A jemi të kërcënuar nga fqinjët tanë, a mund të kundërpërgjigjemi në rast të ndonjë krize?

Lajme

A jemi të kërcënuar nga fqinjët tanë, a mund të kundërpërgjigjemi në rast të ndonjë krize?

Nga: Ridvan Emini Më: 3 tetor 2015 Në ora: 22:36

Se shqiptarët dhe dy shtetet shqiptare kanë shumë armiq në regjionin përreth, kjo nuk çudit askënd. Politika të caktuara vazhdojnë që duke paraqitur kinse rrezikun që vjen nga shqiptarët, të ushqejnë opinionin e tyre me urrejtje dhe paragjykime ndaj shqiptarëve. Në mendësi politike të ndryshme në Ballkan, në ajr mbetet ndjenja e albanofobisë, gjë që shpesh nuk po mund të frenohet as në gjuhën zyrtare politike.

Sipas asaj që raportoi mediumi maqedonas “TV Sitel”: “në rast se SHBA-të do të mbështesin Shqipërinë në të gjitha çështjet, e sipas këtij mediumi nga Shkupi, kjo është treguar edhe me rastin e incidentit të Kumanovës dhe nëse BE-ja do të rrijë në heshtje për projektin e ‘Shqipërisë së Madhe’, atëherë shumë shpejt Serbia, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia, do të bashkohen në një ‘Koalicion Ballkanik’ kundër këtij projekti”.

Por mediumi në fjalë, anashkalon faktin që dy nga shtetet e cekura tanimë janë pjesë e mekanizmave euro-atlantik si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ushtarak. Sa i përket Serbisë, ajo haptazi ka paraqitur pikëpamjet e saj për një neutralitet në raport me NATO-n, duke mos arritur të fsheh rreshtimin emocional përkrah Moskës.

Gjithsesi, transmetimi në mediumin maqedonas është njëspekulim nëse kemi parasysh raportet aktuale politike, por që sigurisht nuk është shumë larg qëllimeve të vërteta që qendra të caktuara politike mund të kanë në raport me shqiptarët. Tutje aspekte që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare tani duket se sensibilizohen më shumë në kuadër të një përplasjeje eventuale konfrontuese amerikano-ruse, e që vjen si pasojë e sulmeve ajrore ruse në Siri, ku veç tjerash po goditen edhe kryengritësit pro-perëndimorë të mbledhur rreth Ushtrisë së Lirë Siriane. Kosova e cila ka të pranishëm në territorin e saj kontingjentin e trupave të NATO-s në kuadër të misionit KFOR, megjithatë para saj ka edhe rrugën e krijimit të forcave të armatosura të shtetit, si garanti më i drejtpërdrejtë i krijimit të fuqisë mbrojtëse adekuate për të iu kundërpërgjigjur çfarëdo rreziku të mundshëm.

Politologu z.Mentor Tahiri shprehet se: “Është vështirë të mendohet se Kosova mund të sulmohet drejtpërsëdrejti ushtarakisht nga cilido vend fqinj apo përgjithësisht vendet në regjion. Në këtë drejtim shpie konstalacioni i përgjithshëm politik dhe përcaktimet së paku deklarative të shteteve. Përkundër faktit që Rusia si lider botëror i pansllavizmit po promovon fuqinë e saj në shkallë botërore, nuk pritet që në Ballkan të ketë një organizim të ri pro-rus apo pansllavist të shteteve, e sidomos jo një rirreshtim gjeostrategjik ortodoks të bazuar në premisa të identitetit fetarë. Politika në Beograd, apo edhe në qendra të tjera ballkanike, është e vetëdijshme që në raport me superfuqinë amerikane, “trimëria” aktuale ruse e cila po tregon muskujt në lindjen e mesme, është e përkohshme dhe mund të zgjasë vetëm aq sa e lejojnë SHBA-të. Prandaj edhe po ndodhin flirtimet e josinqerta me perëndimin.”

Sipas Politologut Tahiri, i cili është njëkohësisht njohësi i mirë gjeopolitikës, tani Kosovës i kanosen rreziqe tjera, e që janë më shumë të një karakteri jokonvencional. “Ajo që aktualisht paraqet rrezik për Shtetin e Kosovës, është më tepër një destabilizim i kufizuar si pasojë e sulmeve të mundshme terroriste, e ku qarqe të caktuara në regjion lehtësisht mund të organizojnë inskenime duke e ndërlidhur situatën me atë që sot po ndodh në lindjen e mesme.

Natyrisht, përkundër faktit se në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm KFOR, si dhe vetë shteti synon anëtarësimin në struktura të përbashkëta ushtarake atlantike, kjo nuk nënkupton assesi që Kosova të ketë luksin e të qëndroj duarkryq. Shtetet përgatisin kapacitetet e tyre mbrojtëse duke u mbështetur në synimin strategjik për të siguruar ekzistimin në stade shumë afatgjata, andaj ngjarjet momentale në regjion nuk duhet të jenë përcaktuese në vendimet e Kosovës kur bëhet fjalë për ngritjen apo jo të këtyre kapaciteteve.

Aq më tepër, brishtësia e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës për shkak të pranimit tëpjesshëm si shtet, shërben për armiq të shtetësisë së Kosovës si motiv shtesë, e madje edhe si një derë e hapur përmes të cilës mund të legjitimojnë goditje eventuale ndaj Kosovës”, thekson politologu Tahiri.

Politologu Tahiri, sheh me shumë kritikë punën e deritanishme të Kosovës drejt krijimit të strukturave mbrojtëse. Ai lidhur me këtë thekson se: “Deri tani është punuar pak për krijimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Me keqardhje duhet të pranojmë se nuk ka një ushtri të krijuar, qoftë në aspekte operacionale, apo edhe qoftë në vetë kuptimin funksional të asaj çfarë nënkuptohet sot me një ushtri. Kapacitetet aktuale të FSK-së, nuk lejojnë qëkjo forcë të konsiderohet funksionalisht asgjë më shumë se një brigadë e armatosur lehtë.

Për këtë flasin numrat e efektivave si dhe armatimi që trupat kanë në dispozicion. Me 2.500 efektiva aktiv dhe një forcë krejtësisht minimale të trupave rezerve prej më pak se 800 sosh, FSK më shumë i ngjason një trupe simbolike e cila ekziston sa për sy e faqe.Nëtërësi mungojnë komponentët kyçe që sot e përbejnë një ushtri. Nuk është kjo çështje emërtimi, por konceptesh dhe vizionesh. Kur kësaj i shtohet edhe mosekzistimi i plotë i një sistem mbrojtës civil, atëherë vërtetë imponohet një rishikim urgjent i qasjes që e ka shoqëria në përgjithësi për sigurinë dhe ardhmërinë e saj, e assesi kjo nuk iu përket vetëm strukturave politike.”

Nga ana tjetër analisti z.Fadil Lepaja vlerëson se: “Nuk mendoj se jemi te rrezikuar, nga jashtë më tepër se nga brenda. Madje mendoj se prezenca e KFOR-it i demotivon edhe aventuristët eventual në fqinjësi të ndërmarrin diçka kundër sigurisë së qytetareve dhe vendit. Mendoj se edhe ne raport me komunitetin serb, do te kemi një zbutje në marrëdhëniet me ta, por njëkohësisht do të kemi një rritje të agresivitetit të opozitës ndaj institucioneve.”

Kurse politikologu z.Nexhmedin Mustafa thekson se, nëse dëshirojmë që të kuptohet dhe të nxirren konkluza për të ardhmen, atëherë medoemos duhet të dihet dhe të kemi njohuri nga e kaluara e Kosovës dhe popullit të saj , pra historia e saj si rajon dhe tërësi gjeografike.

Politologu Mustafa shprehet se: “Kosova si rajon dhe populli i saj historikisht kanë qene cak i sulmeve më monstruoze dhe më barbare të vendeve fqinje por edhe më gjerë. Nga pozita në të cilën ndodhet Kosova një rrezik potencial, i drejtpërdrejtë - i formës klasike të kërcënimit nuk mund të jetë real dhe këtë e mbështes në faktin që Republika e Kosovës ende është nën mbrojtje dhe siguri ushtarake të NATO-së dhe strukturave të saj”.

Ai gjithashtu vë theksin: ”Se a do të duhej që Kosova të punoj intensivisht dhe të krijojë forcat e saj të armatosura, pa dyshim se një gjë ë tillë është e nevojshme dhe e domosdoshme për vet ekzistencën fizike të banorëve të saj, në veçanti të popullit shqiptarë. Jo se kjo forcë ushtarake do të përbënte ndonjë rrezik eventual për vendet fqinje, por do të shërbente në stabilizim të mëtutjeshëm të sigurisë në rajon dhe do të hapej kapitulli i ri për Kosovën, pra anëtarësimi i saj drejt strukturave euroatlantike të sigurisë, me theks të veçantë – në NATO. Po, jemi të kërcënuar nga vendet fqinje, sidomos nga ai Serb. Nuk ka kaluar as çerek shekulli ku populli shqiptar i Kosovës u gjend para një spastrimi etnik më masovik që Evropa kishte njohur së fundmi nga ana e regjimit serb të kohës. Mbi shqiptarët e Kosovës u krye një terror dhe gjenocid nga ushtria dhe policia serbe, andaj një situatë hipotetike Kosova dhe populli i saj, sikur të mos ishte në mbrojtje ndërkombëtare do të gjendej para një situate të ngjashme, në mos më ke. Aktualisht Kosova nuk ka kapacitete të sigurisë që të përgjigjet në çfarëdo forme të ndonjë organizimi vetëmbrojtës“.

Ndërsa nga ana tjetër eksperti për çështje të sigurisë dhe njëherit drejtor i institutit për Siguri dhe Drejtësi z.Skënder Sopjani vlerëson se: “Nuk mendoj se jemi të kërcënuar nga fqinjët tanë, apo më mirë të themi nuk shihet ndonjë element apo fenomen i cili do mund të na bindte për ndonjë gjë të tillë, as në një të ardhme të afërt. Ne kemi të krijuara disa instrumente të sigurisë mbështetur edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të cilat do duhej të ishin pjesë e organizatave ndërkombëtare të sigurisë, gjë e cila nuk ka ndodh dhe krijon një hendikep, si në marrjen e informacioneve sa më të shpejta ashtu edhe në ndërmarrjen e veprimeve në të mirë të sigurisë dhe luftimit të kriminaliteteve të ndryshme ndërkufitare të cilat “edhe mund” të ndikojnë në një krizë eventuale”.

Eksperti i sigurisë z.Sopjani shprehet se:“Ne e dimë se bashkësia ndërkombëtare me instrumentet KFOR dhe EULEX, akoma kanë kompetenca të konsiderueshme për të mos thënë jetike në fushën e sigurisë. Dihet se Forcat e Sigurisë së Kosovës / FSK, akoma janë në mbikëqyrje dhe në koordinim me NATO-n dhe si rrjedhojë edhe transformimi dhe zhvillimi i Forcave të Armatosura të Kosovës /FAK, do ndodh në mbikëqyrje të rreptë të saj. Me formimin e FAK-ut, përgjegjësia për mbrojtjen e territorit të Kosovës me kufijtë e saj do kaloj në përgjegjësinë e saj. Mbështetur në sa përmenda më lartë momentalisht në rast të nevojës së ndonjë kundërpërgjigjeje eventuale në rast krize, ne mund të përgjigjemi me anë të koordinimit të institucioneve të sigurisë në mes të Policisë së Kosovës, EULEX-it, Forcave të Armatosura të Kosovës dhe KFOR-it, të cilat edhe janë përgjegjëse për sigurinë e rendit, qetësisë publike si dhe mbrojtjen e kufijve të Kosovës.

Si për fund institucionet e sigurisë së Kosovës, më shumë duhet të jemi syçelë nga krimi i organizuar brenda kufijve të Kosovës, gjë e cila mund të sjell edhe ndonjë krizë eventuale të brendshme. Ky fenomen i cili ka kapluar çdo pore të jetës në Kosovë, mund të gjenerohet në krizë. Vlen të dyshohet se mund të financohet dhe përkrahet nga shërbime të ndryshme të fqinjëve tanë dhe si rrjedhojë është më kërcënuese sesa kriza eventuale që mund të supozohet të vijë përmes kufijve me fqinjët tanë”, kështu përfundon z.Sopjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat