Skandali i Gjergj Dedajt, çfarë tregon rasti i ish-diplomatit që nuk njeh institucionet dhe as shtetin e Kosovës

Politika

Skandali i Gjergj Dedajt, çfarë tregon rasti i ish-diplomatit që nuk njeh institucionet dhe as shtetin e Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 25 maj 2021 Në ora: 18:49
Gjergj Dedaj

Javën e kaluar është shkarkuar diplomati Gjergj Dedaj nga pozita e Ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, shkruan “Bota sot”.

Mirëpo, ky vendim duket se nuk i ka pëlqyer fare. Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka porositur ambasadorin e ri të Maqedonisë së Veriut, që të ketë kujdes nëse mendon të shkojë si ambasador në Shkup në vend të tij.

Duke refuzuar ta lirojë pozitën e ambasadorit, ish-ambasadori Dedaj ka thënë se mund te ketë konflikt me atë që pretendon t’ia zë vendin.

Ky paralajmërim i Dedajt ka nxitur reagime të shumta në vend, nga politika dhe njohësit e çështjeve politike.

Njohësit e fushës janë të mendimit se rasti i ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoni i cili duke refuzuar dhe mos pranuar vendimin e Presidentes së Kosovës për shkarkimin dhe zëvendësimin e tij, tregon natyrën dështake të diplomacisë politike të emëruar nga ish-presidenti dhe nga ish-pushteti i kaluar.

Ata bëjnë me dije se secili vendim që vjen nga lartë-poshtë, duhet të merret si vendim ekzekutiv dhe të pranohet.

Skënder Kapiti: Refuzimi i Dedajt tregon dështimin e qeverive të kaluara

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se rasti me ambasadorin Gjergj Dedaj tregon për dështimin e diplomacisë politike të emëruar nga ish-presidenti dhe nga ish-pushteti i kaluar.

Image
Skënder Kapiti

“Rasti i ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoni të Gjergj Dedaj, i cili duke refuzuar dhe mos pranuar vendimin e Presidentes së Kosovës për shkarkimin dhe zëvendësimin e tij nga një tjetër, kjo tregon natyrën dështake të diplomacisë politike të emëruar nga ish-presidenti dhe nga ish-pushteti dhe tjetra po realisht, kjo do të thotë edhe se Gjergj Dedaj nuk njeh institucionet dhe as shtetin e Kosovës, pasi detyrën e Ambasadorit e konsideruaka si diçka të paprekshme, hipotekë private dhe të drejtë e pronë personale të tij, gjë e cila për fat të keq i bën një dëm shumë të madh imazhit të shtetit të Kosovës, shtetit dhe Republikës së Kosovës”, ka thënë analisti Kapiti.

Kapiti ka bërë me dije se ambasadorët janë përfaqësues të shtetit, dhe jo të tarafit, as të klanit e as të partisë.

“Politika e pushteti shkojnë e vijnë, por shteti është i përjetshëm. Pra, edhe ambasadorët shkojnë e vijnë dhe askush nuk e ka postin e ambasadorit as me tapi dhe as me trashëgimi. Ai edhe shprehet karshi Presidentes Znj. së Nderuar Osmani kështu: “Në fakt, presidentja e kontrabanduar Lenka Çuko, respektivisht Vjosa Osmani, mund të merr vendime arbitrare, joligjore antikushtetuese, johumanitare mbi baza të ndryshme të hakmarrjeve tendendicoze politike”. Nuk e di se si mund ta quash të kontrabanduar Presidenten Osmani kur ajo është Presidente më shumë se sa legjitime, si personi më i votuar në historinë e Kosovës, pra personaliteti të cilin e zgjodhi dy fish si Presidente, edhe vota referendare e 14 Shkurtit 2021 , por edhe votimi në Parlamentin e Kosovës”, tha ai.

Tutje, ai shprehet se nuk e di se si ndjehet ish-ambasadori kundrejt të cilit konsideron se janë lëshuar kritika me të drejtë, madje edhe nga ata të cilët kanë respekt për kontributin e tij në çështjen kombëtare për lirinë e shtetin e Kosovës.

“Sikur ta kishte menduar thellë dhe të kishte arsyetuar po thellë duke mposhtur egon dhe interesin e ngushte personal Dedaj, dhe po të kishte menduar se si ky veprimi tij do të perceptohej nga publiku shqiptar, por edhe nga miqtë ndërkombëtar, dhe paraprakisht e minimalisht të paktën po të ishte konsultuar me miq e me shokë para se të sillej kështu, është e sigurt se nuk do ta kishte bërë këtë gjë”, potencoi njohësi i çështjeve politike.

Analisti deklaron se ky veprim mospërfilljeje, arrogant, i palogjikë, shpirtngushtësie dhe i ngutshëm nga ana e tij në fakt i bën dëm jo vetëm Kosovës, por edhe vetë atij së pari.

“Në karrierën e tij kjo atij do t’i shënohet si një njollë e notë negative për të, por nga ana tjetër ky veprim tregon edhe kualitetin e diplomacisë kosovare të diktuar e të përzgjedhur nga ish-politika e ish-presidenti Thaçi, pra si një diplomaci në tërësinë e saj si një diplomaci e paaftë dhe e papërgjegjshme, si një diplomaci partizane, klanore, nepotike dhe si strehë punësimi të paaftësh dhe militantësh, identike ashtu sikurse edhe ka qenë, dhe ashtu sikurse edhe kane qene mbushur dhe funksionuar qeverisja, pushteti, administrata dhe institucionet e Kosovës deri me 14 Shkurt 2021”, ka thënë ai.

Ai thekson se me të drejtë dhe madje me shumë të drejtë ministrja Gërvalla dhe presidentja Osmani duhet dhe kanë filluar një reformë dhe një Vetting në diplomaci, veprim i cili, sipas tij, duhet që t’i paraprijë edhe Vetting-ut të sistemit të drejtësisë dhe të politikës ashtu sikurse po veprohet edhe në Shqipëri.

Dedë Preqi: Vendimet deshëm apo nuk deshëm, duhet të pranohen

Ndërsa, opinionisti Dedë Preqi, për gazetën “Bota sot”, është deklaruar çështja Dedaj ka marrë një valë çasti, duke i dhënë edhe një shije të pa përshtatshme situatës.

Image
Dedë Preqi

“Ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, e kundërshton vendimin e ministrisë për lirimin e tij nga ky post Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, zonja Donika Gërvalla, që mori vendimin për shkarkimin e 12 ambasadorëve të vendit, që ishin të akredituar në vendet e ndryshme, si edhe në vendet e rajonit, dhe një vendim të tillë e ka aprovuar edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani, që këta ambasador brenda kohës së caktuar duhet t’i lirojnë postet e tyre. Edhe pse kundërshtimet ishin nga mënyrat e ndryshme nga gjithë ambasadorët, por një ndër ato më të zëshme dhe më të ashpra ishte nga ambasadori Gjergj Dedaj, që shërbente në Maqedoninë Veriore, ku edhe mediat po i japin pak valë çastit, duke i dhënë edhe një shije të pa përshtatshme situatës, kur dihet se asnjëri nga këta diplomat të vendit, nuk e kanë të garantuar, apo të përjetshëm vendin e punës”, ka thënë Preqi.

Ai mendon se kundërshtimet dhe mos pajtimet janë të natyrshme, por vendimet e ministrisë përkatëse dhe aprovimet e presidencës së vendit, janë vendime ekzekutive, të cilat deshëm apo nuk deshëm, duhet të pranohen.

“Poashtu edhe Gjergj Dedaj, sikur të tjerët duhet ta pranoj një vendim të tillë. Ish ambasadorin Gjergj Dedaj, të cilin e akreditoi Hashim Thaçi, si ambasador në Maqedoninë Veriore, ndonëse dikush e komenton ndryshe, por është dobësi për shoqërinë tonë shqiptare, nëse i shfrytëzojmë incidentet e njëri-tjetrit në këtë mënyrë dhe tani sikur duam të shfryjmë ndonjë mllef, duke i thënë Gjergjit, apo tjetrit, se në kohën e serbit, nuk kishe guxuar të kundërshtosh, sepse Milloshi ta kishte “heqë kokën”. Gjergj Dedaj, vjen nga një familje malësorësh Gjonmarkaj, nga komuna e Gjakovës, e cila familje ka qenë gjithmonë në shënjestër të regjimit serb dhe e dëmtuar me të madhe, po ashtu edhe në regjimin e fundit të Millosheviqit, së cilës ia kanë ekzekutuar me dhjetëra meshkuj të kësaj familje për çështje kombëtare”, ka shtuar ai.

Sipas opinionistit Preqi, secili vendim që vjen nga lartë-poshtë, duhet ta marrim si vendim ekzekutiv.

“Gjergj Dedaj, ishte disa herë edhe në ballë të protestave dhe demonstratave gjatë regjimit serb, dhe pastaj në kohën e lirisë, e formoi Partinë Liberale të Kosovës, secilës i ka prirë disa vite me radhë. Gjergji ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe ka kryer disa funksione të tjera dhe të rëndësishme në Qeverinë e Kosovës. Nëse i referohemi kundërshtimit të vendimit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, nga Gjergj Dedaj, për lirimin e postit të ambasadorit në Maqedoninë e Veriut, do të ishte domethënëse mbresa që na lë neve qëndrimi i Gjergjit në këtë rast konkret dhe në çastin e duhur, prandaj secili vendim që vjen nga lartë-poshtë, duhet ta marrim si vendim ekzekutiv dhe normal për cilin do qoftë”, ka përfunduar opinionisti Dedë Preqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat