Dështon sezoni turistik në Kodrën e Diellit

Maqedonia

Dështon sezoni turistik në Kodrën e Diellit

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 21:55
Foto ilustrim

Mungesa e borës dhe moti me diell edhe në ditë dimri, ka bërë që sezoni turistik sivjet në Kodër të Diellit të dështojë. Ky dështim më shumë i ka goditur dyqanet që japin me qera ski dhe pajisje të tjera dimërore. Kërkojnë nga Drejtoria e Kodrës së Diellit dhe ajo qendrore, që të mund të bëjnë lehtësime sivjet të paktën me pagesën e qerave, sepse, ankohen se nuk kanë mundur dot të nxjerrin as bukën e gojës sivjet, raporton Alsat.

“Jo s’kemi mund të nxjerrim asgjë, s’pati sezon, s’pati borë s’pati asnjë njeri. S’kemi punuar, me gjashtë ditë që ka punuar teleferiku le të na merr qera por gjashtë ditë ka punuar. Kemi dhënë sajat e mira na kanë kthyer të këqija. Duhet të bëhemi bashkë të shohim si do ia bëjmë me drejtorinë”, tha një shitës i skive.

“S’ka borë aspak, turist nuk ka pas, sivjet as të Kosovës nuk kemi pasur. Humbje këna boll se kemi investuar diçka por s’kemi marrë asgjë”, u shpreh një shitës tjetër.

Humbjet janë ende më të mëdha në objektet hotelerike. Qindra mijëra euro janë humbjet vetëm nga anulimet e rezervimeve si pasojë e mungesës së borës dhe sezonit turistik.

“Lufta vazhdon, ne gjithnjë bëjmë luftë për ekzistencë. Për momentin kemi shumë anulime, por ka edhe kërkesa të mëdha nga njerëzit që vijnë vetëm për të shëtitur. Anulimet diku janë rreth 40 për qind, flas për ata që praktikojnë skijimin e lirë. Por edhe përkundër anulimeve, ka ca që presin që në mars të vijnë nëse do ketë borë, kështu që kemi një shpresë mos do ketë diçka mos do ketë borë”, tha Hashim Hasami, pronar hoteli.

Kontaktuam edhe me drejtorin e pikës turistike Kodra e Diellit, Adem Havziu, i cili tha se po punohet në drejtim të lehtësimit të qerave të atyre që nuk kanë mundur të punojnë këtë sezon, ndërsa shpresa e vetme ka mbetur muaji mars, që nëse ka borë të funksionojë të paktën një muaj kjo pikë turistike.

Avziu po ashtu njoftoi se kanë bërë grumbullimin e borës në dy pika Ge dhe Aerodrom, ku shpresojnë që të mbaj koha dhe të ketë pak ditë mundësi për rrëshqitje për adhuruesit e skijimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat