“Kurti nuk duhet të jetë i nënçmuar para Vuçiqit – Kosova do të fitojë përballë Serbisë”

Politika

“Kurti nuk duhet të jetë i nënçmuar para Vuçiqit – Kosova do të fitojë përballë Serbisë”

Nga: N.Sh. Më: 28 maj 2021 Në ora: 16:06
Albin Kurti

Pak para fillimit të dialogut Kosovë-Serbi, në Prishtinë do të zbarkojnë zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Arsyeja e kësja vizite thuhet  se është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodh diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Në lidhje me dialogun me ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai thotë se, duke dëgjuar polemikat e Vjosa Osmanit dhe Vuçiqit në Kroaci, po dhe deklaratat e kundërta të Albin Kurtit e Vuçiqit në Bruksel mund të themi se dialogu Kosovë-Serbi nuk do mund të permbyllet shpejt dhe se do zgjasë përtej 2021.

“Me ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës ka ndryshuar dhe rrjedha e diskursit politikë te dialogut Kosovë-Serbi. Për Kurtin prioritet kryesor është politika e brendshme e Kosovës: drejtësia, rritja e standartit te qytetarëve dhe punësimi e më pastaj dialogu me Serbinë”, thotë Mehazi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Kurti do të hyjë i përgatitur në këtë dialog.

“Albin Kurti nuk do të hyjë në dialog me Serbinë i papërgatitur, por me ekspertë të profileve të ndryshme diplomatike, politike, ekonomike shtetërore. Gjatë dialogut me Serbinë, Kurti duhet të jetë i barabartë e jo i nënçmuar e i përbuzur para Vuçiqit, Borrellit e Lajçakut. Kryeministri Albin Kurti ka vepruar shumë mirë që gjatë dialogut me Serbinë ka ftuar edhe disa personalitete të reja që i japin frymë dialogut”, shprehet ai.

Profesori shton se, dialogu me Serbinë nuk kërkon patriotë të luftës pa përvojë diplomatike, por diplomatë që dinë të kërkojnë e mbrojnë interesat e shtetit e jo të partisë politike.

“Me Albin Kurtin, Vjosa Osmanin, Donika Gërvallën,... Kosova vetëm mund të fitojë ndaj Serbisë, do jetë më e sigurtë e shumë më e fuqishme sesa dialogu i komandantit politik i Thaçit me Vuçiqin, vetëm që e kanë zvarritur dialogun e shumëpritur me Serbinë. Dialogu me Serbinë kërkon mençuri politike e diplomatike për të detyruar Serbinë të njoh Republikën e Kosovës”, përfundon profesor Sulejman Mehazi.

Ndryshe vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së është rritur në shumë çështje që nga zgjedhjet presidenciale amerikane, ku fitoi Joe Biden.

Para dy ditësh, Lajçak takoi në Bruksel Palmerin dhe më të kishte biseduar për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat