Dauti: Sikur Kosova të ishte shtet, e stofi si pizhamet e Madonës të ishte flamur

Lajme

Dauti: Sikur Kosova të ishte shtet, e stofi si pizhamet e Madonës të ishte flamur

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 22:17

Analisti Daut Dauti, ka komentuar ngjarjet e sotme në Prishtinë. Në shkrimin të tijin të postuar në profilin e tij në Facebook, ai përmend dështimet e këtij vend që e bëjnë të mos jetë shtete. Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e tij.
Gjithë ato deklarata që dëgjuam sot nga ‘analistë’ e ‘gazetarë’ e disa ‘personalitete’ tjera të ‘mençura’ se demonstruesit sot ishin kundër shtetit dhe se nuk e respektuan as flamurin e Kosovës. Si është e mundur që këta tipa të mos e vërejnë se Kosova nuk është shtet dhe as ky stofi (fanullbasëm), që i përngjan pizhameve të Madonës, nuk është flamur.

Kosova nuk është shtet për arsye se këta që janë në pushtet nuk janë të interesuar të qeverisin, por ta përdorin tërë aparaturën për punët e tyre personale.

Sikur Kosova të ishte shtet, do ta kishte krijuar një Bashkësi (Shqiptare) në Serbi ku ka nevojë për te, e jo anasjelltas, sikur Serbia që po krijon Zajednica në Kosovë ku nuk ka nevojë.

Sikur Kosova të ishte shtet, Mali i Zi nuk do t’i merrte Kosovës 9000 e sa hektarë tokë, por kufiri i Kosovës do të kishte përfshirë brenda së paku nja 900.000 e më shumë hektarë.

Sikur Kosova të ishte shtet, festat nuk do t’i shndërroheshin në trazira.

Sikur Kosova të ishte shtet, njësitë policore nuk do të hynin në seli të një partie politike për t’i arrestuar aktivistët e saj dhe nuk di t’i rrihte qindra qytetarë, por do t’ia mësynte zyrave të pushtetit ku ‘punojnë’ kriminelët. Nëse Policia, helbete, nuk e di se kush janë kriminelët, le ta pyet cilindo qytetar se këto punë i di gjithkush.

Sikur Kosova të ishte shtet, sot nuk do të ishin djersitë nëpër media e Facebook ‘ekspertët’ dhe ‘gazetarët’ duke i dhënë zor ta mbrojnë ‘shtetin’ që nuk ekziston në kuptimin e mirëfilltë, por do të ishin angazhuar ta krijojnë atë duke i hequr halabakët nga Qeveria. Por, këta janë mbrojtësit e tyre pasi që së bashku me ta kanë krijuar jetën e tyre luksoze në vendin më të varfër të Evropës.

Sikur Kosova të ishte shtet, sonte, deri në mesnatë, do t’i lironte të gjithë ata që i arrestoi sot. Dhe, prej nesër do të duhej të ulemi, të marrim frymë thellë e pas një pushimi të mendojmë si ta krijojmë shtetin.

Ndërkohë, do të ishte mirë që të ndalen ‘hygjymet’ kundër Vetëvendosjes pasi që kjo është partia e vetme që është e interesuar të qeveris me shtetin dhe popullatën e saj”, ka shkruar Dauti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat