Mosndëshkuesit e krimeve në Kosovë, po kërcënojnë sërish

Politika

Mosndëshkuesit e krimeve në Kosovë, po kërcënojnë sërish

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 maj 2021 Në ora: 20:01
Kuvendi i Kosovës

Vrasjet e pasluftës vazhdojnë të mbeten brengë dhe kërcënim për të gjithë qytetarët e Kosovës, e sidomos për familjarët e të vrarëve. Derisa vrasësit ende nuk janë ndëshkuar dhe bëhen kërcënime të reja ndaj veprimtarëve të tjerë, kjo shihet si një rrezik që vazhdon ende.

Kërcënime janë bërë së fundi edhe nga opozita ndaj zëvendëskryeministër Donika Gërvalla. Po ashtu edhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se është kërcënuar nga deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.

"Vrasjet politike nuk i kanë bërë jashtëtokësorët!"

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, ka thënë se në situatën që ndodhemi sa i përket këtyre vrasjeve e shantazheve të pazbuluara, sistemi i drejtësisë qëllimisht është shkatërruar dhe kriminelët nuk janë dënuar.

Image
Idriz Zeqiraj

“Njëri nga ideologët e komunizmit, Lenini rus, i cili ishte një fashist teorik, në marrjen e pavarësisë të popujve të lirë, për t`i bërë Sovjet, ndërkohë për ta realizuar suksesshëm teorinë satanike, i dha pushtet Stalinit, një fashist praktik dhe shumë i përgjakshëm, për popujt Sovjetik! Në përgatitjen e Revolucionit të Tetorit, Lenini shtroi pyetjen-dilemë: "Ç`të bëjmë? Dhe, në rrethanat e krijuara, kur krimi, faktikisht, ka ndodhur, dhe Kosova është plot varre e jetimë, në kohë paqeje, sistemi i drejtësisë, qëllimshëm, është sabotuar e shkatërruar, kriminelët nuk janë dënuar! Dhe, sot, edhe pas tej dy dekadave, nuk janë penduar dhe nuk kanë kërkuar as falje, Familje të viktimave të pafajshme, për krimet e tyre, tashmë, të bëra! Dhe, siç thoshte ish-presidenti Sejdiu se "vrasjet politike nuk i kanë bërë jashtëtokësorët!", është shprehur Zeqiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, nga ky mosndëshkim ata janë të gatshëm të vrasin edhe sot. Mirëpo ai tregon edhe mënyrën se si duhet vepruar të kërcënuarit.

“Të trimëruar, nga mos ndëshkimi i krimit, edhe ata që nuk kanë vrarë dikur, janë të gatshëm të vrasin sot. Bile, kërcënimin, për ata që kërkojnë drejtësi ligjore, e shpalosin, hiç më pak, nga foltorja e Kuvendit të Kosovë. Atëherë, shtrohet ajo pyetja-dilemë, e Leninit të Revolucionit: Ç`të bëjë dhe si të veprojë, në këtë rast e rrethanë, Donikë Gërvalla me politikanët tjerë, që kërkojnë drejtësi, për të gjitha viktimat e pafajshme?! Përkushtimi këmbëngulës i binomit Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani, për reforma, ndryshim e drejtësi, ngjason, si dy pika uji, me përkushtimin ngulmues të Presidentit Rugova, për liri, pavarësi dhe demokraci! Tek mësuesi i tyre, i papërsëritshëm, Rugovë, do të gjejnë frymëzim dhe forcë, për t`i shkuar procesit deri në fund, për t`ua lehtësuar ankthin e dhimbjen e trishtë, që e bartin në shpirtin dhe mendjen e tyre Familjet e viktimave. Por, mjerisht, kjo nismë do të jetë vetëm lehtësi, sepse të amshuarit, dhunshëm, ikën, por, dhimbjen e vuajnë të gjallët”, thekson ai.

Për sulmet dhe kërcënimet ndaj Gërvallës, Zeqiraj thotë se është e habitshme se si mund të sulmohet një veprimtare e jashtëzakonshme, kur në Gjermani u habitem, me punën dhe njohjet që kishin krijuar Hafiz Gagica dhe Donikë Gërvalla, me shokë.

“Në emisionin "Prizma", Akademik Ali Aliu, rrëfen: "Udhëtuam me Bujar Bukoshin, për të themeluar Degët e LDK-së në Evropë. Në Gjermani u habitem, me punën dhe njohjet që kishin krijuar Hafiz Gagica dhe Donikë Gërvalla, me shokë. Kudo, në institucionet gjermane, u pritëm me respekt e mirësi". Mendova, si vallë, arrinin të dërgonin mijëra letra e informacione për Kosovën dhe pushtimin e saj anekënd botës. Dhe, gati i përlotur, Profesor Aliu, shqetësohej, se si mund të sulmohej një veprimtare e jashtëzakonshme, si Donika, sot, në cilësinë e ministres së Jashtme dhe të Diasporës?! Trajtimi i deklaratave të Donikë Gërvallës, nga analistët, është, tërësisht, i gabuar. Për shembull: "Kur ajo (Donika), ka dhënë Intervistën, në vitin 2016, nuk ka qenë në politikë, rrjedhimisht, nuk mban përgjegjësi institucionale, por, eventualisht, individuale!" Pra, sipas analistit, Donika konsiderohet fajtore edhe atëherë, kur ka akuzuar kriminelët, për vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm: ushtarakë, që kanë bërë luftën e Kosovës; veprimtarët e LDK-së, që janë dajakosur për një dekadë radhazi, nga policia serbo-sllave; gazetarët e luftës; veprimtarët e hershëm të LDK-së”, thotë ai.

Tutje Zeqiraj thotë se ministrja Donikë Gërvalla, është veprimtarja më madhe në botë, për çështjen e Kosovës, nga Mërgata shqiptare. Ajo bëri një fushatë profesionale e shumë dimensionale. Ishte unike në paraqitje televizive të Gjermanisë dhe të Evropës.

“Pas tri dekadash veprimtarie të kualifikuar e cilësore, Atdheu-Kosovë, populli, i dha vendin e duhur, vendin e merituar, ministre e Jashtme, e cila në dy paraqitjet e para brilante ndërkombëtare, shkëlqeu me përgatitjen e saj profesionale dhe intelektuale. Andaj, duhet mbështetur, dhe jo penguar. Një padrejtësi që i bëhet një njeriu, duhet të reagojë i gjithë qyteti. Kështu ndodhë në vendet e emancipuara dhe demokratike. Kjo nuk ndodhi në sallën e Kuvendit. Ndërkohë, që ndaj deputetëve aksidentalë e rrugaçë, duhej të reagonin të gjithë deputetët e pa inkriminuar, pavarësisht, përkatësive partiake. Madje, as LDK-ja, nuk ishte në nivel”, thekson Zeqiraj.

Publicisti thotë se Gërvalla e Kurti nuk duhet të heshtin, por të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për të gjitha viktimat dhe vrasjet e kryera në Kosovë.

"Vjosa i ndenji besnik anëtarësisë, elektoratit. Prandaj nuk ka bërë asnjë tradhti. Ne e lamë vetëm atë. Por, Vjosa është një gjeneral, që e presin beteja të reja", tha në një debat kryetari i suksesshëm dhe simpatik i Pejës, Gazmend Muhaxheri. Po të reagohej atë ditë, ndaj klanit fatal Mustafa, sot e mot, LDK-ja do të ishte në pushtet. "Frikacakët nuk e kanë as dynjanë dhe as ahiretin", - këshillë e artë! Për fund, Donikë Gërvalla dhe qeveria Kurti nuk duhet të heshtin. Përkundër, duhet të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, për të gjitha viktimat dhe vrasjet e kryera në Kosovë. Kjo është detyrë, është respekt e përkujtesë, për viktimat, tërësisht, të pafajshme dhe krejt unike, për qëllimet errëtake të ekzekutimit makabre”, përfundon ai.

Burjani: Ndjekja e kryerjes së krimeve të luftës ishte mandat i ish Tribunalit të Hagë

Ndërkaq, profesori jurist, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo situatë është e ndërlikuar pasi ndjekja e krimeve ishte mandat i Tribunalit të Hagës, mirëpo ai nuk e ka kryer punën e tij, sipas vlerësimeve të shumë shteteve përfshirë edhe Kosovën.

Image
Blerim Burjani

“Tash kjo çështje është e komplikuar, ndjekja e kryerjes së krimeve të luftës ishte mandat i ish Tribunalit të Hagës, kjo punë sipas opinioneve të shteteve por edhe të Kosovës nuk ka mjaftuar dhe se kanë shpëtuar shumë kriminelë lufte nga dënimi, tash ai Tribunal është marrë me krime lufte por jo me gjenocid”, thekson Burjani.

Ai thotë se nga Bosnja ka bërë një padi për gjenocid e cila nuk ka prodhuar kurrgjë në pikëpamje të ndëshkimit të Serbisë as për kompensim të dëmeve ekonomike në luftë e as në dëme njerëzore.

“Tash në Kosovë po mbretëron kjo ideja që duhet të paditet Serbia pa marrë parasysh të gjithë faktorët relevant, së pari Kosova nuk është anëtare në OKB dhe nuk mund të padisë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare, tash këtu tentohet pa marrë parasysh faktet dhe komplikimet të ndodhë një padi kundër Serbisë, kjo padi për t’u përgatitur kërkon kohë të madhe”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat