Ndërroi jetë veprimtari Ramadan Berisha

Lajme

Ndërroi jetë veprimtari Ramadan Berisha

Sabri Maxhuni Nga Sabri Maxhuni Më 10 janar 2017 Në ora: 10:11
Ramadan Berisha

Me datën 07.01.2017 , veprimtari Ramadan Berisha u nda nga jeta në një moshë të shtyerë, i cili la pas vete një familje të madhe dhe një veprimtari të lavdishme në shërbim të kombit shqiptar. Në vitin 1981 u organizua në LNÇKVSHJ, që udhëhiqej nga Metush Krasniqi, nëpërmes Ymer Berishës, që ishte inkuadruar në Lëvizje nëpërmes meje e nëpërmes të cilit u organizuan edhe Shaban Jashari, Hamëz Jashari e Rifat Jashari dhe bashkë me ta edhe Adem Jashari etj. Ramadan Berisha, si shok i Shaban Jasharit që nga koha kur kishin qenë në ushtri, të pandar edhe si veprimtarë të Lëvizjes së Metush Krasniqit, mbanin lidhje me Degën e kësaj Lëvizje që vepronte nga Turqia, gjegjësisht Dega e kësaj Lëvizje që quhej: Komiteti Hasan Prishtina.

Veprimtarët Ramadan Berisha, Shaban Jashari, Hamëz Jashari dhe Rifat Jashari, mbanin lidhje të rregullta me Komitetin Hasan Prishtina. Vinin në Stamboll, merrnin materiale, organin e LNÇKVJSH, Zërin e Kosovës, që redaktohej nga Jusuf Gërvalla. Këto materiale i vendosnin në çanta të veçanta e që na ishin përgatitur nga veprimtarët e Degës së Lëvizjes Hasan Prishtina, dhe me rreziqe e sakrifica të mëdha i sillnin në Kosovë që t’ua shpërndanin veprimtarëve të Lëvizjes. Veprimtari Ramadan Berisha, si pronar i një argjentarie,bashkë me të bijtë, e ndihmonte Lëvizjen edhe materialisht. Ai së bashku me Rifat Jasharin dhe të tjerët, merrnim libra edhe te Abdi Baleta për t’i dërguar në diasporë, ndërsa për botimin e këtyre librave, Abdi Baletën e ndihmonte materialisht Rifat Jashari. Aktiviteti i veprimtarit Ramadan Berisha kurrë nuk u ndal. Edhe djali i Ramadan Berishës, veprimtari i mirënjohur Ymer Berisha, dha një kontribut të madhë në organizimin e grupit në krye me Adem Jasharin, për të shkuar në Shqipëri për stërvitje ushtarake dhe për ta filluar Luftën Çlirimtare në Kosovë. Ymer Berisha, e priti Adem Jasharin me shokë dhe i përcolli deri në vendin ku bëheshin stërvitjet ushtarake, Për këtë angazhim të tijë, ai më informojë menjëherë pasi që u kthye në Zvicër, duke më njoftuar detalisht, për shkuarjen dhe vendosjen e Adem Jasharit me shokë në vendin ku duhej. Në shumë pyetje të mia, Ymer Berisha, si me shaka, më përgjigjej: O Bac, mos u bënë merak se edhe kollodantet dhe brushat e dhëmbëve ua kam blerë dhe ua kam dorëzuar. Ramadan Berisha, u nda prej nesh, si veprimtar i palodhshëm, si bashkëveprimtar i familjes heroike të Jasharëve të mirënjohur, duke na e lënë kujtimin më të mirë, për çka do të jemi krenar që e patëm veprimtar-luftëtar të Lirisë, siç ishin familja heroike e Jasharëve. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës që aq shumë e deshti dhe kontribuojë për te!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat