Lufta speciale për rrëzimin e shtetit, LDK-ja para sfidës shumë serioze

Lajme

Lufta speciale për rrëzimin e shtetit, LDK-ja para sfidës shumë serioze

Nga: P.Rudi Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 12:38

Publicisti Rexhep Kastrati në një postim në facebbok ka shkruar se secila strukturë organizative e LDK-së që nga Kryesia e deri te nëndegët duhet ta kenë të qartë se lufta speciale, dhuna, anarkia dhe tendencat për rrëzimin e shtetit, kanë për qëllim të thyejnë unitetin e LDK-së dhe rolin e saj historik dhe aktual për liri, pavarësi e demokraci.

“Përpjekjet për manipulimin e opinionit me aspekte emocionale që lidhen me emrin dhe filozofinë politike të presidentit Rugova, me vrasjet politike dhe me natyrën mafiozo-politike të linjës së Tiranës/Kretës , në fakt synojnë dobësimin dhe rrënimin e LDK-së”.

Kastrati më tej shkruan se LDK është para sfidës shumë serioze kur gjendet përballë një trysnie nga struktura kundërshtet që gjenden edhe brenda opozitës, edhe brenda PDK-së.

“LDK është para sfidës shumë serioze kur gjendet përballë një trysnie nga struktura kundërshtet që gjenden edhe brenda opozitës, edhe brenda PDK-së, edhe brenda të ashtuquajturës shoqëri civile, edhe brenda pseudomedieve dhe pornotaleve. Kjo sfidë duhet të përballohet në frymën dhe modelin rugovian të përmendur më lartë. Dhe kjo sfidë ka të bëjë me angazhimin e shtuar që të ruhet funksionaliteti i institucioneve, të ruhet struktura shtetërore, të ruhet shteti nga ata që janë në skenën politike për të dëmtuar aspiratat shqiptare, shtetin dhe gjithë të arriturat e gjertanishme”, ka shkruar Kastrati./BS/

Ja postimi i plotë:

Secila strukturë organizative e LDK-së që nga Kryesia e deri te nëndegët duhet ta kenë të qartë se lufta speciale, dhuna, anarkia dhe tendencat për rrëzimin e shtetit, kanë për qëllim të thyejnë unitetin e LDK-së dhe rolin e saj historik dhe aktual për liri, pavarësi e demokraci. Përpjekjet për manipulimin e opinionit me aspekte emocionale që lidhen me emrin dhe filozofinë politike të presidentit Rugova, me vrasjet politike dhe me natyrën mafiozo-politike të linjës së Tiranës/Kretës , në fakt synojnë dobësimin dhe rrënimin e LDK-së. Dhe ky angazhim është i hershëm dhe zanafillën e ka që nga tendencat për pushtimin e saj nga brenda që në Kuvendin e II-të, më 1994, me tendencat për ta përçarë dhe rrënuar, në Kuvendin e III-të, më 1998, me tendencat vëllavrasëse, më 1998-2000 dhe me vrasjet politike, më 1998 e këndej, me tendencat përçarëse dhe pushtuese në Kuvendin e VI-të, më 2006, me përpjekjet për përsëritjen e këtyre tendencave në Kuvendin e VIII-të, më 2015, si dhe me përpjekjet anarkiste dhe të dhunshme që nga janari i vitit të kaluar e këndej. Në secilën periudhë kohore, synimet për pushtim, për dobësim dhe rrënim të LDK-së, kanë pasur dhe kanë për qëllim që të rrënojnë shtyllën kryesore, avangardën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, përkatësisht realizimin e skenarëve dhe projekteve kundërshqiptarë, që nga rishfaqjet e ndonjë projekti federal-konefederal e deri te ndryshimi i kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve. Përkundër të gjitha angazhimeve të linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste që kanë bërë shumë dëm, megjithatë parametrat e kryesorë të projektit për liri, pavarësi e demokraci janë ruajtur. Edhe LDK, përkundër goditjeve të sinkronizuara të dy linjave të lartpërmendura, përkundër pabesive dhe çarjeve të brendshme, ka vazhduar të mbetet shtylla kurrizore e shtetit dhe e konsolidimit të tij institucional. Për hir të procesit të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, për hir të ruajtjes së unitetit qytetar, stabilitetit dhe kohezionit të angazhimit kombëtar, LDK ka ditur të ngrihet mbi sfidat emocionale, mbi primitivizmat, mbi parapolitikën dhe mbi tendencat përçarëse kombëtare dhe ka trasuar rrugën e paqtimit, të bashkëpunimit dhe të bashkëveprimit edhe në rrethana thuajse të pamundura. Dhe falë gjithë këtyre, Kosova ka arritur të bëhet shtet i lirë dhe i pavarur, që në nenin e parë të kushtetutës përkufizohet si shtet i pavarur dhe sovran, dhe të vëjë themelet e një funksionimi demokratik të shtetit dhe të shoqërisë. Tash LDK është para sfidës shumë serioze kur gjendet përballë një trysnie nga struktura kundërshtet që gjenden edhe brenda opozitës, edhe brenda PDK-së, edhe brenda të ashtuquajturës shoqëri civile, edhe brenda pseudomedieve dhe pornotaleve. Kjo sfidë duhet të përballohet në frymën dhe modelin rugovian të përmendur më lartë. Dhe kjo sfidë ka të bëjë me angazhimin e shtuar që të ruhet funksionaliteti i institucioneve, të ruhet struktura shtetërore, të ruhet shteti nga ata që janë në skenën politike për të dëmtuar aspiratat shqiptare, shtetin dhe gjithë të arriturat e gjertanishme. Presidenti Rugova ka trasuar bashkëpunimin me të gjithë, pavarësisht pozicioneve dhe qëndrimeve të tyre. Dhe këtë e ka bërë pikërisht për hir të procesit për liri, pavarësi e demokraci, për hir të unitetit qytetar, politik e kombëtar, për hir të stabilitetit të vendit dhe të kohezionit të angazhimit kombëtar. Dhe edhe sot, LDK është në pozitë dhe në rolin e saj përcaktues për stabilitetin e vendit, për ruajtjen e institucioneve shtetërore, të demokracisë në zgjedhjen dhe funksionimin e tyre, për ruajtjen e unitetit qytetar dhe të paqes së brendshme. Dhe të gjitha këto duhet t'i realizojë në bashkëpunim të fortë me partnerët dhe aleatët tanë strategjikë: SHBA-të dhe aleatët tjerë perëndimorë me të cilët kemi rrugëtuar së bashku që nga fillimi i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat