Tkurrja e PDK-së

Lajme

Tkurrja e PDK-së

Më: 2 maj 2016 Në ora: 08:50

Largimi i deputetëve nga Partia Demokratike e Kosovës po bën që kjo parti ta rrezikojë primatin e partisë më të madhe në vend. Nëse deputeti Ramiz Kelmendi kalon në LDK, atëherë kjo e fundit do të barazohet me PDK-në në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po shkon duke u zvogëluar pasi shumë deputetë prej konstituimit të kësaj legjislature i kanë ikur, duke bërë që të jetë partia e cila ka pësuar më së shumti nga ikja e deputetëve.

PDK-ja me largimin e Ramiz Kelmendit tani ka mbetur me vetëm 34 deputetë, që ka vetëm një deputet më shumë sesa LDK-ja, si grupi i dytë më i madh parlamentar.

Po që se deputeti Ramiz Kelmendi kalon në LDK, ashtu siç kanë raportuar disa medie, atëherë partia e kryeministrit, Isa Mustafa, do të barazohet me PDK-në në Kuvend.

Deri më tani PDK-së i kanë ikur edhe deputetët, Gëzim Kelmendi, Shaip Muja dhe Margarita Kadriu, që veprojnë në Kuvendin e Kosovës si deputetë pa grup.

Megjithatë, Kelmendi ende nuk ka vendosur nëse do t’i bashkëngjitet ndonjë partie tjetër apo do të veprojë si i pavarur në Kuvendin e Kosovës. Por, nuk e ka mohuar kalimin në ndonjë subjekt tjetër, ku gjasat më të mëdha janë që ai t’i bashkohet LDK-së, meqë në AAK- ai ishte, por u largua për t’iu bashkuar PDK-së, të cilën e braktisi meqë nuk ia dhanë postin e zëvendëskryeministrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat