Grkovska – Grabenwarter: Duhet të përmirësohet cilësia e gjyqtarëve kushtetues, vetëm në këtë mënyrë do të forcohet besimi në Gjykatën Kushtetuese

Maqedonia

Grkovska – Grabenwarter: Duhet të përmirësohet cilësia e gjyqtarëve kushtetues, vetëm në këtë mënyrë do të forcohet besimi në Gjykatën Kushtetuese

Më: 7 mars 2023 Në ora: 17:34
Grkovska – Grabenwarter

Në kuadër të vizitës së punës në Vjenë, zv. kryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, sot ka takuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Christoph Grabenwarter, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë.

Grkovska theksoi rëndësinë e krijimit të zgjidhjeve sistematike që do të garantojnë pavarësi dhe profesionalizëm në vendimmarrje, pavarësisht se për cilin institucion bëhet fjalë. Kjo, shtoi ajo, është veçanërisht e rëndësishme për Gjykatën Kushtetuese, e cila është gardiane e rendit kushtetues dhe e të drejtave të qytetarëve.

Grabenwarter theksoi se është shumë e rëndësishme të forcohet kultura kushtetuese në një vend, e cila është parakusht për përparimin e sistemit.

“Në këtë drejtim, Grkovska informoi për aktivitetet e ndërmarra nga Kabineti për Politika të Qeverisjes së Mirë, të cilat janë në drejtim të avancimit të politikave kundër korrupsionit, por edhe forcimit të sistemit të meritës, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, ku kushte specifike janë të nevojshme për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Grabenwarter, theksoi se politika dhe gjyqësori duhet të ndahen, praktikë kjo e vendosur në Austri. Kjo, theksoi ai, siguron rritje të vazhdueshme të cilësisë, ndërkohë që rregulloret nuk ndryshojnë. Është një praktikë e mirë evropiane për të cilën duhet të përpiqemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat