Lenjani: Karaçeva bombë që mund të shpërthejë

Lajme

Lenjani: Karaçeva bombë që mund të shpërthejë

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 09:52

Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaçevë vazhdon të jetë i bindur se xhandarmeria serbe po patrullon në territor të Kosovës. Ai thotë se Karaçeva është “bombë”, e cila mund të shpërthejë nëse nuk vendoset kufiri në vijat kadastrale origjinale.

Lenjanin aspak nuk e ka shqetësuar deklarata e komandantit të KFOR-it në Kosovë, i cili ka thënë se nuk kanë informacione se xhandarmeria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës".

“Për mua shqetësuese është heshtja e institucioneve kosovare. Ne i besojmë NATO-s e KFOR-it, por i besojmë edhe syve tanë dhe dëshmive e fakteve tona. NATO duhet ta korrigjojë gabimin e saj, kur iu besoi hartave serbe në Kumanovë”, ka thënë Lenjani.

Lenjani ka një argument shumë bindës për këtë që thotë.

“Nëse vetura e xhandarmërisë serbe do të ishte në territor serb, pse atëherë ata nuk na arrestuan kur ne i fotografuam. Ata madje kanë vozitur më shpejt vetëm për t’u mos u ndeshur me ne. Xhandarmeria serbe e dinë saktë se ndodhet në territor të huaj, por mashtrimi i tyre me harta të falsifikuara dhe marrëveshja e Kumanovës e bëri këtë pështjellim” shprehet Lenjani.

Lenjani thotë se janë 3200 banorë të Karaçevës që vështirë të binden ndonjëherë se kjo pjesë është e Serbisë.

“Çdo familje në Karaçevë e dinë saktë se aj territor është i Kosovës. Ne i besojmë NATO-së, dhe KFOR-it, por këto dy mekanizma duhet urgjentisht ta përmirësojnë dhe korrigjojnë gabimin tyre. Ne nuk kemi dashur që vet ta marrim situatën në dorë sepse u kemi besuar mekanizmave të sigurisë. Zhgënjyese e tepër dëshpëruese është qëndrimi inferior dhe tejet pasiv i institucioneve të Kosovës”, thotë ai, raporton Rajonipress.

Lenjani mendon se Karaçeva është “bombë”, e cila mund të shpërthejë nëse nuk vendoset kufiri në vijat kadastrale origjinale.

“Unë i kam shkruar edhe NATO-s, edhe Samuel Zhbogarit dhe pothuajse asnjë zyrtar ndërkombëtar nuk ka dhënë ndonjë përgjigje strikte rreth vijës kufitare. Gjithçka që duhet të bëjë shteti i Kosovës janë shfrytëzimi i takimeve në Bruksel dhe ngulja këmbë e tyre për të negociuar në Bruksel kontestin kufitar. Kjo fatkeqësisht asnjëherë nuk ka ndodhur nga ana e delegacionit shqiptarë, edhe pse faktet janë në anën e tyre”, thotë Lenjani.

Lenjani tha se xhipi i xhandarmerisë serbe i kapur nga banorët ka alarmuar maksimalisht KFOR-in dhe nuk po gjejnë asnjë argument për ta demantuar.

“Jemi shumë syçelë dhe do e sensibilizojmë këtë problem në çdo minutë”, tha Lenjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat