Nxënësi i dalluar i Zekria Qazimit e mohon mësuesin e tij të xhihadit

Lajme

Nxënësi i dalluar i Zekria Qazimit e mohon mësuesin e tij të xhihadit

Më: 28 tetor 2016 Në ora: 14:47
Liridon Kabashi

Rrëfimet e dy xhihadistëve kosovarë "të penduar" ishin përzgjedhur për të përmbyllur konferencën ndërkombëtare dyditore në Prishtinë, kundër terrorizmit, të organizuar nga Ministria e Brendshme e Kosovës dhe OSBE-ja. Albert Berisha dhe Liridon Kabashi, që së fundi kanë hapur një institut për deradikalizim, përreth 30 minuta të kësaj konference lanë gjynahet e tyre të rrugëtimit të tyre në Siri, para një audience vendore dhe të huajsh. Berisha ia la fajin politikës dhe punësimeve me nepotizëm, që mund ta kenë shtyrë të shkojë në "Al Nussra" e ISIS, e më pas arsyetoi një tekst të tij, vite më parë, ku bënte thirrje për xhihad. Ndërsa, Liridon Kabashi tha se vdekja e nënës së tij e çoi në depresion; ngushëllim i dha vetëm feja, e më pas ISIS-i. Ai mohoi se ka njohur imamin Zekria Qazimin, bashkë me të cilin u gjykua dhe u dënua, para pak muajsh. Megjithatë, ka dëshmi që jo vetëm se tregojnë se ata njiheshin, por që Kabashi ishte "nxënësi" më premtues i imamit të "El Kuddus".  

“Më ta (Zekria Qazimin) kurrë nuk jam takuar, as kurrë se kam njoftë ma herët, vetëm përmes mediave dhe videove në youtube që i kam pa”. Kështu e mohoi një ditë më parë mësuesin e tij, një prej nxënësve të dalluar të imamit Zekria Qazimi – rekrutuesit kryesor të xhihadistëve kosovarë, të dënuar me 10 vjet burgim. 

Liridon Kabashi dimrin e vitit 2013 ishte nisur për në Siri. I riu nga Polaci i Skenderajt ishte një nga "ushtarët" më premtues që e kishte rekrutuar imami gjilanas Zekria Qazimi. Por, këtë të fundit, Kabashi, po e mohon ta ketë njohur. Ndonëse ka dëshmi të komunikimeve të tyre, madje edhe gjykatat kosovare i akuzuan së bashku, në të njëjtin grup, dhe i dënoi ata për terrorizëm. 

Por, në një seri shkrimesh e publikimesh të sms-përgjimeve të grupit të rekrutuesve të xhihadistëve, të publikuara nga mediat në dhjetor të vitit 2015 dhe janar të këtij viti, dëshmonin raportin e afërt të Kabashit me Qazimin. Madje Hoxha, kishte ndihmuar atë të kthehej mbrapa, në Kosovë, tek babai i tij. 

Kabashi, pak muaj pasi kishte shkuar në Siri, në nëntor të 2013-s, i shkruante frymëzuesit të tij që ta urdhëronte udhëheqësin e shqiptarëve të ISIS-it, Ridvan Haqifi, që ta lejonte të kthehej në Skenderaj. 

“Selam alejkum hoxhe jam liridon kabashi deshta mem ndihmu pak mi tha ridvanit mem letu lejen per ks se fejza spom jep teskije kur jam ardh fill kam nejt 1 muj te ai tan jam ardh ktu e kam babën vet e spo mun me shku zvicer dhe 4 muj e un me shku dimrin me ja lehtu me ba bukën mela teshat.mos me la namazin”, ishte ky mesazhi që Liridon Kabashi nga Siria, i dërgoi imamit Qazimi në Kosovë, më 29.11.2013.  

Por, se e dërgoi këtë mesazh, Kabashi provoi ta mohojë derisa u pyet, pas ligjërimit në Konferencën Ndërkombëtare mbi Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, që u mbyll të enjten në Prishtinë. 

“Nuk e di kush, ato mesazhe, i ka shkemby për mu”, tha Kabashi, derisa u pa qartë se pyetja nuk i pëlqeu fare dhe zëri i dridhej. 

Përveçse kishte pasur komunikim mes Kabashit dhe Qazimit, media, më 24 dhjetor 2015, përmes SMS-dëshmive të publikuara, shkruante se leja për kthimin e Liridonit në Kosovë, kishte shkaktuar një përplasje të vogël mes shqiptarëve që luftonin atje. 

Udhëheqësi i terroristëve shqiptarë në Siri, Ridvan Haqifi, që s’i jepte leje Kabashit që të kthehej mbrapa, ishte detyruar nga hoxha që qëndronte në Gjilan, t’ia mundësonte kthimin nxënësit të tij nga Skenderaj, tek babai që i kishte mbetur i vetëm në shtëpi.

E, 28-vjeçari, Liridon Kabashi, me t’u kthyer në shtëpinë e tij, ishte intervistuar nga Policia e Kosovës. Ai u kishte rrëfyer atyre për shkuarjen e tij në Siri dhe të gjitha përjetimet e atjeshme. Kabashi, disa muaj pas, më 14 gusht 2015 së bashku me Zekrija Qazimin, dhe pesë të tjerë, ishin arrestuar për t’u dënuar në pranverë të këtij viti me gjithsej 42 vjet burgim, si grup, për tri vepra penale që lidhen me terrorizëm: rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nxitja e urrejtjes, e përçarjes ose e mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Liridon Kabashi, derisa rrëfeu historinë e tij, sesi u bind që për tre muaj të shkojë në Siri bashkë me disa shokë të tij, tha se ishte periudhë kur ishte në depresion pasi i kishte vdekur nëna, dhe ishte i bindur se rrugëtimi i tij ishte për të ndihmuar njerëzit, siç kishin ndihmuar të huajt në Kosovë, gjatë luftës.

Ai tregoi se kur mbërriti atje pa se aty ishte një ideologji vrastare, dhe u betua se nuk i mori jetën askujt.

"Faleminderit Allah që më mbrojte", falënderoi ai Zotin, derisa fliste i emocionuar për përvojën e tij, duke u zotuar se është i gatshëm të kontribuojë në deradikalizimin e të tjerëve, tash kur është i dënuar me 3 vjet burgim për xhihadin e tij. 

Përveç Kabashit, historinë e tij, para audiencës së konferencës, e shpalosi edhe xhihadisti tjetër i penduar Albert Berisha. Më shumë sesa të tregojë për mënyrën sesi u radikalizua, ai përdori foltoren të shfajësonte veten nga një shkrim i tij, të publikuar në shtator të 2013-s, në të cilin inkurajonte për të shkuar në xhihad. 

Magjistri i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i dënuar me 3 vite e gjysmë burgim, për terrorizëm, promovoi edhe institutin e tij për deradikalizim, që e ka startuar në muajt e fundit. 

“Faktorët kryesorë që më kanë bindur për të marrë një rrugëtim të tillë ka qenë faktori njerëzor, ndjenja humane dhe ndjenja për t’i ndihmuar të tjerët dhe urrejtja për secilin krim që e ka kryer ushtria e Assadit”, rrëfeu Berisha, duke drejtuar tutje gishtin nga politika dhe punësimet partiake, që gjoja e bindën atë të merrte rrugë për zonat e konfliktit në Siri e Irak. 

“Unë si student i kam pasur pritjet e mia, por këto pritje nuk janë përmbushur për shkak të rrethanave nepotiste dhe për të punësuar do të duhej vetëm të kishe ndonjë lidhje apo të jesh anëtar i ndonjë partie politike”, tha ai. 

Berisha përshkroi sesi me një biçikletë e kishte kaluar kufirin turko-sirian, pa takuar asnjë ushtar apo polic. Ai tregon se gjatë qëndrimit të tij në Siri, gjatë vitit 2013, ishte futur në të dy kampet, të "Al Nussra" dhe ISIS. 

Foli edhe se pse u bind të kthehet. 

"Momenti kyç ishte thirrja e nënës sime, e cila s’ishte pajtuar me shkuarjen time dhe frika nga Zoti se mos po bëj ndonjë gabim", tregoi ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat