“Shokon” ish-agjenti i SHIK-ut: Në drejtësi janë punësuar mbeturina të Millosheviqit, PDK-së dhe LDK-së

Politika

“Shokon” ish-agjenti i SHIK-ut: Në drejtësi janë punësuar mbeturina të Millosheviqit, PDK-së dhe LDK-së

Nga: N.Sh. Më: 31 maj 2021 Në ora: 12:28
Naim Miftari

Për sistemin e drejtësisë, është folur e përfolur se në Kosovë nuk është duke funksionuar.

Madje ndryshime të mëdha janë pritur dhe priten të merren me qeverisjen e Albin Kurtit, por se a do të ndodh mbetet të shihet.

Tashmë jemi dëshmitarë se shumë procese gjyqësore të njerëzve të pushtetit kishin dështuar të gjykohen në mënyrë të mirëfilltë.

Në lidhje me ketë çështje, ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari thotë se, në sistemin e drejtësisë kanë punësuar edhe komunist dhe mbeturina të Millosheviqit.

“Dështimi i drejtësisë në përgjithësi në Kosovë nuk është risi, pasi që nga pas lufta shqiptarët dhe disa ndërkombëtarë kanë instaluar një drejtësi jo funksionale dhe drejtësi jo institucionale, sidomos kur e mbushën gjyqësinë dhe prokurorinë me mbeturina komuniste si nga koha e Titos, por edhe me mbeturina të Millosheviqit”, thotë Miftari.

Sipas tij, më pas u mbushën edhe me oponentë politik, sidomos nga PDK, por edhe LDK që shtyheshin mes veti se cila anë politike do ta mbushë më shumë me njerëz të vetë sidomos drejtësinë dhe policinë. 

“Në kësi lloj ambienti në drejtësi u fut krimi i organizuar që nuk i interesonte politika, por përfitimet e jashtëligjshme dhe mos dënimi i tyre.  Për këtë pasojë vjen pastaj edhe vonesa mesatare mbi 8 vite për një lëndë është tregim në vete, e të mos flasim për aferat e mëdha ose kur ndonjë politikan i fuqishëm i lidhur ngushtë me nëntokën përballej me ligjin dhe pothuajse 100% të këtyre proceseve kanë përfunduar me dështim të prokurorisë, e cila duke u frikësuar nga bosët politik dhe të nëntokës qëllimisht devalvonin dhe dështonin akuzën ose dënimet ishin me kusht ose me dënim qesharak”, thotë tutje Miftari.

Ai shprehte se, në anën tjetër gjykatat dhe prokuroria tregon dorën e fort kundrejt ndonjë qytetarit të pa krah, ku dënohet rëndë shpesh herë edhe kur është pa kurrfarë faktesh, sepse me sa duket drejtësisë i duheshin vetë numra si formë e të dhënave statistikore, që dikush po dënohet kinse  rëndë, për ta fituar një bindje se në Kosovë po sundon ligji.

“Dështimin e lëndëve të këtij viti do ta arsyetoja me pandeminë por dështimi i 20 viteve tjera nga pas lufta nuk ka arsyetim. Drejtësia duhet të pastrohet nga mbeturinat e krimit të organizuar politik që ka futur njerëz të rrugës e servilë të tyre vetëm për ti mbrojtur bosët e tyre nga ligji. Pastrimi i gjykatave, prokurorisë, policisë, AKI-së por edhe diplomacisë do të jenë sfida kryesore dhe ‘thembra e Akilit’ për qeverinë e Albin Kurtit. Sa do të arrij ti pastroj këto institucione nga elemente negative nuk e di, por  nëse do të punohet si duhet, si qytetar do ti mbështesim fuqishëm, por nëse vazhdohet si me qeveritë e mëhershme do ti kundërshtojmë fuqishëm përsëri si qytetarë”, përfundon Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat