Kastrati – Gërvallës: Shteti bëhet me institucione, e jo me klithma primitive!

Lajme

Kastrati – Gërvallës: Shteti bëhet me institucione, e jo me klithma primitive!

Nga: Rexhep Kastrati Më: 29 prill 2016 Në ora: 18:10

Shpërfytyrimi i çikës së Jusufit është bërë aq i dukshëm, sa që nuk është vështirë të vërehet edhe nga më të painteresuarit për politikën dhe punët shtetërore. Dhe kjo është për të ardhur keq edhe pse është çika e Jusufit, i cili derisa u vra u mundua me mish e me shpirt që të bashkonte të gjithë, përfshirë edhe ata që ditë e natë përçanin shqiptarët, dhe e paraqitnin idenë dhe angazhimin e Jusufit për bashkim, si një formë të bajraktarizmit dhe të dominimit, por edhe për faktin se pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar dhe po e kalon në Gjermani, në një shtet që u transformua nga një shtet totalitar nazist, në një shtet demokratik.

Si çikë e Jusufit, Donika do të duhej të kishte parasysh pikërisht angazhimin e babait të saj për bashkimin e të gjitha grupeve politike në një organizëm politik më të organizuar dhe m serioz, dhe të mos shpërfaqte forma primitive të urrejtjes dhe të përçarjes, sepse në këtë mënyrë zbeh çdo element konsiderate që shqiptarët kanë për të për hir të babait të saj.

Si personalitet që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar dhe vazhdon ta kalojë në Gjermani, ku edhe ka marr mbiemrin Schwarz, Donika do të duhej të dinte bazën themelore të funksionimit të një shteti, përkatësisht të qeverisjes së tij. Gjermania është një shtet, i cili ka arritur që të krijojë paqe me një nga shtetet që tradicionalisht ka qenë në armiqësi, siç është Franca, mbi të cilën bazë edhe doli koncepti i BE-së, si dhe është një shtet që ka arritur të krijojë për tri mandate radhazi koalicionin e madh ndërmjet dy partive kryesore të Gjermanisë, CDU dhe SPD.

Nga përvoja e paqtimit ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, çika e Jusufit do të duhej të kuptonte mesazhin e domosdoshmërisë së krijimit të një konteksti bashkëpunues dhe miqësor, kundrejt raporteve tradicionalisht konfliktuale dhe armiqësore dhe këtë mesazh do të duhej ta përkthente si domosdoshmëri të bashkëpunimit politiko-institucional në të mirë të shtetit dhe të interesave strategjike kombëtare.

Kurse bashkëqeverisjen ndërmjet dy forcave kryesore politike të Gjermanisë për të tretin mandat qeverisës, duhet ta kuptojë si vlerësim dhe përgjegjshmëri e lartë politike përballë vendit, stabilitetit dhe qeverisjes së tij. Në fakt, edhe vetë historia e re e Kosovës, ka praktikën e bashkëqeverisjes së dy partive kryesore qysh nga zgjedhjet e para të përgjithshme që u mbajtën gjatë vitit 2001, kur LDK kishte dalë e para, por megjithatë presidenti Rugova kishte pranuar që ta drejtonte Qeverinë partia e Hashim Thaçit.

Po ashtu, edhe presidenti Sejdiu kishte bërë koalicion me partinë e Hashim Thaçit, dhe kur kryeministër ishte ky i fundit. Pra, si në rastin e Gjermanisë, edhe në rastin e Kosovës, koalicioni ndërmjet dy partive më të mëdha, është koalicioni i tretë, dhe i pari në të cilin LDK drejton Qeverinë. Dhe të kërkosh rrëzimin e Qeverisë, jo vetëm që është budallakia më e madhe, por edhe të mos jesh fare në përputhje me interesat shtetërore dhe kombëtare, pasi që ky koalicion është formuar për të përballuar proceset e rëndësishme siç ishin dhe janë Gjykata Speciale, arrestimi dhe burgosja e peshqve të mëdhenj dhe plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizim vizash, për MSA-në dhe për stabilitetin e vendit.

Pa këtë koalicion, sot nuk do të kishte aksione për arrestime të tilla si i Azem Sylës dhe i të tjerëve si këta. Prishja eventuale e këtij koalicioni do të fuqizonte strukturat mafiozo-politike dhe do të rriste mundësitë për të pasur edhe vrasje politike, edhe luftë vëllavrasëse. Përballë këtyre rreziqeve, dhe për ballë këtyre proceseve, çdo klithmë primitive është vetëm shpërfaqje e idiotësisë politike dhe e urrejtjes primitive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat