushtetin serb, qysh si gjimnazist. Në mesin e të arrestuarave, edhe gjimnazisti 17 vjeçar, Teki Dervishi. Edhe pse ai nuk ishte gjimnazisti i vetëm i burgosur, ndodhi diçka e veçantë. Mbi Tekiun, në qelinë, birucën e burgut, u ushtrua dhunë e tepruar. Lajmi i përhapur, në tërë Kosovën, se poeti i ri, Teki Dervishi, është goditur në kokë dhe, për rrjedhojë, ka humbur vetëdijen, ishte më shumë se lajm, ishte alarm, që lëndoi zemrat e shqiptarëve të Kosovës, në veçanti, të rinisë së saj”, rrëfen publicisti Zeqiraj.

Tutje, Zeqiraj vazhdo rrëfimin e tij duke treguar se policia kishte raste, që ua dorëzonte rrobat e Teki Dervishit të përgjakura familjes, me qëllim të torturimit psikologjik e shpirtëror të saj.

“Ne, nxënësit e Gjimnazit të Pejës, mbanim një lidhje me Gjakovën, familjen e Tekiut. Miftar Tahirsylaj, nga Isniqi i Deçanit, ishte nxënës në Gjakovë, ndërsa nipi i tij, Hazir Tahirsylaj, ishte nxënës i Gjimnazit në Pejë. Nga ai mësuam se “Tekiu po merr trajtim mjekësor. Familja nuk ka asnjë takim me Tekiun, por, rroba dhe ushqime kanë dërguar në burg”. Mungesa e vizitave, për të burgosurit politikë, deri në fund të gjykimit, ka qenë e zakonshme, qoftë me muaj apo vite. Familja dërgonte ushqimet më të mira, për anëtarin e saj, por, policia i jepnin fare pak nga ato dhe këtë nuk arrinte ta mësonte familja. Ndërsa, policia, kishte raste, që ua dorëzonte rrobat e përgjakura familjes, me qëllim të torturimit psikologjik e shpirtëror të saj. Rast unik, i dënuari më i ri në moshë, u dërgua në vuajtje të dënimit në burgun-ishull të Goli Otokut, i njohur për famëkeqësinë e tij, si burgu i torturës, si burgu më i rëndë në ish-Jugosllavinë komuniste”, ka thënë ai.

Kurse, për burgun famëkeq Goli Otoku, i cili ishte burgu më i njohur atëbotë, Zeqiraj tregon se aty kanë vuajtur burgun edhe kundërshtarët politikë të Titos.

“Zakonisht, në Goli Otok, kanë vuajtur burgun kundërshtarët politikë të Titos, pas prishjes me Stalinin, në vitin 1948. Dominonin në numër, ushtarakët malazezë, që llogaritën në 8 (tetë) mijë syrësh, vujtarakë të ishullit. Klubi letrar i Gjimnazit të Pejës, ku bënin pjesë edhe Jusuf Gërvalla e Ibrahim Rugova, guximshëm, por, mjeshtërisht, pa përmendur emrin e Tekiut, organizoi orë letrare. Megjithatë, ky organizim nuk i shpëtoi syrit vigjilentë të UDB-së. Edhe pse u morën në pyetje, disa nga lexuesit e krijimeve të tyre, ishte parashikuar kjo dhe i kishin të gatshme krijimet tjera, të cilat ishin larg politikës. Por, përgjimi u shtua dhe askush nuk ndjehej imun, i sigurt nga arrestimi i mundshëm”, ka treguar Zeqiraj.

Zeqiraj vazhdon rrëfimin e tij, duke treguar për herë të parë edhe bisedat dhe përjetimet e rënda që i tregonin njëri-tjetrit; ish-presidenti historik Ibrahim Rugova, dhe publicisti i shquar Teki Dervishi.

“Në vitin 1968 isha regjistruar student, në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Isha në konviktin-barakë, ke Ibrahim Rugova, atëbotë, student, me ç’rast më kishte rezervuar banimin tek ai. Në hollin e barakës-konvikt, po kalonte studenti i vonuar, për arsye objektive, Teki Dervishi, së bashku, me një vajzë. Ibrahim Rugova, duke ditur dëshirën time të madhe, për ta takuar njeriun, për të cilin, dikur, kishim derdhur lotë syri dhe zemre, njëherësh, më tha: “Takoje Teki Dervishin!”. Ibrahimi i rrëfeu Tekiut dhe shoqes së tij, për lëndimin, dhimbjen që kishim përjetuar ne dhe gjimnazistët tjerë në Pejë dhe Kosovë. Përmendi orën letrare, kushtuar atij dhe përgjimin, deri në hetime, të UDB-së. Tekiu u tregua shumë i përzemërt me mua dhe më tha se tani që u bëmë fqinjë, do të kemi rastin të takohemi dhe të bisedojmë”, ka thënë .

Kurse, për anën letrate, Zeqiraj shpjegon se proza e Anton Pashkut dhe krijimtaria e Teki Dervishit, veçohen për shumëçka, në letërsinë dhe gazetarinë e Kosovës.

“Prandaj, edhe referenca - proza pashkiane, apo shkrimet në shumësinë e lamive, si për artin, kulturën, shkencën, edukatën, filozofinë, ku shpërfaqej veçantia dhe opusi intelektual, i poetit, shkrimtarit, dramaturgut, studiuesit, gazetarit Teki Dervishi. Si Pashku, ashtu edhe Dervishi, shkruanin, pa u merakosur, nëse mund t’i kuptonin edhe shtresat, të cilat nuk e kishin nivelin, për t`i kuptuar ata. Shkrimet për religjionin të Teki Dervishit, po ashtu ishin të shpenguara, pavarësisht nëse shumësia e besimtarëve, mund ta paragjykonin. Vërtet, ithtarë kishte në botën akademike, por, atyre u mungonte guximi, për t’u shprehur hapur, për atë që mendonin dhe besonin”, tha ai.

Tutje, Zeqiraj ka shtuar se Teki Dervishi ishte një pendë për lakmi, dhe një pendë rebeluese dhe shumë e guximshme, për kohën dhe rrethanat.

“Krijimtaria e Tekiut, në veçanti ajo poetike ishte sfiduese e revoltuese, sepse ai ishte sfiduesi i hershëm i pushtetit jugosllav. Eleganca krijuese e Tekiut, ishte unike. Vizioni poetik, që të lodhte dhe, herë-herë, të torturonte, njëjtë, siç e mundon, deri në mërzi, provincialin opera. Publicistika e Tekiut, tejkalon konturet e gazetarisë profesionale, ajo përbenë një univers artistik. Tekiu la gjurmë krijuese si poet, shkrimtar, dramaturg, studiues, publicist i shquar, i dëshmuar edhe si drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”, vite me radhë”, ka shtuar ai.

Krejt në fund, publicisti Zeqiraj ka theksuar se pa hamendje Teki Dervishi ishte një intelektual i kompletuar.

“Sot, në 10 vjetorin e shuarjes së tij fizike, gjithsesi i mungon letrave shqipe; mungon vijimësia e pendës së tij të artë, sepse ai ishte shkrimtari i brezit të artë shqiptar. Teki Dervishi, meritueshëm, është quajtur korifeu i letërsisë shqiptare. Rrjedhimisht, si intelektual i madh, i kombit shqiptar, Teki Dervishi i mungon shumë Kosovës sot. Ngushëllohemi, njëherësh, krenohemi me veprën e tij jetësore dhe krijuese, të lënë brezave shqiptarë”, ka përfunduar publicisti i njohur Idriz Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat